Biznes

Histori e kompanive që fikën motorat e avionëve në Rinas

Kompania “Fly Ernest” ndërpreu papritur fluturimet nga Rinasi dhe dyshohet se pas ndërprerjes së aktivitetit fshihen vështirësitë financiare që po kalon kjo kompani. Nëse kompania falimenton, ajo nuk do të jetë as e para dhe me siguri as e fundit në listën e gjatë të kompanive që kanë provuar dhe më pas dështuar në tregun e transportit ajror në Shqipëri.

Kompania e parë private ishte “Albanian Airlines”. Ajo u themelua në vitin 1992 me kapital privat si trashëgimtare e “Arbëria Airlines”, që deri në atë kohë përdorej si kompani private fluturimesh vetëm për udhëheqjen komuniste të vendit.

“Albania Airlines” u ngrit si kompani e përbashkët mes shtetit shqiptar, që përfaqësohej në atë kohë nga “Albtransport” dhe kompanisë austriake “Tyrolean Airways”. Bashkëpunimi nuk zgjati shumë. Kompania u shit po brenda vitit 1992 tek grupi kuvajtian “M.A. Kharafi & Sons”, njohur në Shqipëri si “M.A.K Albania”.

Deri në vitin 1997, “Albanian Airlines” operonte me një avion të vetëm, “Airbus A320”, me kapacitet 195 pasagjerë. Në 2001, kompania zgjeron flotën me saj me katër avionë rusë të markës Tupolev, me kapacitet 84 pasagjerë, që të gjithë me qira nga kompania “Air Slovakia”.

Kjo ishte periudha e artë për këtë kompani, që nisi të mbulojë fluturimet direkt për Bolonja, Frankfurt, Stamboll, Prishtinë, Romë, Zyrih dhe më vonë edhe me fluturime për në Belgjikë. Megjithatë, pas 2009-ës, kompania nisi të shfaqë probleme financiare. Arsyet ishin të shumta, por kryesorja ishte qiraja e lartë që merrte “Air Slovakia” si dhe kostot e tjera të mirëmbajtjes dhe kontrollit të avionëve, që kryheshin deri vonë nga inxhinierë kanadezë.

Në 2011 iu hoq licenca e fluturimit për shkak të detyrimeve të prapambetura të paderdhura në arkën e shtetit, ndërsa në 2014, vetë kompania aplikoi në Gjykatën e Tiranës për të kërkuar shpalljen zyrtare të falimentit.

Në të njëjtën periudhë të nisjes së fluturimeve të “Albanian Airlines” nisi edhe “Ada Air”, por si nismë krejtësisht private mes një shtetasi francez dhe një shtetasi shqiptar, që me aksione të barabarta themeluan kompaninë në fjalë.

Ndryshe nga “Albanian Airlines”, “Ada Air” u përqëndrua kryesisht në tregun rajonal. Kompania fluturimet e para i kishte në drejtim të Barit dhe më vonë në drejtim të Prishtinës dhe Shkupit. Kompania ka përdorur një numër të kufizuar avionësh, mes të cilëve edhe një Fokker 100, të marrë me qira nga “Montenegro Airlines” dhe me staf malazez.

Veç këtij shërbimi, “Ada Air” ofronte edhe shërbimet “Charter” në Ballkan dhe në mbarë Europën. Shpalli falimenti në vitin 2007, pasi shtimit të konkurrencës në Aeroportin e Rinasit dhe futjes në treg të kompanive më të fuqishme ndërkombëtare.

“Albatros Airways” ka një histori më të shkurtër. Kompania në fjalë hyri në treg si një kompani me çmime të ulta, që do të transportonte pasagjerë nga Rinasi në disa destinacione në Itali dhe anasjelltas. Operoi për në Bari, Milano, Pisa, Rimini, Venecia, Verona dhe Peskara për dy vite, deri në shtator të 2006, kur ndërpreu aktivitetin për mospagesë taksash dhe tarifash.

Kompania e radhës ishte “Belle Air”. Hyri fuqishëm në treg në vitin 2005 me kartën “low cost”. Ashtu si kompanitë e tjera, edhe kjo kompani u fut në treg me avionë të marrë me qira, ku kostoja ishte e madhe e po e lartë ishin edhe kostot e mirëmbajtjes. Megjithatë, “Belle Air” nisi fluturimet për në Belgjikë, Gjermani, Greqi, Itali, Kosovë, Zvicër dhe në Britaninë e Madhe. Veç këtyre, themeloi edhe “Belle Air Europe” me zyra në Ankona të Italisë.

Gjithsesi, të gjitha këto nuk e shmangën falimentin. Kompania u mbyll në nëntor të 2013 duke deklaruar falimentimin. Avionët iu rikthyen kompanive që i ishin marrë me qira.

Në 2008 tregun sa joshës, aq edhe të paqëndrueshëm të fluturimeve nga Aeroporti i Rinasit do të provonte kompania “Star Airways”. E nisi aktivitetin me dy avionë të marrë me qira nga “Itali Airlines”, pasi dy avionët që bleu vetë nuk kishin marrë ende autorizimin për të kryer fluturime. Destinacionet ishin disa qytete në Itali dhe Stambolli, Antalia, Selaniku e deri tek Duseldorfi.

Megjithatë, në verën e 2010, Autoriteti i Aviacionit Civil i hoqi licencën dhe në shtator të po atij viti, edhe kjo kompani i fiku motorët e avionëve.

Këta janë emrat e disa prej kompanive, që tregojnë se tranzicioni i përgjithshëm i shoqërisë shqiptare është reflektuar edhe tek paqëndrueshmëria e tregut të fluturimeve ajrore. Por, ka edhe kompani të tjera që ose zgjatën shumë pak, ose nuk i ndezën kurrë motorët e avionëve të tyre, si “Scanderbeg Airlines” apo “Tafa Air”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë