Lajme

Kërkohet shkarkimi i Arta Markut. KLP: S’e kemi kompetencë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e radhës, të zhvilluar paraditen e kësaj të premteje, diskutoi kërkesa e opozitës për shkarkimin e kryeprokurores Arta Marku. KLP konsideron se nuk është në kompetencën e tij përgjigjja për shkresën për shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm. Sipas anëtarëve të Këshillit, shkresa ka natyrë administrative, jashtë kompetencave të KLP-së.
Kryetarët e dy grupeve parlamentare, Petrit Vasili nga LSI dhe Edmond Spaho nga PD, dorëzuan në datën 29 janar padinë ndaj Markut.
Sipas padisë, “Arta Marku është e ngarkuar me detyrë nga ligji që të verifikojë integritetin e figurës për të gjithë ata që kandidojnë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, por në rastin e Bujar Sheshit nuk e ka përmbushur këtë detyrim ligjor”.
Po ashtu në mbledhjen e sotme, KLP ka miratuar Altin Dumanin si drejtues të ri në Prokurorinë e Apelit të Krimeve të Rënda. KLP votoi unanimisht kandidaturën e Altin Dumanit, i cili zëvendëson në këtë detyrë Artan Bajramin që u shkarkua nga KPK në kuadër të vettingut. Në mbledhjen, e cila zhvillohet vetëm një ditë pas mbylljes së afateve ligjore të aplikimeve për në SPAK, janë miratuar komandimi i 6 këshilltareve pranë KLP.
Këshilltarët e miratuar pranë KLP janë Arjan Muçaj, Artur Cara, Mirela Kapo, Mihallaq Bleta, Vitjuna Mata dhe Ornela Rrumbullaku.
“Këta prokurorë të komanduar pranë KLP, nuk duhet të cenojnë mbarëvajtjen e veprimtarisë së prokurorive nga ku po vijnë”, mësohet të jetë shprehur kreu i KLP, Gent Ibrahimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë