Njerez

In memoriam: Lumturi Blloshmi, një përzierje vaji dhe argjendi përjetësie

"Dekorata", pikturë e Lumturi Blloshmit, ndarë nga jeta më 27 nëntor, 2020

"Lume Blloshmi, forca shoqe!", shkruante ditë më parë piktorja Merita Selimi, e që përmes një fotografie ku shfaqej një pëllëmbë prej letre e pikturuar e një prej mishi rrekej t’i tregonte koleges dhe mikes se artistët e gjejnë gjithnjë rrugën për të qenë pranë, edhe kur masat anti-Covid i shtuan largësitë dhe i ndalën  takimet mes njerëzish.

Lumturi Blloshmi u nda nga jeta pas tri javësh betejë me virusin e ri, në mjediset e spitalit Infektiv. “Në kohë pandemie duhet diçka e rëndësishme të të ngrejë moralin”, shkruante vetëm pak kohë më parë intelektuali Shpend Sollaku Noé,  në një artikull të botuar në  gazetën “Dielli” në Nju Jork. “Është arti i saj dhe i atyre të paktëve që i ngjajnë Lumturi Blloshmit, që mund të na bëhet serum në këto kohëra kur vdekja e shpërfill kaq shumë ekzistencën tonë”, shkruante Sollaku duke e cilësuar të sajin një talent të jashtëzakonshëm dhe Blloshmin një grua të jashtëzakonshme “...i një vepre që tashmë e ka tejkaluar të vdekshmen. Ajo m’u gjend si një speranzë për barkën time që në këto ditë rrezikonte mbytjen në dallgët e lodhjes e të dëshpërimit”. Në moshën 76- vjeçare, Blloshmi ishte një luftëtare.

Autoportret, Lumturi Blloshmi

U lind në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, më 1944-n, pa e ditur ndoshta se do ta niste karrierën si piktore në vitet e vështira ’70,  ku udhëheqës të lartë të Partisë e të shtetit dhe artistë e shkrimtarë do të dënoheshin me burg nga diktatori. Mizorinë e regjimit të instaluar do ta ndiente në familjen e saj, kur i kushëriri, poeti Vilson Blloshmi u pushkatua me akuzat për agjitacion e propagandë, më 1977-n.

Ajo periudhë do ta bënte të diplomuarën në Akademinë e Arteve të përqendrohen tek peizazhet e portretet, me tone realiste dhe në linjën ideologjike për t’u ekspozuar në ekspozitat kombëtare.

Vilson dhe Lumturi Blloshmi

Të parën ekspozitë vetjake e çeli në Berat, më 1988-n dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë, në Egjipt. Por do të ishte pas viteve ’90 që ajo do të evidentohej si një piktore e spikatur e artit pamor bashkëkohor shqiptar, duke u etiketuar shpesh nga kritika edhe si një “Frida Kahlo” shqiptare . Ishte  ndoshta përzierja e vajit dhe argjendit në tablotë e saj, cikli i nudove qysh në fillim të ’90 .

Në pikturën e saj  vërehen shpërthime ekspresioniste dhe modelime monumentale të figurës, ngjeshje të formës që shoqërohet me sfonde të qetë njëngjyrësh, apo dhe me sfonde me dritë të qartë. Interesi i piktores për temat e rëndësishme sociale dhe shpirtërore shpalosen në zgjidhje të ndryshme kompozicionale në tablotë e saj “Martesa” (1995), “Misteri Biblik” (1995), “Etaloni perfekt” (1995), “Piktori i kryqëzuar” (1995). Cikli më interesant i kësaj periudhe  është ai kushtuar eksodit (ai përbëhet nga dy grupe në formë triptiku).

Hapësira vizuale, Lumturi Blloshmi

Piktorja Blloshmi është në këtë periudhë ndër të paktët artistë shqiptarë që pasqyrojnë me një gjuhë simbolike figurative eksodin e madh të shqiptarëve drejt Italisë të viteve 91 - 92. Në tablotë e saj (kolazhe) ajo është e papritur dhe përdor mbi telajo edhe sende e objekte të marra nga jeta. Megjithatë, ajo mbetet një piktore figurative që përcjell mesazhe të rëndësishme sociale me një gjuhë artistike bashkëkohore.

Dashuri, Urrejtje, Lumturi Blloshmi

Shpend Sollaku Noè përmend disa nga veprat e Blloshmit si “Dekorata”, ku shfaqet një qefin i pjesshëm, që nuk e ka mbuluar krejt kurmin e një gruaje në dukje të mumifikuar dhe dekorata e varur në gjininë e saj.  Këtu Blloshmi ngjason me Kahlon, e cila realizoi një sërë tablosh me temën e një fetusi të vdekur. Tema “Dashuri  e urrejtje”, është parë nga piktorja si dy kryet e shqiponjës, duke zgjedhur argjendin në vend të të zezës.

Në ekspozitën “Menu Kama Sutra”, ajo e sjell erosin përmes këmbëve të bretkosave, ku thuhet se me to shtroi banket për të ftuarit e ekspozitës.Regjisorja Nadire Buzo thoshte se Blloshmi si artiste, e shndërronte edhe një fenomen të çfarëdoshëm natyror në art.

Menu Kama Sutra, Lumturi Blloshmi

Ndaj ajo,pa se duke skuqur bretkosat u shfaq fenomeni i çuditshëm në tiganin mbi zjarr. Dhe pa u menduar gjatë, jo vetëm se bëri shaka me miqtë, por i lindi në çast mendimi se do të performonte një art të veçantë. “Dhe doli në ekspozitë. Sigurisht që këtë e bën një grua e madhe dhe pa komplekse, si Lumja, e cila ka një kulturë të madhe dhe të gjerë, filozofike dhe humane”, shprehej Buzo.

Homazh Damien Hirst, Lumturi Blloshmi

Një tjetër vepër e njohur e Blloshmit është  “Homazh Damien Hirst”?, ndërtuar me mjet kryesor artistik filtrat e cigareve.  “Tronditje prej domethënies, prej përkushtimit, prej lëngatës së përzgjatur që njeriu i shkakton vetvetes në lojën vetëshkatërruese që ai e konsideron jetë”, shkruan Shpend Sollaku Noè, ndërsaa përmendte se Blloshmi jetonte e vetme, në një apartament tëvogël në periferi të Tiranës. Për regjisoren  Nadire Buzo, e cila realizoi edhe një dokumentar për piktoren, Blloshmi i kundërvihej realitetit të hidhur me të gjitha forcat e saj krijuese dhe emocionale. Në vitet 1975- 1985 asaj ju ndalua të ekspozonte.

“Lumja e pranon ndryshim, “dua të ndryshoj shpesh”, thotë, por megjithatë është vetvetja. Pra mendimi i saj brenda subkoshiencës nuk ndryshon, megjithëse në procesin e ndryshimit, ndikimet e forta janë së brendshmi dhe së jashtmi. Për të parë metamorfozën e artistit duhen parë rrethanat në të cilat ai vepron”, shprehej Buzo.

Buron Kaceli, Shpend Sollaku dhe Lumturi Blloshmi

“Ndërsa për të tjerë ndërtohen muze për së gjalli, si shpërblim të besnikërisë politike. Ndërsa për të jetuar kanë hapësira që edhe vet nuk arrijnë t’i jetojnë. Kur do të mësojmë t’ua lehtësojmë krijimin gjenive tanë rebelë? Vijnë aq rrallë në jetët tona, saqë jemi ne që bëjmë vetëvrasje kur i shpërfillim”, e përfundonte artikullin e tij Sallaku, ndërsa Blloshmi e la këtë botë, më 27 nëntor të 2020-s.

“Mosss mi Lume Blloshmi mos!! Përqeshe vdekjen siç ti di ta besh dhe ngjitu lart në qiej te soji yt, ai i engjëjve të Artit. Lamtumirë”, shkruante ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Edhe ministrja Margariti shprehej e pikëlluar për ndarjen nga jeta të piktores.“Kur vizitova "Arkivin e hapur" në Galerinë Kombëtare të Arteve u ndala përpara bustit të saj.Një portret i skalitur ashtu si ishte arti dhe qëndrimi i saj estetik. Covid 19 na mori sot një tjetër emër të madh të artit shqiptar: Lumturi Blloshmin, ndër të paktat artiste pamore të brezit të saj, që sfiduan kohën, sistemet politike, ndryshimet e mëdha. Lamtumirë e shtrenjta Lume! Ti që na fole me veprën tënde më shumë se mijëra fjalë!”, shkruante ministrja e Kulturës.

Më 2016-n, ajo çeli në  Galeria Kombëtare e Arteve  ekspozitën vetjake me fotografi të instalacioneve dhe performancave të realizuara pas viteve ’90. Si një ditar i hapur, ato rikujtonin mesazhet e fuqishme artistike dhe sociale që Blloshmi i ka transmetuar publikut në ekspozitat e saj personale, apo në grup. Një ekspozitë që kritika e pa si një dëshmi të përforcuar se Lumturi  Blloshmi ishte  një nga artistet e para femra që solli mediumin e instalacionit dhe performancës në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë