Njerez

Guruja që gjunjëzoi ca zonja në Tiranë

Të devotshmit e promovojnë si përjetim i dashurisë hyjnore. Skeptikët, si një sharlatanizëm dhe mashtrim, veshur me aurën e ekzotizmit oriental, që ka mësyrë Perëndimin qysh prej epokës së Kundërkulturës së viteve ’60. Me një prani në 80 shtete, me 30 tempuj dhe manastire në të gjithë botën, Lëvizja Bhakti Marga, e themeluar nga i ashtuquajturi lider shpirtëror, Paramahamsa Vishwananda, ka një seli të sajën edhe në Shqipëri, ndërsa ky lider, i lindur në ishujt Mauritius, vizitoi Tiranën pak ditë më parë. Ishte pikërisht kjo vizitë, më saktë pritja ceremoniale në aeroportin “Nënë Tereza” , ku një grup besimtaresh – udhëhequr nga bashkëshortja e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri – këndonin në kor këngë në gjuhën hindi e ndërsa udhëheqësi i tyre shpirtëror doli nga portat e aeroportit, zonjat që kishin dalë ta prisnin, u ulën secila duke i puthur këmbët, në shenjë adhurimi. Videoja me këtë pamje, xhiruar nga qytetarë që udhëtonin apo prisnin njerëz në aeroport, bëri xhiron e rrjeteve sociale, bashkë me komentet e gjithfarëllojshme.

https://www.youtube.com/watch?v=ophO41ugmQU

U tha se bëhej fjalë për një mashtrues, i akuzuar në disa vende të Bashkimit Europian se ka përvetësuar para përmes mashtrimit, dikur tjetër thuhet se mbi të rëndojnë akuza mbi sjellje të pahijshme dhe abuzime seksuale me besimtarët e tij – kryesisht meshkuj të rinj –dhe se është në hetim edhe nga autoritetet indiane. Një portal online, “cultnews101”, shkruan rreth Vishwananda -s se rrethohet prej akuzave, për abuzime seksuale, qysh prej viteve 2000, por nuk është akuzuar formalisht deri më tani.   

Një forum kushtuar religjioneve, shkruan se ishte pikërisht kjo arsyeja – e abuzimeve seksuale – që e bëri Vishwananda -n, emri i vërtetë i të cilit është Visham Komalram, të largohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ta vendosur selinë qendrore të lëvizjes së tij shpirtërore në Europë. Manastiri apo siç njihet në gjuhën mes besimtarëve, ashrami, më i madh i kësaj lëvizjeje ndodhet në periferi të Frankfurtit. Të shpërndarë në Gjermani janë edhe tre ashramë të tjerë, ndërsa afro tridhjetë mësues dhe ndihmës, të njohur si swami dhe swamini, ndihmojnë në përhapjen dhe drejtimin e kësaj lëvizjeje, të strukturuar në nivel global, prej vitit 2005.


Lideri shpirtëror i Bhakti Margas Paramahamsa Vishwananda,


Lideri shpirtëror i Bhakti Margas, ishte dikur dishepull i gurusë Sri Sathya Sai Baba dhe, pas ndarjes prej tij, më 2005-ën themelon organizatën vetjake, me emrin “Bahkti Marga” që, siç përshkruhet në faqen online të degës shqiptare të kësaj lëvizjeje, është rruga e dashurisë dhe e përkushtimit, “një udhëtim nga mendja në zemër, ku takojmë Dashurinë e Vërtetë dhe Hyjnoren tonë”. Më 2007-ën, Vishwananda do të shpikte një metodë krejt të tijën, fillimisht të emërtuar si  Bhakti Kriya e më pas, në Atma Kriya. Ai udhëton në të gjithë botën duke e paraqitur veten si një Avatar i Purna-s, mishërimi i Zotit dhe bën besimtarë. Librat rreth lëvizjes Bhakti Marga, bazuar në mësimet e Paramahamsa Vishwananda -s, gjenden në më shumë se 20 gjuhë, të botës.
Në Tiranë, erdhi për të mbajtur një seminar, njohur në gjuhën e besimtarëve si darshan, për të devotshmit dhe ata të interesuarit për të gjetur, sipas tij, rrugën e përndritjes shpirtërore. Takim ky, që u promovua nga disa prej besimtarëve e po ashtu nga bashkëshortja e zotit Gjiknuri, Rovena Agolli, në jetëshkrimin e shkurtër në profilin e saj të Facebook-ut, shkruan se është besimtare e kësaj lëvizjeje dhe liderit Paramahamsa Vishwananda, si edhe mësuese joge e metodës Atma Kriya, shpikur pikërisht nga lideri i saj shpirtëror.

Bashkëshortja e ministrit Gjiknuri, Rovena Agolli, së bashku me një besimtare të Bhakti Marga 

Pak dihet sesi të devotshmit shqiptarë kanë rënë në gjurmët e liderit, që thuhet se bazën e tij e ka prej vitesh në Gjermani dhe sesi është themeluar kjo lëvizje apo sekt fetar në vendin tonë, por me botën e globalizuar dhe teknologjinë e informacionit, kushdo mund të bjerë në gjurmët e asaj kulture indiane, dikur të largët. Megjithatë, lëvizja Bhakti Marga është një degë e veçantë e hinduizimit, me një kult mbi zotin vetjak dhe kërkimin e rrugës personale shpirtërore. Sipas ligjit të Republikës së Shqipërisë mbi komunitetet fetare, sektet organizohen dhe veprojnë në bazë të traditave dhe të rregulloreve të tyre, në qoftë se këto nuk vijnë në kundërshtim me ligjet e shtetit dhe rendin publik dhe zakonet e mira. Rregulloret e këtyre sekteve, pasi pranohen nga organi më i lartë i komunitetit fetar në të cilin bën pjesë, duhet të aprovohen edhe nga Këshilli i Ministrave Megjithëse Shqipëria njeh zyrtarisht pesë besime fetare mes tyre ai Mysliman, Bektashi, Katolik, Ortodoks dhe Ungjillor dhe ku, gëlojnë dhjetëra sekte nga Dëshmitarët e Jehovait, Mormonët, Bahai e të tjerë, nuk dihet të ketë pasur, të paktën deri kohëve të fundit, praktika të fesë Hindu, në vendin tonë. Megjithatë, sipas ligjit shqiptar, sektet fetare fitojnë cilësinë e personit juridik në vete. Edhe nëse nuk është i njohur si sekt, por si lëvizje apo organizatë, edhe për këtë ligji parashikon se formimi i shoqatave dhe i organizatave me qëllime fetare-morale si dhe botimi i librave për mësim fetar, iu shtrohen ligjeve të përgjithshme të shtetit dhe rregulloreve administrative. Ligji parashikon edhe që komunitetet fetare ose degët e tyre - urdhra, shoqata, misione fetare - që kanë qendrën e tyre jashtë shtetit, nuk mund të hapin në Republikën Popullore të Shqipërisë degë, si urdhra, misione, institute mirëbërëse e të tjera të këtij lloji dhe ato që ekzistojnë, mbyllen brenda një muaji nga hyrja në fuqi.

Beatle me Maharishi Yogi, me 1967-ën, gjatë vizitës në Indi. 


Bota perëndimore (megjithëse Shqipëria përkufizohet gjeografikisht dhe gjeopolitikisht si vend i Europës juglindore, por shumë perëndimore në orientim horizonti gjeografik me Indinë), është joshur nga hinduzimi në shkallë të gjerë; nga teknikat e jogës dhe meditimit, deri tek kultura popullore në muzikë dhe në modë.Kjo kulturë e Lindjes u importua fillimisht, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Brezi i Bitnikëve, përfaqësuar nga poetët Allen Ginsberg, Jack Kerouac dhe William S. Burroughs në vitet ’50, që shfaqën interes për religjionet e Lindjes, veçanërisht atë Zen. Pasi anëtarët e grupit britanik “Beatles” vizituan Indinë për të studiuar meditim transcendental, pati një ekspansion të shpejtë në interesin mbi Hinduizimin. Të rinjtë drejtoheshin në Lindje, në ato që quheshin “shtigjet Hippie”, duke kërkuar ndriçim shpirtëror si arratisje e stilit material të jetesës, në perëndim.

Ata nisën të jetojnë në ashramë, manastire, për të eksperimentuar me drogat, çlirimin seksual, mjekësinë ajurvedike dhe jogën. E gjithë kundër kultura e viteve ’60 e më vonë, vitet ’70, u përkufizuan fort nga hinduzimi dhe kultura indiane. Vitet 2000 i kthyen sërish sytë nga praktikat orientale, ku meditimi, joga, reiki dhe spiritualizmi i frymëzuar nga hinduizimi apo edhe budizmi, janë tashmë të arritshme për këdo, që kërkon jo vetëm shpirtëroren, por edhe mirëqenie fizike, duke e praktikuar jogën edhe si thjesht fizkulturë. Shumë e konsiderojnë Vishwananda-n si kopjen e Sathya Sai Baba, që po si ai pretendon t se vjell vezë të arta, hirin e shenjtë të njohur si vihbuti dhe gurët e shenjtë prej ai. Gjithashtu u jep gjerdanë besimtarëve të tij, që i fsheh nëpër rrobat e tij përpara se të pretendojë se i materializon.


Akuza, të mbetura deri më tani si hamendësime dhe spekulime, kanë shkuar deri aty duke thënë se ai i përfton artefaktet, duke i vjedhur nga kishat katolike. Një gjykatë zvicerane më 2007-ën, zbuloi se e kishte bërë këtë në 23 kisha, kryesisht rreth vitit 2001.Gjatë një vizite që ky lider, pati në Poloni, presidenti i një lëvizjeje tjetër, derivuar nga hinduizmi, njohur si Maha Sabh, do të shprehej se megjithëse lëvizja e tij nuk kishte të bënte me atë të Bhakti Marga, ai do të hetonte akuzat e ngritura rreth Vishwananda -s dhe, nëse do të gjente fakte, do t’i ngrinte ato në nivel qeveritar. “Do të hetojmë dhe, nëse janë të sakta, do t’u qasemi organizatave për të anuluar vizitën dhe do të shkojmë në Departamentin e Punëve të Brendshme”, ka thënë presidenti i quajtur Trikamjee.

Por një mësues i lëvizjes Bhakti Marga, i njohur si Swami Vishwachakradharananda, do t’i quante akuzat për liderin shpirtëror si sulm i ligë, për ta diskretituar atë. “Gjatë historisë në kohët e Ramës, Krishnës dhe Jezusit, shumë kanë kërkuar t’i diskreditojnë ata që vërtet kanë ardhur për të shërbyer. Jezusi u kryqëzua”, do të thoshte ky swami. “Kohëve të fundit, Swami Nithyananda, Swami Vishwananda dhe Sri Sathya Sai Baba janë mes atyre që kanë pësuar akuza në të gjitha niveleve. Janë shkruar madje edhe libra, në përpjekje për të përqeshur këta shpirtra të mëdhenj.”Ai i inkurajonte njerëzit që dyshonin tek fuqitë shpirtërore të Vishwananda-s, që të merrnin pjesë në një prej fjalimeve të tij, përpara se ta gjykonin.


Antropologu social dhe kërkuesi kulturor Raj Govender do t’i paralajmëronte organizatat vendase të ishin syçelëta, kur përfshiheshin me liderë shpirtërorë. “Më shumë kërkim duhet bërë për të përcaktuar besueshmërinë dhe ndikimin , që këta individë do të kenë në komunitetin vendas”, do të shprehej studiuesi. “Kohëve të fundit na kanë pllakosur një numër i madh sëami-sh dhe njerëzish shpirtërorë , që përfitojnë nga brishtësia e njerëzve tanë”. I akuzuar si një “gërmues ari”, me një nuhatje për të konvertuar besimtarë të kamur, në njoftimin rreth takimit shpirtëror të 9 dhjetorit, në mjediset e Mak Albania, hotel Sheratonit të dikurshëm, përveç regjistrimit që u kërkohej të interesuarve, përmes faqes online, thuhej se pjesëmarrje ishte falas, por që pjesëmarrësit inkurajoheshin të jepnin kontributin e tyre, për mbarëvajtjen e evenimentit. “Darshan është një bekim personal nga Paramahamsa Sri Swami Vishënanda, që aktivizon dritën hyjnore brenda personit dhe, i lejon atij të provojë dashurinë përtej çdo kushti”, shkruhej në këtë njoftim.


Ndjekësit e tij e shohin si personifikim i Zotit. Vishwananda kremtohet si avatar, mishërim i Zotit dhe i reklamohet si “Jezusi i ri”. E megjithatë, për një figurë që pretendon kaq shumë në sferën shpirtërore dhe religjioze të njerëzimit, nuk gjendet ndonjë artikull i gjatë nga mediet kryesore të botës, qofshin ato të shkruar apo elektronike. Gjithë ç’mund të gjendet për të, vjen nga uebsajtet e degëve të ndryshme të lëvizjes Bhakti Marga apo ato me karakter spiritual. Zërat kritikë postojnë në faqe forumesh, ku veçse pretendohet se lideri u kërkon para besimtarëve, thuhet se në organizimin e brendshëm të lëvizjes ka rregull strikt për mënyrën e veshjes së besimtarëve. Megjithëse zonja Agolli u shfaq, në aeroport gjatë pritjes së këtij lideri e veshur me sari – veshjen tradicionale indiane –pati edhe të tjera të veshura me kostume kombëtare shqiptare të disa krahinave. Ajo që duket se inatosi komentuesit në rrjetet sociale ishte gjesti i përuljes në këmbët e një të huaji, të vajzës veshur me kostumin e Mirditës, krahina që historikisht ka shfaqur qëndresë të fortë ndaj pushtuesit osman, duke ruajtur edhe besimin katolik, pa u konvertuar si një shumicë dërrmuese shqiptarësh në myslimanë, gjatë pushtimit të perandorisë.

Në besimin Hindu, lopa konsiderohet si kafshë e shenjtë dhe respektohet nga besimtarët


Ndonjëherë, dishepujt e tij pretendojnë se Vishwananda është e vetmja rrugë për të gjetur ndriçimin e shpirtit, herë të tjera janë më modestë dhe thjesht pretendojnë se është shtegu më i thjeshtë dhe i mundshëm për ta gjetur atë, përmes tij. “Teknikat tona ju ndihmojnë të qetësoni mendjen dhe bini në heshtjen e zemrës, ku mund të lulëzojë dashuria. Ato janë mjete për t’ju ndihmuar të qëndroni të përqendruar në rrugën tuaj shpirtërore dhe të shmangni pengesat që mund të hasni gjatë rrugëtimit për arritjen e qëllimit tuaj. Ne ju ftojmë të mësoni sekretet që i kthejnë këto teknika të thjeshta në mjete të fuqishme për të arritur një transformim personal”, shkruhet në uebsajtin e degës shqiptare të kësaj lëvizjeje, ndërsa shpjegojnë më hollësisht mënyrat dhe praktikat shpirtërore, “nëpërmjet Hirit të Mjeshtrave shpirtërorë Paramahamsa Vishwananda dhe Mahavatar Babaji, i hap zemrën fuqisë transformuese të dashurisë.”Sipas, kësaj lëvizjeje dashuria është zemra e të gjitha këtyre praktikave. “Duke qenë se Dashuria i tejkalon kufijtë e fesë, këto praktika janë të dobishme për të gjithë, pavarësisht besimit individual, apo interesit për të ndjekur një Mësues Shpirtëror.”

Foto e gurusë Paramahamsa Vishwananda,


Praktika medituese shpesh konsiston në këndimin e këngëve në gjuhën hindi, të cilat pak a shumë thonë “Oh, Vishwananda , ti je shpëtimtari ynë, të lutemi na pri!” Ka akuza se ka përfituar nga besimi dhe adhurimi duke ngacmuar besimtarët meshkuj, ndërsa predikon pastërtinë seksuale ndaj besimtarëve të tij. “Shenjtorët i duan të gjithë në të njëjtën mënyrë. Ata shohin se secili është pjesë e Zotit dhe krijimit të tij. Nga ata, pyetje rreth racës, kulturës apo religjionit nuk ngrihet. Duhet të marrim shembullin e tyre. Planeti ynë dhe e gjithë jeta në të është krijuar përmes dashurisë, e ruajtur përmes dashurisë dhe do të kthehet tek dashuria” , thotë lideri.

Duke qenë se Swami Vishwananda përqafon të gjitha religjionet dhe kulturat, shkruhet në një prej uebsajteve të huaja të kësaj lëvizjeje, gjatë viteve dy traditat të Lindjes dhe Perëndimit kanë gjetur një ekuilibër harmonik, gjë që tregon se me mprehtësi ky lider ka përshtatur elementë nga tradita perëndimore me shpirtëroren hindu. “Jemi të gjithë vëllezër dhe motra dhe vijmë nga i njëjti Zot. Identiteti ynë i vërtetë, i fshehur pas emocioneve dhe mendimeve të jetës së përditshme, është shpirti ynë i vërtetë, Vetja jonë e njëmendtë”, thotë Vishwananda , ndërsa u kujton besimtarëve të tij se të gjithë njerëzit vijnë nga i njëjti burim dhe do të kthehen në të njëjtin burim.

Vishwananda me ithtarë të tij. 


Askujt nuk i mohohet e drejta e besimit – për aq kohë sa besimi dhe praktika e tij nuk bie ndesh me ligjet e shtetit laik – por kur vishet me misterin rreth një njeriu që e pretendon veten mishërim të zotit e rreth të cilit ka akuza për përvetësim parash përmes mashtrimesh dhe abuzim seksual, vizita e Vishwananda -s, i pritur me adhurim dhe devocion nga ndjekësit, natyrshëm ngre pyetje për të ditur më shumë rreth këtij burri të përshpirtshëm, që shumë e konsiderojnë si një Krisht. Për të mos blasfemuar në krahasim, duke përdorur fjalorin e një besimi tjetër si ai i krishterë, profetët gjithnjë janë parë me dyshim nga shumica, por mes atyre që historia njerëzore i ka njohur si të vërtetë, ka pasur edhe qindra mijëra të rremë…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë