Lajme

Firmoset marrëveshja, shtyhen kreditë edhe me tre muaj të tjerë

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar përmes llogarisë së tij në Facebook se sapo është firmosur marrëveshja me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko për një tjetër shtyrje të kësteve të kredive, edhe për tre muaj, deri në fund të muajit gusht.

Më tej, kreyministri shton se është miratuar edhe një lehtësim për bankat e nivelit të dytë që të bëjnë ristrukturime të kredive deri në fund të vitit sipas shkallës së vështirësive të bizneseve.

“Lajm i mirë! Bashkëfirmosëm me guvernatorin e bankës së Shqipërisë një shtyrje të mëtejshme tremujore të kësteve të kredive deri në 31.08.2020. Gjithashtu banka e Shqipërisë miratoi një lehtësim për bankat e nivelit të dytë, që të bëjnë ristrukturime proaktive të kredive deri në 31.12.2020 me shtrirje një ose disavjeçare, sipas shkallës së vështirësive të çdo biznesi”- shkruan kryeministri në llogarinë e tij në facebook, por nuk bën të ditur asnjë detaj tjetër nëse shtyrja do të jetë vetëm për bizneset, apo edhe për individët dhe procedurën që do të ndiqet.

Ndërkohë më pas gjatë ditës, Banka e Shqipërisë njoftoi se në kuadër të gjendjes së rënduar të ekonomisë shqiptare prej pandemisë COVID-19 ka ndërmarrë masa e ndryshime rregullative për zgjidhjen e kërkesave të klientëve për periudha të përkohshme shtyrjeje, dhe njëkohësisht sigurimin e shëndetit të bankave dhe sistemit në tërësi.
Nisur nga shqetësimet e ngritura nga biznesi dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, autoriteti mbikëqyrës, duke analizuar e konsideruar propozimet dhe kërkesat e parashtruara nga bankat, si dhe bazuar në eksperiencat më të mira të vendeve të tjera dhe udhëzimeve të Autoritetit Europian Mbikëqyrës (EBA) për këtë qëllim, i miratoi këto ndryshime të cilat synojnë lehtësimin për bankat, e kryesisht nëpërmjet:

pezullimit të përkohshëm të zbatimit të detyrimit që rrjedh nga kërkesat për administrimin e rrezikut të kredisë, për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive për të gjitha kategoritë e klientëve, edhe për një periudhë tjetër, nga data 1 qershor deri në 31 gusht 2020, për arsye të vështirësive financiare dhe rënies së aftësisë paguese të huamarrësve, ndikuar nga situata e krijuar.

pezullimit të përkohshëm të krijimit të fondeve rezervë për pasuritë e paluajtshme të përftuara kundrejt shlyerjes së kredive deri në muajin dhjetor 2020.

dispozitë lehtësuese për kreditë e ristrukturuara, sipas së cilës bankave u jepet mundësi të ristrukturojnë marrëdhëniet aktuale të kredive me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme në varësi të aftësisë paguese të kredimarrësve deri më 31 dhjetor 2020 pa kosto shtesë të provigjoneve dhe pa përkeqësim të statusit të huamarrësve

shtyrjen me 1 vit të hyrjes në fuqi të kërkesave më të shtrënguara për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive të ristrukturuara, për në muajin janar 2022. Nëpërmjet kësaj mase bankat do të mund të përdorin edhe gjatë vitit 2021 të njëjtat kritere për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive të ristrukturuara si ato përpara situatës së pandemisë.

shtyrjen me 1 vit të efekteve të rregullores “Për trajtimin jashtëgjyqësor nga bankat, të kredimarrësve në vështirësi financiare” deri në muajin janar 2022. Në këtë mënyrë, bankat do të kenë një hapësirë më të madhe kohore të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme për huamarrësit e përbashkët në vështirësi financiare.
Ndërkohë, kredimarrësit, aftësia paguese e të cilëve nuk preket apo dëmtohet nga kjo situatë duhet të vijojnë normalisht shlyerjen e detyrimeve të tyre me bankat.
Në përfundim, Banka e Shqipërisë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave, dëshirojnë të sigurojnë të gjithë publikun shqiptar se mbeten te angazhuara maksimalisht për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme, në kapërcimin e kësaj situate të vështirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë