Njerez

Hazizaj: Mosha seksuale në Shqipëri të rritet në 16 vjeç, mungojnë shërbimet në bashki për gratë e dhunuara

Nga Gazeta "Si"- Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, gjatë një seance dëgjimore në komisionin për punën, çështjet sociale dhe shëndetësinë ka kërkuar ndryshime ligjore për marrëdhëniet seksuale me të miturit, specifikisht rritje të moshës seksuale në 16 vjeç për të mbrojtur fëmijët.

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në nenin 100 të tij përcakton moshën 14 vjeç si mosha kufi minimale në të cilën një adoleshent apo adoleshente mund të hyjë në marrëdhënie seksuale.

Një ligj ky që sipas Hazizaj, mbron në raste pedofilie të rriturit që kryejnë marrëdhënie me të mitur.

“14 vjeç quhet fëmijë dhe jo të gjithë ato mund të kuptojnë periudhën e hyrjes në marrëdhëniet seksuale”, tha Hazizaj.

Hazizaj shton duke thënë se përveç vendeve të lindjes në Europë, tashmë pothuaj të gjitha vendet e tjera e kanë rritur moshën minimale kufi të hyrjes në marrëdhënie seksuale në 15 dhe 16 vjeç. Ka dhe vende që po diskutojnë që minimalen ta vendosin 17 apo 18 vjeç.

Bazuar në këtë përvojë, CRCA/ECPAT Shqipëri ka përgatitur propozimet ligjore që do ti drejtohen Kuvendit për të ndryshuar Kodin Penal ekzistues.

“Legjislacioni shqiptar duhet të jetë në linjë me kërkesat dhe standartet e Konventës së Lanzarote të Këshillit të Europës dhe direktivat e Bashkimit Europian”, tha Hazizaj.

Në vendin tonë, rastet e abuzimit me marrëdhëniet seksuale me të mitur të moshë 14 vjeç e sipër, janë rritur dhe janë kthyer në një ndër problematikat kryesore për opinionin shqiptar.

Hazizaj tregon se 82% e krimeve seksuale bëhen me njerëz nën moshën 18 vjeç dhe 64% nën moshën 14 vjeç.

Një problematikë tjetër që Hazizaj përmendi në Komision është dhe mungesa e shërbimeve në bashki për gratë e dhunuara.

“Nuk ka shërbime multidisiplinare nëpër bashki. Nuk ka baza të shërbimeve të mbrojtjes së grave dhe fëmijëve në bashki. Gjithashtu as  ndihma psikologjike nuk mund të merret nëpër bashki”, tha Hazizaj duke shtuar se aksesi për shërbime të ndryshme bëhet më i vështirë për vajzat nëpër rrethe.

Hazizaj përmendi edhe rastin e një nëne të re beqare e cila pasi u bë nënë, bashkia Tiranë vendosi ti heqë fëmijën dhe ta japë për birësim.

“Nëna kishte probleme mendore por të kapërcyeshme dhe sipas ekspertëve që e kishin ndjekur, ishte e aftë për të rritur një fëmijë. Por, sipas Hazizaj, ajo nuk mori mbështetje sociale por u vendos nga bashkia Tiranë që ti hiqej fëmija duke e lënë në gjendjen që ishte para se të mbeste shtatzënë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë