Mjedis

‘Është antikushtetues’, Zhupa: Të shfuqizohet ligji për ndërtimet në zonat e mbrojtura

Nga Gazeta Si- Deputetja demokrate Ina Zhupa ka dorëzuar në parlament një projektligj të ri për ndërtimet në zonat e mbrojtura, që sipas saj, rrëzon ligjin e votuar në kuvend.

Zhupa tha sot se ligji i votuar nga mazhoranca “që lejon ndërtimet në zonat e mbrojtura, sikurse ishte rasti skandaloz i Butrintit, është antikushtetues dhe duhet rrëzuar”.

“Kam depozituar projektligj për shfuqizimin e menjëhershëm të Ligjit nr. 21/2024 dhe rikthimi i standardeve të mbrojtjes së zonave të mbrojtura në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, konventat ndërkombëtare dhe standardet europiane për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë natyrore si dhe zbatimin e kërkesës së Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian”, tha deputetja.

Sipas saj, edhe PE e ka kërkuar shprehimisht shfuqizimin e ndryshimit të ligjit.

“Për herë të parë, edhe raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian ka kërkuar shprehimisht shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”. Në pikën 46 të raportit theksohet se këto ndryshime “lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore”, shpjegoi ajo.

Sipas saj, ligji përbën një nga ndërhyrjet më problematike ligjore ndaj mbrojtjes së mjedisit, trashëgimisë natyrore dhe interesit publik.

Ajo shpjegoi edhe pikat ku ligji bie ndesh me Kushtetutën, konkretisht:

-me nenin 56 të Kushtetutës, i cili garanton të drejtën e qytetarëve për një mjedis të shëndetshëm dhe detyrimin e shtetit për mbrojtjen e tij;

-me nenin 59 pika 1/d dhe 1/g të Kushtetutës, që kërkojnë ruajtjen e mjedisit dhe trashëgimisë natyrore për brezat e ardhshëm;

-me nenin 82 të Kushtetutës, pasi projektligji nuk u shoqërua me raport të plotë të efekteve financiare;

-me parimin kushtetues të solidaritetit ndërbrezor, që imponon detyrimin për të mos dëmtuar pasuritë natyrore dhe trashëgiminë kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë