Biznes

Bizneset shqiptare ‘të varura’ prej financimeve të huaja

Nga Gazeta 'SI' -Bizneset shqiptare e mbyllën pozitivisht 2023-shin, sipas një ankete të kryer nga Banka e Shqipërisë, por ngërçet operacionale mbeten rreziku më i madh për to, teksa rritet dhe varësia ndaj të huajve.

Banka e Shqipërisë thotë se pozicioni debitor i bizneseve u rrit me 17% gjatë 2023-shit, por nuk lidhet vetëm me kredimarrjen në bankat në vend. Ky zhvillim lidhet me rritjen e mëtejshme të detyrimeve në formën e investimeve të huaja, që përfaqësojnë mbi 90% të detyrimeve të bizneseve ndaj pjesës tjetër të botës.

Thellimi i pozicionit debitor të bizneseve ka reflektuar rritjen e varësisë ndaj burimeve të huaja të
financimit. Në fakt, në fund të vitit 2023, borxhi i jashtëm i sektorit të bizneseve shënoi rreth 2.4 miliardë
euro, nga të cilat një stok prej 1.7 miliardë eurosh ka formën e huave ndërkompani të lindura nga
marrëdhënia e investimit direkt. Pjesa më e madhe e rritjes vjetore të borxhit të jashtëm të bizneseve me
rreth 4% gjatë viteve 2022-2023, lidhet me zgjerimin e detyrimeve në formën e kredive tregtare.

Gjatë vitit 2023 kredia bankare për bizneset u rrit me 2%, dhe rritja në gjashtëmujorin e dytë ishte
më e shpejtë se në pjesën e parë të vitit. 36% e bizneseve deklarojnë se kanë një borxh të paguar.

BSH analizon se për 85% të bizneseve, borxhi është sa gjysma e kapitalit. Për 8% borxhi është sa kapitali dhe për 7% e tejkalon atë. Sipas sektorit, janë subjektet ndërtuese që kanë një barrë më të madhe borxhi; në 18% të rasteve është sa kapitali apo më i madh. Borxhi i bizneseve ndërtuese sipas grafikut është borxh i vjetër pasi në dy vitet e fundit kredimarrja e këtij sektori ka qenë minimal. Kredia për tregtinë, transportin dhe imobiliaret janë në masa më të mëdha.

Bizneset presin të rrisin kërkesën e tyre për kredi gjatë 2024-s, duke vazhduar të njëjtën tendencë si në 2023-shin. 43% e tyre mohojnë kategorikisht të marrin kredi gjatë këtij viti. Leku është monedha e preferuar për bizneset huamarrëse, deri në 61%.

94% e ndërmarrjeve të vrojtuara shprehen se kanë pasur fitim në gjashtëmujorin e dytë 2023. Të njëjtën gjë presin dhe për 2024-s, por në nivele më të ulëta. 

Për bizneset e vogla, “konkurrenca” dhe “gjetja e tregut” janë sfidat më të vështira, ndërsa për ndërmarrjet e mëdha “rritja e kostove të prodhimit dhe të punës” dhe “gjetja e stafit të kualifikuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë