Rend dhe Ligj

Hapet gara për kryeprokuror, Arta Marku përballë prokurorit që e sfidoi

Këshillli i Lartë i Prokurorisë hapi zyrtarisht garën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me kohë të plotë, që do të pasojë Arta Markun, të zgjedhur që në 18 dhjetor 2017 si përkohësisht. Hapja e garës nënkupton shfaqjen e interesit nga ana e prokurorëve që plotësojnë kriteret ligjore për këtë pozicion, por zgjedhja e kryeprokurorit do të kërkojë ende disa javë të mira kohë.

Së pari janë afatet ligjore të vendosura. Duke filluar nga 1 prilli, kandidatët që dëshirojnë të kandidojnë për këtë post kanë 30 ditë kohë për ta bërë këtë, duke dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm.

Lajme të tjera, të lidhura:
- Arta Marku rikthehet në Kuvend për dosjet e hetuara në 2017
- Ditët që trazuan Prokurorinë
- Kërkohet shkarkimi i Arta Markut. KLP: S'e kemi kompetencë

Më pas, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka 45 ditë kohë për të shqyrtuar kandidaturat dhe pasi kalimit në sitë të tyre të votojë kandidatin fitues.

Për këtë proces, në mbledhjen e 19 marsit, KLP miraoti një rregullore të posaçme. Ajo parashikon 4 kriteret kryesore për vlerësimin e kandidatëve për, që nga aftësia e vlerësimi profesional, kriteri moral dhe i integritetit, vlerësimi organizativ dhe drejtues, si dhe elemente shtesë për vlerësim, që lidhen me përvojën, titujt akademikë apo jeta shkencore.

Deri më tani janë tre emra që kanë shfaqur interes për këtë post. Mes emrave është edhe kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, të cilës i bashkangjiten emrat e prokurorëve Olsian Çela dhe Adnan Xholi.

Kjo do të jetë “përballja” e dytë mes Arta Markut dhe prokurorit Olsian Çela. Ky i fundit ishte në listën e prokurorëve, që Arta Marku largoi nga Krimet e Rënda dhe e transferoi në rrethe. Transferimet u interpretuan si lëvizje të ambicies së Arta Markut për të kandiduar për Prokurore të Përgjithshme, si dhe parashikimet, që u provuan se përballë do të kishte si garues njërin prej prokurorëve të ndëshkuar prej saj, zotin Olsian Çela.

Çela, së bashku me prokurorin tjetër, Besim Hajdarmataj fituan në gjykatë pas përplasjeve që ata patën bashkë me kolegët e Krimeve të Rënda, kur dhe refuzuan të merrnin pjesë në një mbledhje, nga e cila duhej të vendosej me detyrim se kush do ta shpallte pretencën për Emjliano Shullazin.

E gjitha kjo solli një situatë të paprecedentë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me dy prokurorë të transferuar në rrethe, si formë ndëshkimi dhe 8 të tjerë me masa disiplinore. Sikur të mos mjaftonte kjo, Arta Marku e shpjegoi luftën në Prokurori përmes një letre publike, në të cilën tregoi se përse i largoi prokurorët nga Tirana, edhe pse ligji nuk e lejon të ndërhyjë pa pëlqimin e prokurorëve.

Më 21 janar 2018, Këshilli i Lartë i Prokurorisë shqyrtoi kërkesën e Olsian Çelës dhe Besim Hajdarmatajt për rikthimin tek krimet e rënda, në një kohë që gjykata shqyrtonte kërkesën e tyre për pavlefshmëri të urdhrit të transferimit të dhënë nga Arta Marku.

Mbledhja e zhvilluar me dyer të hapura pasqyroi përplasjen dhe dy qëndrime brenda këtij institucioni. Një pjesë e anëtarëve mbështetën urdhrin e Markut, ndërsa pjesa tjetër jo. Në fund, me 6 vota pro dhe 5 kundër, Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj u rikthyen tek Krimet e Rënda.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë