Bledar Hoti-Prej vitesh jetojnë si emigrantë, por atyre iu është mohuar shtetësia nga vendi ku ato jetojnë. Një numër i konsiderueshëm fëmijësh shqiptarë, ku pjesa më e madhe e tyre jetojnë në Greqi, kanë mbetur pa iu dhënë një shtetësi, e kjo për shkak të mos regjistrimit në Gjendjen Civile si në shtetin helen, apo në atdheun e prindërve të tyre, Shqipëri.
Alarmi i dhënë nga ana e Zyrës së Shërbimit Ligjor Falas, ka vënë në lëvizje Kuvendin e Shqipërisë, ku 19 deputetë firmëtarë, mes të cilëve është edhe kryeparlamentari Gramoz Ruçi, kanë depozituar nismën për zgjidhjen e këtij ngërçi, duke amenduar ligjin “Për Gjendjen Civile”.
Sipas procedurës aktuale ligjore për të regjistruar një fëmijë të lindur jashtë vendit, prindërit duhet të marrin një certifikatë nga vendi i lindjes dhe ajo duhet të jetë në formën e parashikuar nga ligji, të jetë akt i legalizuar, i përkthyer në shqip dhe i noterizuar. Ky dokument duhet të verifikohet nga Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme e vendit të huaj ose nga bashkitë ( se verifikimi mund të ndryshoje nga një vend në tjetrin). Pas përfundimit të këtyre procedurave, fëmija regjistrohet në Zyrën e Gjendjes Civile në Shqipëri.
Thelbi i propozimit të ri të ligjvënësve shqiptarë është se dhënia e shtetësisë për këtë kategori personash do të bëhet me anë të vendimeve të gjykatave.
“Në rastet kur akti i lindjes i mbajtur në një shtet tjetër ka të dhëna të paplota ose të pasakta, gjykata bën vërtetimin e faktit juridik të lindjes me qëllim regjistrimin në Zyrat e Gjendjes Civile. Kërkesën për vërtetimin e faktit juridik të lindjes mund ta paraqesin subjektet e parashikuara në nenin 40 të këtij ligji. Kërkesa shqyrtohet nga gjykata e Rrethit Gjyqësor në të cilin kanë vendbanimin prindi ose prindërit e fëmijës për të cilin kërkohet regjistrimi. Gjykata vendos shqyrtimin e kërkesës për vërtetimin e faktit juridik të lindjes brenda 45 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës, duke thirrur me cilësinë e personit të interesuar Zyrën e Gjendjes Civile. Nëse ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë ushtrohet ankim, Gjykata e Apelit shqyrton ankimin, në dhomë këshillimi, brenda 30 ditësh nga data e depozitimit të tij”, thuhet në nenin 1 të këtij amendamenti.
Neni 40 i ligjit aktual të Gjendjes Civile parashikon se “Lindja e fëmijës deklarohet te nëpunësi i Gjendjes Civile nga prindërit, pjesëtarët madhorë të familjes, përfaqësuesit ligjorë ose kujdestarët, dhe, në pamundësi ose në mungesë të tyre, nga personat, që kanë të drejtë të vërtetojnë lindjen. Deklarimi mund të bëhet edhe nga përfaqësues të nënës, me prokurë të posaçme. Deklarimi i lindjes së fëmijës së gjetur, të cilit nuk i dihen prindërit, bëhet nga organet e njësisë së qeverisjes vendore, organi i rendit publik, në juridiksionin e të cilit ndodhet vendi i gjetjes, në bazë të procesverbalit të mbajtur në kohën e gjetjes së fëmijës”.
Në propozimin e ri, amenduesit parashikojnë që “Për fëmijët e lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga shtetas shqiptar me banim të përhershëm në Shqipëri, regjistrimi i lindjes se fëmijës bëhet në shërbimin e Gjendjes Civile të atij vendi. Kur kjo është e pamundur regjistrimi i lindjes mund të bëhet në përfaqësitë diplomatike ose konsullore shqiptare ne vendin ku ka ndodhur lindja”.
Gjithashtu përcaktohet në një nen të posaçëm kur në aktin e lindjes të mbajtur jashtë vendit është e pa plotësuar rubrika e emrit të fëmijës, plotësimi i saj bëhet në përputhje me procedurën administrative, të përcaktuar me akt nënligjor të Ministrit përgjegjës për Gjendjen Civile, që në rastin konkret është ministri i Brendshëm.
Shifrat e mos regjistrimit
Një studim i kryer nga Shërbimi Ligjor Falas (TLAS) në Tiranë i kryer në vitin 2017 janë identifikuar 1031 persona të tjerë pashtetësi nga të cilët 96.7 % janë fëmijë, dhe që 84% e tyre ndeshin pengesa për marrjen e shtetësisë për shkak të procedurave të regjistrimit të lindjes. Studimi i identifikoi të 1031 personat me emra, moshe, gjini dhe adresa, dhe ata janë në pritje për t'u zgjidhur, por pengesat janë të mëdha. Autoritetet Greke në veçanti refuzojnë të lëshojnë një certifikatë të plotë të lindjes, për ata që jetojnë në mënyrë të parregullt, ose e lëshojnë atë me të meta në rubrikat përkatëse. Vetëm gjatë 2017, TLAS trajtoi me ndihmë juridike 631 raste të regjistrimit te lindjeve, nga të cilët 380 të lindur në Greqi nga të cilët 62 % e tyre ishin të komunitetit Romë, ndërkohë që ka identifikuar 300 raste të tjera që nuk mund të zgjidhen as me proceduara administrative dhe as përmes gjykatës.
Ky grup gjithashtu i paidentifikuar njerëzish, emigrantësh e kanë lënë shtetësinë shqiptare me shpresën e përfitimit të drejtave pasurore, për shembull të drejtën për të përfituar pension, bazuar në informacion të gabuar që ata dispononin për legjislacionin e shtetit Grek. Referuar Drejtorisë për Shtetësinë dhe Refugjatët në Ministrinë e Brendshme, në Shqipëri në vitin 2011, kishte gjithashtu një grup prej 3000 qytetaresh shqiptarë të cilët e kanë lënë në mënyrë vullnetare shtetësinë në vitet 1990 apo më vonë, për të përfituar një shtetësi të ndryshme, të cilët po përpiqen aktualisht të rifitojnë shtetësinë shqiptare në bazë të ligjit, që lejon dyshtetësinë.
Përveç studimit të Zyrës TLAS, Programi Sokrates që funksionon në sistemin parauniversitar të arsimit ka evidentuar 1130 fëmijë të regjistruar në sistemin arsimor që nuk kane numër identiteti. Nga ky numër, 995 fëmijë nuk u gjenden në Regjistrin Civil dhe as në listën qe evidentoi Studimi i Pashtetësisë.
Në relacionin e këtij projektligji theksohet se Aktet e lindjes të lëshuara nga autoritete e huaja, të cilat janë të paplota, ose kanë pasaktësi të elementëve të tyre, shpesh refuzohen të njihen nga autoritetet vendase dhe madje edhe gjykata shqiptare, duke vendosur që përderisa akti ekziston dhe ai është me të meta ato duhet të rregullohen në shtetin që e ka lëshuar atë.
Dështimi i Shqipërisë për të trajtuar këto çështje përbën mos pajtueshmëri me detyrimet e saj ndërkombëtare, së pari me Konventën për të Drejtat e Fëmijës.
“Si pasojë, pashtetësia dhe rreziku i pashtetësisë është një problem serioz dhe real me të cilin përballen me qindra qytetare (veçanërisht romët, por pa u kufizuar vetëm tek ata). Ky projektligj synon pikërisht të rregullojë në mënyrë përfundimtare këtë gjendje të krijuar duke i dhënë fund kalvarit të gjatë të përpjekjeve të shtetasve dhe aktorëve të përfshirë në këtë proces zgjidhjeje”, thuhet në relacion.
Probleme me regjistrimin civil kanë edhe dy kategori të veçanta
Arsyeja se shumë shqiptarë u detyruan që të heqin dorë nga shtetësia e tyre lidhet me faktin për të pasur përfitime ekonomike në shtetin ku ato jetojnë e punojnë, për një pension falas, apo për një pasaportë që mundësonte dikur lëvizjen e lirë në shtetet e BE-së. Por regjistrimi atje iu ka nxjerrë pengesë, pasi shteti ku duan një shtetësi të re i ka bllokuar dhënien e një “identiteti” të ri fëmijëve të tyre. Studimi i kryer nga Shërbimi Ligjor falas ka nxjerrë dy probleme kryesore. Së pari, fëmijët të cilët kanë lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga prindër shqiptarë, por të cilët kanë deklaruar të dhëna të pasakta për identitetin e tyre. Pas kthimit në Republikën e Shqipërisë është e pamundur të behët regjistrimi i lindjes së fëmijës për shkak se nuk përputhen të dhënat e deklaruara të prindërve me të dhënat e tyre të vërteta. Në këtë rast fëmija është e pamundur të regjistrohet si shtetas shqiptar, dhe në shtetin ku ka lindur mund të jetë i regjistruar dhe ta ketë marrë shtetësinë, por figuron me të dhëna të rreme për prindërit. Kjo sjell dy probleme, së pari që fëmija rrezikon një identitet të dyfishtë dhe së dyti që fëmija të mbesë pa shtetësi pasi rregullat e fitimit të shtetësisë ndryshojnë nga vendi në vend.
Së dyti, përkon me një kategori të veçantë fëmijësh të cilët kanë lindur nga shtetas shqiptarë emigrantë në territorin e Republikës së Greqisë. Kjo kategori i ka lindur fëmijët dhe ata janë regjistruar në zyrën e gjendjes civile të vendit të huaj pa emër për fëmijën, por akti i lindjes i përmban të sakta të gjitha të dhënat e tjera përfshirë edhe identitetin e prindërve. Shërbimi shqiptar i Gjendjes Civile nuk e njeh aktin e lindjes së shtetit të huaj i cili nuk ka të dhëna për emrin e fëmijës dhe refuzon të bëjë regjistrimin e tij dhe si pasojë fëmija mbetet pa u regjistruar dhe pa e fituar shtetësinë shqiptare.
Për të zgjidhur këtë fenomen propozuesit e nismës kanë parashikuar gjithashtu një procedurë të posaçme për regjistrimin e fëmijëve.
Kështu parashikohet të sanksionohet me ligj se të gjitha subjektet shëndetësore, shtetërore dhe private, që kanë të drejtë të vërtetojnë lindjen, janë të detyruara, që për çdo lindje të dërgojnë në zyrat e Gjendjes Civile ku prindërit kanë vendbanimin, çdo ditë të hënë, për javën pararëndëse, dokumentacionin për lindjet e ndodhura pranë institucioneve të tyre. Modalitetet, lloji i dokumentacionit, forma dhe mënyra e komunikimit ndërmjet këtyre institucioneve përcaktohet me udhëzim të përbashkët të Ministrave përkatës që mbulojmë institucionet e lartpërmendura.
Për çdo lindje të raportuar, zyra përkatëse e gjendjes civile pasqyron lindjen në regjistrin e përkohshëm. Ministri përgjegjës për Gjendjen Civile, përcakton me udhëzim rregulla të hollësishme për krijimin dhe administrimin e regjistrit të përkohshëm të lindjeve te raportuara. Nëse regjistrimi i lindjes së fëmijës, nuk kryhet brenda 60 ditëve nga data e lindjes, nëpunësi i Gjendjes Civile informon Njësinë për Mbrojtjen e fëmijës, pranë njësisë vendore, e cila ndërmerr veprimet konkrete për vlerësimin e situatës dhe regjistrimin e lindjes në Zyrën e Gjendjes Civile. Rregulla të hollësishme për zbatimin e kësaj dispozite përcaktohen me akt nënligjor të Ministrit përgjegjës për gjendjen civile.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.