Mjedis

Gjelbërimi i zhdukur urban: Ky është një qytet aspak miqësor

Në raportin “Mushkëri të gjelbra” i realizuar nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe Milieukontakt, nënvizohet ndër të tjera se sa shqetësues për Shqipërinë është mungesa e gjelbërimit.
Rodion Gjoka, ekspert i Inxhinierisë dhe Energjisë së Rinovueshme i cili ka marrë pjesë në raport, tregon për Gazetën “Si” se qytetet kryesore në Shqipëri, duke përjashtuar Korçën, pasqyrojnë një situatë aspak miqësore me hapësirat publike dhe parqet që u duhen ofruar banorëve.

Rodion Gjoka.

“Nga 4 qytetet e monitoruara kemi vënë re se gjelbërimi dhe hapësirat rekreative urbane janë të përqendruara vetëm në qendrat e qyteteve të mëdha dhe më pas reduktohen në mungesë totale sapo largohesh 20-30 metra nga qendra. Në Tiranë ka një kompleksitet sa i takon hapësirave të gjelbra. Nëse do i referoheshim rregulloreve që ka përdorur 1-2 dekada më parë Bashkia, pasi aktualisht nuk ka një rregullore apo një standard të shkruar të cilit mund t’i referohesh, do të duhej që çdo qytetar të kishte minimalisht 2.5 m gjelbërim në lagjen e vet ose në të gjithë vijën e verdhë të qytetit (pra zonën urbane) rreth 7 metra”, shton Gjoka.
Më tej eksperti shpjegon se është vënë re në Tirana ka humbur 52.8 ha të sipërfaqeve të gjelbërta. Në raport shpjegohet se në Tirana ka humbur rreth 6795 pemë urbane të cilat janë të llojeve të ndryshme si bli (Tilia Cordata, Tilia Europaea,Tilia Platyphyllos), rrap (Platanus Orientalis, Platanus Occidentalis), ligustër (Ligustrum Lucidum, Ligustrum Ovalifolium), panjë (Acer Saccharinum, Acer Platanoides), gështenjë (Castanea Sativa, Aesculus)

Ndër të tjera raporti shpjegon se nxitësit kryesorë të degradimit të mjedisit në vendin tonë, janë konstatuar të jenë: niveli i ndotjes, fenomeni i ndryshimeve klimaterike dhe urbanizimi. Raporti përcakton se përfitimet nga hapësirat e gjelbra dhe drurët urbanë janë nga më të ndryshmet, duke filluar që në përmirësimin e jetesës së banorëve të një qyteti e deri në mbrojtjen nga katastrofat natyrore.
Gjoka tregon se zonat më të prekura të paktën për Tiranën janë:
Parku Liqenit Artificial
Kopshti Botanik, Zooligjik dhe Liqeni i Thate
Kodra Diellit
Kodrat e Selites
Ish Kompleksi Sportiv Dinamo
Ish Kompleksi Sportiv Partizani
Ish Pallati Pionereve
Parku i Parlamentit dhe 7 Xhuxhave
Kompleksi “Qytet Studenti”
Ish Fusha Aviacionit
Zona Bulevardit te Ri
Ish Muzeu i Shkencave te Natyrës
Parku pranë Policisë Bashkiake etj
Gjoka shton se shqetësim paraqesin edhe lejet për shfrytëzimin e hapësirave ndërmjet pallateve nga lokalet, parkimet private dhe aktivitete te ndryshme. “Nëse do të marrim një rast konkret, të gjithë hapësirat ndërmjet pallateve të ndërtuara përpara viteve '90 nga kryqëzimi i "Don Boskos" deri ne Bulevardin Zogu I (përgjatë Unazës), nuk i japin asnjë mundësi rekreacioni qoftë fëmijëve por edhe moshave te tjera,” tregon Gjoka.


Raporti shpjegon më tej se hapësirat publike janë katalizatori kryesor në qytet për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm.

Gjoka shpjegon se gjelbërimi urban është zgjidhja e vetme për të rikthyer qytetin tek banorët si edhe për të minimizar impaktet nga ndotja, zhurmat apo edhe nga ndryshimet klimatike.
Në këtë diskutim, sidomos për qytetet, këshillohet që duhet rikthyer çdo metër katror hapësirë publike. Shumë prej tyre duhet të rehabilitohen dhe me tej të mirëmbahen. Kjo do të kërkojë që të rregullohet disi aktiviteti bar-kafeve, por edhe të zgjidhet problemi i parkimit në qytet.
“Mushkëritë e Tiranës për nga vetë tipologjia, topografia dhe dendësia urbane, nuk janë as Dajti, as kodrat e Selitës as Parku Orbital (nëse do të bëhet një i tillë apo jo), por vetë hapësirat ku ne banojmë, punojmë apo kërkojmë të rrisim brezat e rinj ndërkohë që një brez tjetër shijon pensionin. Në kushtet ku jemi aktualisht, për shembull kryeqyteti, nuk e absorbon dot ndotjen në mënyrë natyrale, nuk është i shëndetshëm për grupmoshat e reja dhe të mëdha, e nuk këshillohet jetesa apo punësimi, sidomos i personave me probleme shëndetësore,” shpjegon Gjoka.

Copyright © Gazeta "Si"

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë