Lajme

Indeksi i Bazelit, Shqipëria vendi më i përshtatshëm për pastrimin e parave në Ballkan

Shqipëria renditet e 44 nga 141 vende për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit që maten që prej 2012 me Indeksin e Baselit. Ajo lë pas të gjitha  vendet e Ballkanit Perëndimor duke u kthyer në vendin më ideal për të pastruar paratë dhe financuar terrorizmin.

Raporti i sapopublikuar Bazel 2020 në fundkorrik e rendit Shqipërinë të parën nga vendet e Ballkanit Perëndimor për mundësitë që ofron për grupet kriminale dhe organizatat terroriste që pastrojnë paratë e tyre.

Shqipëria në renditje e 44 nga 141 shtete të marra në analizë sipas rajoneve ka grumbulluar në bazë të kritereve të matjes ka 5,69 pikë nga 10 që supozohet të jetë risku më i lartë për pastrimin e parave dhe financimin e terroizmit.

Indeksi i Bazelit, në Edicionin i 9-të mbetet indeksi i vetëm i pavarur, i bazuar në kërkime nga një organizatë jofitimprurëse, duke renditur vendet, sipas rrezikut të tyre për pastrim parash dhe financimi të terrorizmit (PP (pastrim parash( / FT (financim terrorizmi). Indeksi i Bazelit mat rrezikun e PP / FT në vendet rreth botës. Rreziku përcaktohet gjerësisht si ndjeshmëri e një vendi ndaj PP / FT dhe kapacitetet e tij për ti luftuar. Ai nuk mat sasinë aktuale të veprimtarisë PP / FT në një vend. Rezultatet e rrezikut bazohen në të dhënat nga burimet në dispozicion të publikut, siç janë Task Force e Veprimit Financiar, Transparenca Ndërkombëtare, Banka Botërore dhe Forumi Ekonomik Botëror. Ato mbulojnë 16 tregues në pesë fusha të rëndësishme për vlerësimin e rrezikut të PP /FT në nivelin e vendit: Ryshfeti dhe Korrupsioni, Transparenca Financiare dhe Standardet, Transparenca Publike dhe Përgjegjësia, Rreziqet Ligjore dhe Politike.

Indeksi i Bazelit rendit vendet bazuar në rezultatet e tyre të përgjithshme, duke kapur natyrën komplekse globale të rreziqeve PP / FT dhe duke siguruar të dhëna të dobishme për qëllime krahasuese. Sidoqoftë, qëllimi kryesor nuk është që të renditen vendet sipërfaqësisht në krahasim me njëri-tjetrin, por të sigurohet një pamje e përgjithshme e niveleve të rrezikut të vendeve dhe rajoneve të ndryshme dhe përparimi i tyre në adresimin e dobësive me kalimin e kohës.

Në rajonin e Europës Azisë Qendrore ku bëjnë pjesë vendet e Ballkanit Perënidmor e Shqipëria, rezultati i përgjithshëm i rrezikut është afër mesatares globale.

Dobësitë janë më të dukshme kur bëhet fjalë për korrupsionin, ryshfetin dhe rreziqet ligjore dhe politike, duke reflektuar çështjet në lidhje me të drejtat politike dhe civile, lirinë e medieve dhe pavarësinë e gjyqësorit. Kjo mund të rezultojë në një perceptim të ngatërruar të realitetit kur bëhet fjalë për efektivitetin e sistemeve anti pastrim parash dhe luftën kundër financimit të terrorizmit.

Fushat më të dobëta në rajonin e Ballkanit Perëndimor vlerësohen të jenë sipas Indeksit të Bazelit, korrupsioni dhe çështje me të drejtat politike dhe civile, lirinë e mediave dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Tre të katërtat e vendeve janë renditur nga SHBA-të si destinacionet kryesore të pastrimit të parave.

Rajoni përballet me rreziqe të mëdha të trafikimit njerëzor, me nivelin më të lartë të ekspozimit në Rusi.

Për raportin ka reaguar në llogarinë e sja në Facebook edhe ish deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku.

“Ky fakt tronditës është pasqyruar dhe paralajmëruar edhe më herët nga institucione të tjera ndërkombëtare dhe opozita. Por ironikisht, përballë fakteve dhe analizave të miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë qeveria shqiptare nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të miratuar në shtator ligjin për aministinë fiskale dhe penale të parave të pista”- citon Tabaku.

Sipas saj, ndërsa institucionet e rëndësishme ndërkombëtare si MoNEYVAL dhe raporti i Basel për AML raportojnë se Shqipëria është një vend me rrezik të lartë për pastrimin e parave, nuk ka ende asnjë përpjekje sado të vogël nga ana e qeverisë për të shmangur renditjen e Shqipërisë në listat e zeza të ndërkombëtare.

Lufta kundër pastrimit të parave, thotë ajo, është një nga parakushtet kyçe që duhet të përmbushen nga Shqipëria për të nisur negociatat.

“Por, mesa duket BE nuk është synimi i Ramës. Ritmet e rritjes së kriminalitetit apo pastrimit të parave, renditja skandaloze në raportet ndërkombëtare janë sinjal i qartë se kjo qeveri dhe ky kryeministër kanë për qëllim jo integrimin por izolimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”- shkruan ish deputetja e PD-së.

Askush më shumë se qytetarët shqiptarë, vijon ajo, nuk e do dhe përpiqet për të qenë sa më shpejt pjesë integrale e Europës së Bashkuar.

“Ndaj Edi Rama dhe qeveria e tij ta harrojnë se do të mund të izolojnë vendin dhe shqiptarët. Makthi i tyre për të mbrojtur krimin dhe pastruar paratë e pista nuk mund të jetë makthi i shqiptarëve. Qytetarēt shumë shpejt do të kenë mundësi ti tregojnë me votë vendin këtij pushteti autoritar që e ka zhytur vendin në krim dhe korrupsion galopant.”- thotw ajo duke pwrfunduar se “Çdo skemë kriminale që konsiderohet si frymëmarrje për biznesin dhe që sponsorizohet me lekët e krimit apo drogës e që Rama mendon se mund ti zgjasë pushtetin, po refuzohet nga bizneset e ndershme, nga qytetarët e ndersëm dhe tashmë po denoncohet qartas dhe nga institucionet ndërkombëtare. Asgjë nuk e ndal ndryshimin! Shqipëria do të jetë aty ku i takon, në Europën e bashkuar! Asnje pushtet autoritaro- kriminal nuk mund ta ndalë dhe pengojë këtë proces dhe përpjekje legjitime të çdo shqiptari”, thote Tabaku


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë