Drejtësia

Çfarë tha ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj pas 6 orësh në SPAK: Sqarova pozicionin tim (fotot)

Gazeta Si - Arben Ahmetaj ka dalë pas 6 orësh pyetje nga SPAK. Në dalje të dyerve të SPAK, i shoqëruar edhe nga avokati  tij, Ahmetaj është përpjekur të shfaqet i qetë dhe i qeshur para kamerave, por përgjigjet e tij për mediat ishin mjaft të rezervuara.  “Sqaruam pozicionin. Faleminderit”. I druheni arrestimit? “Faleminderit” Do vini sërish? “Të jeni mirë të gjithë. Sa herë të duhet”, ishte komunikimi i tij me gazetarët.

Ish-ministri Arben Ahmetaj u paraqit këtë të enjte SPAK në lidhje me aferën e inceneratorëve, teksa raportohet se është nën hetim për 4 akuza: korrupsion, shpërdorim detyre, mosdeklarim të pasurisë dhe pastrimit të parave.

Ndaj tij janë dy procedime nga kjo të cilat janë bashkuar në një të vetme, një procedim lidhet me inceneratorët  dhe procedimi tjetër kallëzimi nga një gazetar.

Në kuadër të këtij procedimi, më herët janë vënë në sekuestro dy vila të ish-ministrit, njëra në jug të vendit dhe tjetra në zonën e Hamallajt, ndërsa janë marrë në pyetje disa persona.

Më herët, Gjykata e Posaçme e Apelit i ka rrëzuar Arben Ahmetajt edhe ankimin e bërë për kontollin e ushtruar në vilën në Hamallaj. 

Ahmetaj ka pretenduar se vila nuk është produkt i asnjë veprimtarie kriminale dhe se pas bllokimit të saj, ka qenë i detyruar të jetojë me partneren në një banesë me qira.

Në lidhje me pasuritë e tij, SPAK ka marrë në pyetje shumë persona, mes të cilëve edhe ish-bashkëshorten, e cila ka deklaruar se ka në pronësi vetëm shtëpinë në ish-bllok, ndërsa vila në Palasë nuk është e saj.

Ahmetaj është një nga personat më të akuzuar nga ana e opozitës, si i përfshirë në çështjen e inceneratorëve, për të cilën SPAK ka marrë disa të pandehur, mes tyre edhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin e PS, Alqi Bllako.

Emri i tij u lakua në inceneratorin e Elbasanit, pasi në kompjuterin e ish-administratorit Klodian Zoto (i shpallur në kërkim ndërkombëtar), u zbuluan të dhëna që tregojnë se si i kërkuari në kulmin e përpjekjeve për koncensionarin i kishte paguar udhëtime luksoze ish-ministrit të Financave.

Në korrik të vitit të kaluar, Ahmetaj u shkarkua nga posti i zv.kryeministrit dhe i ministrit për Rindërtimin, por nuk u emërua në asnjë pozicion tjetër brenda kabinetit Rama.

Gjithashtu, ai nuk u konfirmua si drejtues politik i PS-së në Vlorë, pozicion që iu besua Blendi Klosit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë