Analize

Fitorja e Melonit, Europa e ndarë në gjysmë, e djathta feston, pjesa tjetër në ankth

Fitorja e qendrës së djathtë në Itali me prirjet më ekstreme që nga koha e Benito Musolinit e ka ndarë Evropën në gjysmë duke nxitur entuziazmin e të djathtëve në njërën anë ndërsa pjesa tjetër duke parë me ankth se çfarë do të ndodhë në vendin me ekonominë e tretë më të madhe në Bashkimin Evropian.

Koalicioni i udhëhequr nga partia e saj “Vëllezërit e Italisë” fitoi rreth 44 për qind të votave të dielën.

Të hënën në mëngjes, politikanët kryesorë evropianë filluan të reagojnë ndaj rezultatit sizmik të Italisë.

Kryeministrja franceze Elisabeth Borne nuk komentoi drejtpërdrejt, por nënvizoi rëndësinë e respektimit të vlerave demokratike nga qeveritë evropiane, në komente që mund të përkeqësojnë lidershipin e ri në Romë.

Duke folur në radion franceze, Borne tha: “Ajo që thotë presidenti i Komisionit është se në Evropë, ne kemi një numër të caktuar vlerash dhe se, padyshim, do të jemi të vëmendshëm […] ndaj faktit që këto vlera për të drejtat e njeriut , për respektimin e të tjerëve, veçanërisht respektimin e të drejtës për abort, duhet të respektohen nga të gjithë.”

Ajo shtoi se Von der Leyen ishte "në të drejtën e saj" për të kujtuar se "në Evropë, ne kemi vlera. Çdo shtet duhet të jetë në përputhje me këto vlera, për shtetin e së drejtës, për të drejtat e njeriut, për respektimin e të drejtës për abort”

Referimet e kryeministres së Francës vijnë pasi Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen paralajmëroi kundër kthesës së mundshme djathtas të Italisë javën e kaluar, duke thënë se BE-ja do të ishte gati të punonte me qeveritë demokratike porse kishte mjete që mund t'i përdorte nëse "gjërat do të shkonin në drejtim të vështirë". Kjo ishte një referencë e qartë për aftësinë e Komisionit për të shkurtuar fondet e alokuara për qeveritë e BE-së kur ato konsiderohen se shkelin parimet e sundimit të ligjit.

Ministri i Jashtëm spanjoll José Manuel Albares, nga Partia Socialiste, pati një qasje më të fortë kur tha se "populizmi gjithmonë përfundon në katastrofë".

“Është një moment pasigurie dhe në momentet e pasigurisë, populizmi gjithmonë merr rëndësi dhe gjithmonë përfundojnë në të njëjtën mënyrë: në katastrofë”, tha ai për shty[in spanjoll.

Politikanët në Gjermani kanë shprehur shqetësim pas fitores së Melonit.

Jurgen Hardt, ligjvënës nga partia konservative e Unionit Demokristian – aktualisht në opozitë – tha se ishte i shqetësuar nga “deklaratat e hapura post-fashiste” të Melonit.

“Racizmi dhe përjashtimi i minoriteteve nuk ka më vend në Evropë”, tha Hardt për Dpa-në.

Më herët Meloni ishte shprehur: “Po për familje natyrale, jo për lobin e LGBT-së, po për identitetin seksual, jo për ideologjinë gjinore.... jo dhunës islamike, po për sigurimin e kufijve, jo për migrimin masive... jo për financat e mëdha ndërkombëtare.... jo për burokratët e Brukselit”.

Meloni ka shfaqur së fundmi një qëndrim më të moderuar edhe ndaj Ukrainës duke e mbështetur dhe distancuar njëkohësisht nga qëndrimi i mëhershëm i saj pro Putin.  

Ndërkohë, e kundërta ka ndodhur me reagimet për fitoren e saj nga të djathtët në Evropë.

Politikanët francezë të ekstremit të djathtë Eric Zemmour dhe Marine Le Pen, të dy pretendentë në zgjedhjet presidenciale të pranverës së kaluar, brohoritën fitoren e Melonit, duke mbështetur vendimin e popullit italian.

Zemmour nënvizoi zgjedhjet e Suedisë nga java e kaluar, ku partitë e krahut të djathtë dolën fituese: “Nga Suedia në Itali, javët e fundit po përjetojmë bashkimin e dytë të së djathtës fitimtare në Evropë...  ”

Në Spanjë, partia e ekstremit të djathtë Vox arriti në përfundimin se fitorja e Melonit tregoi "rrugën e një Evrope të re të kombeve të lira dhe sovrane".

Kryeministri polak Mateusz Moraëiecki, i cili ka qenë në mosmarrëveshje me Brukselin, e uroi Melonin.

Balázs Orbán, një ndihmës i afërt i kryeministrit hungarez Viktor Orbán, i uroi Melonit, Matteo Salvinit dhe Silvio Berlusconit: “Në këto kohë të vështira, na nevojiten më shumë se kurrë miq që ndajnë një vizion dhe qasje të përbashkët ndaj sfidave të Evropës.”

Aleanca e ekstremit të djathtë e Melonit – që përfshin edhe partinë djathtiste Liga e Matteo Salvini dhe partinë e qendrës së djathtë Forca Italia të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi – pritet të ketë kontrollin edhe të Senatit dhe të Dhomës së Deputetëve, me rreth 44 për qind të votave të fituara në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Vendimi se kush do të bëhet kryeministri i Italisë është në duart e presidentit italian, Sergio Mattarella, dhe ky proces pritet të marrë kohë nisur edhe nga eksperiencat e kaluara.

Burimi: politico.eu , REL / Pergatiti: Gazeta "SI"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë