9 muaj pasi u emërua si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme mes flakadanëve dhe protestës së opozitës, Arta Marku do të rikthehet në atë që për opozitën është ‘skena e krimit e vrasjes së reformës në drejtësi’ dhe për mazhorancën Kuvendi i Shqipërisë.
Në kalendarin e punimeve për këtë të enjte, është përfshirë raportimi i kryeprokurores Arta Marku për punën e institucionit që ajo drejton për vitin 2017. Në fakt, raporti nuk është një pasqyrim i punës së Arta Markut, pasi vetë ajo e ka marrë këtë detyrë më 18 dhjetor, në fund të vitit.
Qëndrimi i opozitës nuk dihet ende nëse do të marrë pjesë në seancën plenare, apo do të vazhdojë seancat plenare paralele, të mbledhjes së grupeve parlamentare nëpër rrethe, ku këtë herë pritet të jetë Vlora. Por, vecc raportimit të Arta Markut, në rendin e ditës është edhe projektligji i rishqyrtuar i Teatrit Kombëtar, ccka mund të bëjë që opozita të braktisë, të paktën përkohësisht mungesën dhe të rikthehet në sallën e Kuvendit për t’u përballur me mazhorancën.
Por çfarë thotë raporti i dorëzuar nga Prokuroria e Përgjithshme për kriminalitetin në vend në krahasim me vitet e kaluara?
Korrupsioni
Prokuroria thotë në raport se përgjatë 2017 ka patur 12 procedime penale, nga të cilat tre janë korrupsion i funksionarëve të lartë shtetërorë, ose i të zgjedhurve. Në total, vepra penale e korrupsionit ka njohur një “bum” rritjesh procedimesh në krahasim me 2016.
“Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2017 ka patur një rritje prej 69.6 për qind të numrit të procedimeve të regjistruara për veprat penale të korrupsionit në krahasim me vitin 2016”, thotë raporti.
Rritja më e madhe ka ndodhur për veprën penale të parashikuar nga neni 244 të Kodit Penal, “korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Prokuroria thotë se ka regjistruar 124 procedime të tilla, një rritje me 164 për qind në krahasim me vitin 2016.
Por, numri i zyrtarëve të lartë që janë ndjekur me këtë akuzë numërohen me gishtat e njerës dorë. Prokuroria thotë se janë 3 procedime të tilla, vetëm një më shumë se viti 2016.
Në sistemin e drejtësisë është vetëm një dosje e ndjekur nga prokuroria dhe ajo është me katër të pandehur. Bëhet fjalë për dosjen e ish-gjyqtarit Shkëlqim Miri, dosje që është ende në gjykim.
Dosjet ndaj grupeve kriminale
Në këtë sektor të raportit numri i procedimeve penale për 2017 është i barabartë me atë të 2017. 17 të tilla me 34 të pandehur në total të akuzuar për veprën penale “grup i strukturuar kriminal” kanë përfunduar në gjykatë.
Raporti vëren se ka një rritje të cilësisë së hetimit dhe thotë se në 63.3 për qind të rasteve është vendosur masa e sigurisë arrest me burg, ose dënimi përfundimtar me maksimumin e sanksionit të parashikuar për veprat penale konkrete.
Dosjet e drogës
Në këtë sektor pasqyrohen pasojat e 2016-s, kur në Shqipëri pati një ‘bum’ të kultivimit të kanabisit. Prokuroria thotë se ka një rritje me 15,4 për qind të procedimeve penale për akuzën e prodhimit dhe të shitjes së narkotikëve, konkretisht nga 1034 raste në 2016, në 1193 për 2017.
Por, ulje drastike ka patur tek procedimet me akuzën vetëm të kultivimit dhe një pjesë e mirë e këtyre procedimeve janë të bartura sërish nga vitit 2016. Raporti thotë se për kultivim të bimëve narkotike janë proceduar në gjykatë vetëm 375 dosje, nga 1606 që ishin për 2016.
Prokuroria kujton se ka paraqitur në gjykatë katër kërkesa për sekuestrim pasurie dhe shtatë të tjera për konfiskim të tyre në kuadër të ligjit antimafia.
Numri total i dosjeve të përfunduara për vitin 2017 është pak më shumë se 30 mijë. Barrën më të madhe të ngarkesës, me mbi 75 për qind të tyre e kanë patur prokuroritë e rretheve, ku përplasen fillimisht qytetarët dhe Policia e Shtetit. Në këto prokurori gama e veprave zgjerohet nga ato penale, si vrasjet, plagosjet e të tjera, e deri tek kundërvajtjet.
Prokuroria kujton se ka qenë aktive me hetimet e saj edhe përmes përgjimeve, ku në mbi 2400 raste ka marrë autorizimin për të përgjuar persona të dyshuar si të përfshirë në aktivitete kriminale.
Dekriminalizimi
Në total, Prokuroria thotë se ka kryer verifikim të thelluar për 563 raste. Nga këto, 487 raste kanë përfunduar dhe 76 të tjera janë ende në proces verifikimi. Prokuroria kujton se në dy raste i ka kërkuar KQZ-së heqjen e mandatit të dy deputetëve, Gledion Rehovica nga LSI dhe Aqif Rakipi nga PDIU. Në të dyja rastet, KQZ u hoqi mandatin deputetëve.
Në total, Prokuroria thotë se për vitin 2017 numri i të pandehurve që janë dërguar për gjykim në gjykatë është ulur me 14.5 për qind krahasuar me vitin 2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.