Rend dhe Ligj

Ditët që trazuan Prokurorinë

Kryeprokurorja Arta Marku raportonte ditën e enjte në Kuvend punën njëvjeçare të institucionit që ajo drejton prej 9 muajsh. Foli për punën e Prokurorisë në parandalimin e të gjitha llojeve të kriminalitetit dhe vështirësitë që hasin prokurorët në punën e tyre të përditshme.

Fjalimin e mbajti vetëm para deputetëve të mazhorancës, pasi opozita ishte mbledhur në Vlorë për të vazhduar traditën e “kuvendimeve” me qytetarët për të denoncuar atë që e quan “lidhja e qeverisë Rama me krimin”.

Kryeprokurorja e Perkohshme, Arta Marku, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku ka prezantuar raportin vjetor te Prokurorise se Pergjithshme mbi gjendjen e kriminalitetit per vitin 2017. Foto LSA

Raportimi i kryeprokurores mbërrinte një ditë pas një përplasje të fortë mes saj dhe një grupi prokurorësh të Prokurorisë për Krimet e Rënda, ku ndodhen dosjet më të bujshme në vend, si ajo “Shullazi” dhe ajo “Tahiri”.

Për këtë përplasje Arta Marku s’kishte detyrimin që ta raportonte në Kuvend dhe ‘sherri’ i korridoreve dhe zyrave mes prokurorëve ishte ende i panjohur për shqiptarët e thjeshtë. Por, Lulzim Basha nuk është një qytetar i thjeshtë. Ai është kreu i opozitës shqiptare dhe burimet e informacionit nuk i mungojnë. Një i tillë i kishte raportuar përplasjen brenda Prokurorisë dhe thuajse në të njëjtën kohë kur Arta Marku fliste nga foltorja e Kuvendit, ai e interpretonte nga Vlora ngjarjen.

“Keni parë se çfarë ka ndodhur dje në gjyqin e Emiliano Shullazit, bllokuar prej tre muajsh, që nga qershori.?! Dje e gjithë trupa e prokurorëve ka refuzuar duke u larguar nga mbledhja, farsën e organizuar nga kamikazja , ushtarja e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Donika Prela, për gjoja një short të ri, për të caktuar prokurorë të rinj të çështjes.Sot gjyqi ndaj kryebanditit Shullazi është pa prokuror”, deklaroi ai.

Këtë e lexonte si vepër të Edi Ramës me reformën në drejtësi, që sipas tij është kthyer në një instrument të politikanëve të lidhur me krimin.

Mjaftoi kjo deklaratë që në media të niste zbardhja me shpejtësi e gjithë asaj që kishte ndodhur në korridoret e zyrat e Prokurorisë për Krimet e Rënda. I gjithë sherri kishte nisur nga thërritja e një mbledhjeje nga ana e drejtueses së komanduar në Prokurorinë për Krimet e Rënda, Donika Prela. Mbledhja ishte thërritur fillimisht në orën 15:00 të 18 shtatorit, por për shkak se në të mungonin një numër i madh prokurorësh, ajo u shty për në orën 09:00 të datës 19 shtator.

Këtu, drejtuesja e kësaj prokurorie kishte njoftuar kolegët e vet për hedhjen e shortit për caktimin e prokurorëve të rinj të dosjes “Shullazi”, gjykimi i së cilës ka mbërritur në fund dhe ka mbetur vetëm seanca për dhënien e pretencës nga ana e organit të akuzës.

Pretenca, pra kërkesa e Prokurorisë drejtuar gjykatës se a duhet dënuar Emiljano Shullazi, apo jo dhe nëse duhet dënuar sa duhet të jetë masa, duhej të ishte dhënë që në datën 11 shtator. Por, në këtë datë, prokurori i çështjes, Eneid Nakuçi me arsyetimin se u sëmur kërkoi leje 6-mujore.

Shortin e thërritur nga Donika Prela e kundërshtuan dhjetë prokurorë. Prokurorët Përparim Kulluri, Behar Dibra, Sonila Muhametaj, Olsian Çela, Edvin Kondili, Arenc Çela, Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Besim Hajdarmataj dhe Blerim Tominaj u larguan në grup nga mbledhja.

Prokurori Besim Hajdarmataj

Përpjekjet e prokurorisë për Krimet e Rënda për ta mbajtur të fshehtë këtë “rebelim” dështuan. Burime nga ky institucion thonë se refuzimi i prokurorëve është shoqëruar me debate të ashpra dhe deri në përleshje fizike mes Donika Prelës dhe prokurores Sonila Muhametaj. Ky informacion i pakonfirmuar zyrtarisht përforcohet më shumë nga mbërritja me shpejtësi e forcave të policisë në godinën e këtij institucioni dhe në krye të tyre ishte vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Vetë Donika Prela ka kërkuar ndihmën e eprores së saj, Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku. Kjo e fundit ka ndërhyrë duke kërkuar nisjen e masave disiplinore ndaj grupit të dhjetë prokurorëve, ndërsa dosja “Shullazi” priste të mësonte emrat e atyre që do të jepnin pretencën.

Lëvizja e Markut për të ndëshkuar prokurorët që iu kundërvunë u refuzua nga prokurori Sokol Stojani. Ky i fundit, i njohur deri dje si krahu i djathtë i Prokurores së Përgjithshme mbante detyrën e kreu të Drejtorisë së Inspektimit në Prokurori, pra post që i ngarkonte si detyrë hetimin disiplinor për kolegët e tij. Kërkesa e Arta Markut është refuzuar dhe fillimisht qarkulloi lajmi se Stojani ishte dorëhequr, ndërsa zyrtarisht Prokuroria doli me një deklaratë ku njoftonte shkarkimin e tij.

Dosja “Shullazi” priste ende të njihte emrat e prokurorëve që do ta përfaqësonin organin e akuzës në seancën e pretencës. U përfol se Arta Marku mund të thërriste në ndihmë Esmeralda Imerajn, aktualisht kryeprokurore e komanduar në Prokurorinë e Tiranës, e cila e ka hetuar këtë dosje dhe ishte në brendësi të saj.

Emiljano Shullazi gjete nje seance gjyqesore ne procesin e famshem qe mban emrin e tij

Por, një njoftim tjetër i Prokurorisë deklaronte se ishte gati grupi i prokurorëve që do të japin pretencën për Emiljano Shullazin dhe grupin e tij dhe emri i Imerajt nuk ishte. U tha se ishin katër prokurorë, emrat e të cilëve do të mësohen në seancën e radhës gjyqësore, e parashikuar më 25 shtator. Zyrtarisht nuk ka një konfirmim, por jozyrtarisht Top Channel thotë se dy prej tyre do të jenë vetë drejtuesja e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela dhe prokurori Gentian Osmani.

Masat ndëshkimore për prokurorët e vënë nën hetim nga Arta Marku për shkelje të disiplinës nuk janë dhënë ende, por për tre prej tyre pasojat i ndjenë menjëherë. Prokurorët Olsian Çela, Sonila Muhametaj dhe Besim Hajdarmataj u transferuan në rrethe, përkatësisht në Berat, Pukë dhe Pogradec.

E gjithë “zallamahia” e asaj që kishte ndodhur mes prokurorëve më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë shqiptare u sqarua më me detaje ditën e premte, dy ditë pas përplasjeve. Fillimisht ishte grupi i prokurorëve rebelë që dolën me një deklaratë të shkurtër, që i drejtohej edhe Ambasadës Amerikane dhe zyrës së Bashkimit Europian në Tiranë.

Në letër jepnin argumentet e tyre se përse shorti ishte i parregullt dhe se procedimet disiplinore të nisura ndaj tyre pretendonin se janë të paligjshme, pasi Arta Marku, si Prokurore e Përkohshme nuk i ka kompetencat për nisma të tilla.

“Prokurori i Përgjithshëm nuk ka kompetenca për të nisur procedim disiplinor deri në krijimin e organeve të reja”, thuhet në reagim.

Reagimi i kolektiv i 10 prokurorëve thotë më pas se transferimi i tyre nëpër rrethe nga Arta Marku është antiligjor.

“Ligji nuk lejon asnjë transferim, apo komandim të magjistratëve pa pëlqimin e tyre. Përmes këtij veprimi antiligjor me natyrë ndëshkuese, cenohet tërësisht pavarësia e magjistratëve duke krijuar një precedent të rrezikshëm pasi e kthen organin e prokurorisë në modelin e vjetër hirearkik dhe të centralizuar”, thuhet në të.

Deklarata e tyre konfirmon të gjitha ato që ishin raportuar në media, duke filluar që tek kundërshtimi i hedhjes së shortit e deri tek përplasja me Donika Prelën. Për prokurorët, hedhja e shortit për dosjen “Shullazi” ishte i panevojshëm, përsa kohë prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi vazhdonin të ishin prokurorë të çështjes e për më tepër, prokurori Besim Hajdarmataj një ditë më parë dhe përmes një akti me shkrim kishte shprehur vullnetin Donika Prelës për të vazhduar përfaqësimin e çështjes “Shullazi”.

Forcat Shqiponja te Policise se Shtetit ne porten hyrese te Prokurorise per Krimet e Renda

Hedhja e shortit dhe caktimi i 4 prokurorëve për këtë çështje, cilësohet nga 10 prokurorët si rikthim në fazën fillestare të procesit.

“Hedhja e shortit dhe ideja vijuese për krijimin e një grupi hetimor prej 4 (katër) prokurorësh në gjykimin e një çështjeje penale, vinte në momentin kur çështja në fjalë ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare, dhe grupet hetimore krijohen në fazën e hetimit dhe jo në fazën e gjykimit, aq më pak në fazën e diskutimeve përfundimtare”, thotë deklarata e tyre.

Me bindjen se kishte të drejtë në vendimin e saj, Arta Marku jepte versionin e saj duke mos iu drejtuar përfaqësive të huaja apo institucioneve të tjera të vendit, por qytetarëve. Ndëshkimin e nisur për prokurorët që e sfiduan e justifikon me ligjin për prokurorinë, por i referohet edhe Kushtetutës.

“Këta prokurorë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin që i detyron të jenë pjesë e shortit, për sa kohë janë prokurorë të asaj prokurorie, duke vepruar në kundërshtim të hapur me detyrimin kushtetues, sipas të cilit “Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit…”, thotë ajo.

Risia në mesazhin e Arta Markut nuk ishte më caktimi i prokurorëve të rinj për dosjen ‘Shullazi’, por zëvendësimi edhe i grupit të prokurorëve që po hetonte dosjen ‘Tahiri’, me një grup tjetër që do ta shqyrtonte këtë dosje nga fillimi.

“Për çështjen Shullazi ku një grup i caktuar prokurorësh refuzuan të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore, është caktuar një grup prokurorësh për të përfaqësuar akuzën në gjykim. Po ashtu, një grup tjetër prej 4 prokurorësh po merret me çështjen Tahiri, nga momenti i regjistrimit të saj”, thotë ajo.

Moisi Habilaj, i arrestuar nga policia italiane ne Katania per trafik nderkombetar droge

Mbrëmjen e së premtes, rastësi apo jo, u bë publik vendimi i Gjykatës për Krimet e Rënda, që autorizonte kërkesën e prokurorëve për sekuestrimin e pronave të Habilajve, me të cilët akuzohet se ka bashkëpunuar ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në trafikun e drogës. Kërkesa ishte dorëzuar në gjykatë nga grupi i zëvendësuar nga Arta Marku në këtë dosje.

Një tjetër rastësi është se fill pas vendimit për sekuestrimin e pasurive të Habilajve, Prokuroria për Krimet e Rënda finalizon me Policinë e shtetit operacionin e koduar “Oazi”, ku 11 persona përfunduan në pranga, përfshirë Safet Bajrin, i njohur si i “forti” i Shkodrës. Grupi akuzohet për vepra që shkojnë nga kanosja, e deri tek trafiku i drogës dhe prostitucionit e vrasjet.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/268949630408431/

Çfarë tha politika?

Lulzim Basha e paralajmëroi që të enjten nga mbledhja e opozitës së bashkuar në Vlorë.

“Sot gjyqi ndaj Shullazit është pa prokuror. Kjo është vepra e Edi Ramës me reformën në drejtësi. Nga një instrument i drejtësisë, është shndërruar në një instrument të drejtësisë të politikanëve të lidhur me krimin”, vijoi ai.

E dinte se çfarë kishte ndodhur deri në ato momente, por jo se çfarë do të ndodhte në 24 orët e ardhshme, që do preknin edhe dosjen “Tahiri” dhe kësaj teme iu rikthye në tryezën e organizuar nga forumi i grave demokrate në bashkëpunim me gratë demokrate të Partive Popullore Europiane. Basha thotë se Arta Marku me “një gur, vrau dy zogj”.

“Prokurorja e kapur politike, shërbëtorja e Edi Ramës, me një të rënë të lapsit, ka lënë pa prokuror të çështjes, çështjen e Saimir Tahirit dhe çështjen e Emiliano Shullazit. Siç kemi paralajmëruar, roli i saj është të shkatërrojë hetimet kryesore të politikanëve të lidhur me krimin dhe të banditëve të lidhur me politikën”, tha ai.

Kreu i PD, Lulzim Basha dhe ish-eurodeputetja, Doris Pack

Këtë deklaratë e bëri me në krah Doris Pack, kryetarja e Forumit të Gruas të së djathtës europiane. Ish-eurodeputetja gjermane më herët kishte vizituar Shkodrën, ku shprehu shqetësimin për gjendjen e kriminalitetit në vend. Tha se i vinte keq dhe ndjehej e tronditur që Shkodra kishte përfunduar në duart e mafias dhe për këtë qëndrim mori cilësimin “pensioniste” nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Nëse opozita drejton gishtin e fajësisë nga mazhoranca për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë, për vetë mazhorancën ngjarjet në Prokurorinë për Krimet e Rënda janë “çështje të brendshme të një institucioni të pavarur”.

“Prokuroria është organ i pavarur dhe çdo lloj ndërhyrje nga ana jonë do të ishte vetëm në shkelje të detyrimeve tona kushtetuese. Është organ që e vendos vetë ecurinë e punës brenda tij”, deklaroi deputetja socialiste, Ermonela Felaj.

Deputetja e PS Ermonela Felaj. Foto LSA

Por, nëse Felaj shmangu ndërhyrjen, nuk ja doli dot mbanë që të shmangte edhe komentin për lëvizjet e Arta Markut.

“Shoh që është marrë një masë dhe ka pasur një përgjigje për situatën lidhur me Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe më duket mëse e natyrshme dhe mëse e ligjshme për t’u marrë si masë, absolutisht”, tha ajo.

Ajo që për mazhorancën shihet si e drejtë, për opozitën është një shkelje e rëndë e Arta Markut. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim lanë menjanë deklaratat dhe reagimet për gjithçka ndodhi dhe konkretizuan një padi kundër kryeprokurores.

Opozita i cilëson lëvizjet e paligjshme të prokurorëve të urdhëruara politikisht dhe paditi kryeprokuroren për shpërdorim detyre,

“Pasi ajo vendosi të shpërbëjë tërësisht grupin e prokurorëve të çështjes penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Arta Marku ka ndërhyrë në mënyrë aktive për dështimin e hetimeve ndaj tij. Fillimisht, largoi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke komanduar si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, znj. Elisabeta Imeraj, Më pas, transferoi edhe prokurorin tjetër të çështjes, z. Besim Hajdarmataj nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Pogradecit. Lëvizja dhe transferimi i prokurorëve që udhëheqin çështjen penale të Saimir Tahirit, është një veprim aktiv dhe i kundërligjshëm, që bëhet me qëllimin e plotë të dështimit të hetimeve dhe përbën pa asnjë dyshim pengim të drejtësisë. Kjo lëvizje vjen në një kohë ku afati ligjor i hetimeve është drejtë përfundimit dhe prokurorët do të duhet të dalin me konkluzionin përfundimtar mbi këtë hetim”, thotë opozita.

Faksimile e nje pjese te kallezimit te PD e LSI ndaj Arta Markut

Kallëzimi është dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës, pikërisht në atë institucion që sot drejtohet nga Esmeralda Imeraj, institucioni i së cilës duhet tashmë të shqyrtojë padinë e ngritur nga opozita për eproren që e komandoi aty.

Ky ishte akti i fundit i një jave të ngjeshur, ku lajmin këtë herë e bëri Prokuroria, ndërsa politika e përcolli atë sipas agjendës së saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë