Para

Huamarrja për blerje shtëpie rrit kredinë e individëve në gjysmën e parë të vitit

Banka e Shqipërisë raporton se kredia për individët rezidentë u zgjerua me 2.5% gjatë gjysmës së parë të vitit.

Rritja më e shpejtë ka qenë në kredinë për pasuri të paluajtshme, e cila ka pasur kontributin kryesor në ecurinë e kredisë për individët për gjashtëmujorin e parë të vitit.

Teprica e kredisë për pasuri të paluajtshme u rrit me rreth 3.5% gjatë periudhës dhe 6% krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 120 miliardë lekë.

Banka evidenton se gjatë periudhës 2015-2018 është vënë re rritje e vazhdueshme e kredisë për individë nga njëra anë, dhe pakësim i stokut të kredisë për biznese nga ana tjetër.

Sipas BSH-së, kjo ecuri, pavarësisht rifillimit të huamarrjes më të lartë nga bizneset, ka sjellë ndryshime në strukturën e kredisë sipas sektorëve, në favor të kredisë për individë. Kredia për individë në qershor 2020 zinte 34% të tepricës së kredisë, nga 27% në vitin 2015.

Kurse kredia për sektorin publik vijon të përbëjë një peshë shumë të ulët në totalin e kredive (3%), ndërkohë që gjatë vitit të fundit, kjo kredi është pakësuar me rreth 15%.

Ndërsa. kredia për subjektet jorezidente ka vijuar të shënojë rënie edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2020. Në fund të muajit qershor, kredia për jorezidentët ishte rreth 20 miliardë lekë dhe zinte 3.4% të tepricës së kredisë së sektorit bankar, nga 4% në fund të gjashtëmujorit paraardhës. Sipas sektorit, afatit dhe monedhës, rënia më e madhe është regjistruar në kredinë për bizneset, kredinë në monedhë të huaj dhe kredinë afatgjatë, të cilat janë kategoritë me peshë të madhe në stokun e kredisë për subjektet jorezidente.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë