Propozim i SI

Fake news, ‘virusi’ i pande(media) që AMA nuk po e kuron dot

A keni menduar ndonjëherë se sa na influencojnë lajmet e rreme?  Sot të vërtetën nga ajo false e ndan vetëm një klik.  Më pas ajo amplifikohet duke e lënë veten të ndikohemi shpejt nga hamendjet e paplota dhe të vërtetat e perceptuara, pa i lënë kohë  gjykimit racional dhe të lirë. 

Lajmet e rreme sot po burojnë bollshëm nga teori konspirative (siç u panë gjatë pandemisë),  propaganda nga institucionet shtetërore, por edhe fushata për të mashtruar opinionin publik ndaj individëve të caktuar, një ideje, një personazhi, një lëvizje, për qëllime klikimi, përfitimi por edhe pushteti. 

Publikime të tilla pa autor, pa fakte e verifikime të thelluara me supozime sipërfaqësore nga burime të pasigurta, në shumë raste edhe të qëllimshme, po vështirësojnë dallimin e të vërtetës nga e pavërteta apo informacionin nga manipulimi. 

Një raport i fundit i Këshillit të Evropës thekson se rajoni po përballet në mënyrë masive me lajme të rreme.

Çfarë ndodh konkretisht në Shqipëri? A kemi ne rregullatorë se si të vetëkorrigjohemi? 

Nëse do t’i hedhim një sy aktivitetit të autoritetit të vetëm që merret me median, AMA-s, do vërejmë takime me bollëk për barazinë gjinore,  standardin e shqipes, edukimin mediatik për fëmijët dhe të rinjtë, apo edhe ndonjë takim apelues për dezinformimin. Kaq. Ndër takime, ato vërejnë edhe se si mediat prestigjioze ndërkombëtare ngrenë shqetësimin për fenomenin e lajmeve të rreme, (kryesisht ato online ku informacioni shpërndahet ngado, kujtdo dhe në kohë reale). 

Por a ka rol AMA për ta luftuar fenomenin në tregun mediatik shqiptar? 

Analisti Afrim Krasniqi

“AMA ka në fokus vetëm televizionet dhe radiot. AMA nuk ka bazë ligjore për ndërhyrje në mediat online, portalet dhe as median e shkruar. Ky është një paradoks, sepse media kryesore sot është online, vetë televizionet kanë portale online, por AMA ka në fokus vetëm pjesën televizive dhe radiofonike”, thotë analisti Afrim Krasniqi për Gazetasi.al.

Si ish-anëtar i AMA-s edhe Sami Neza, në një prononcim për Gazetasi.al, e pranon se ka boshllëk ligjor.  Ai e përjashton mundësinë e përfshirjes së AMA përtej mediave audiovizive:  

“Brenda AMA funksionon një bord tjetër që quhet Këshilli i Ankesave dhe që trajton ankesat në lidhje me transmetimet audiovizive përfshirë edhe rastet e ankesave për lajmet e rreme.

Këshilli i ankesave është një trupë që zgjidhet nga Bordi i AMA dhe vepron në pavarësi të plotë prej tij. Këshilli shqyrton ankesat e publikut ndaj televizioneve apo radiove.  Kur gjykon se ankesa është e drejtë, Këshilli i propozon AMA masa ndëshkuese dhe është AMA që merr vendim”. 

Sipas Nezës, AMA nuk mund të trajtojë asnjë ankesë për mediat online pasi nuk ia lejon ligji.  Dhe as me problematikat që shfaqen. 

Ish-nenkryetari i AMA-s, Sami Neza

“AMA është rregullator. Ai ka për detyrë të menaxhojë frekuencat që janë asete të kufizuara publike në mënyrë të drejtë dhe të pavarur, duke siguruar që askush të mos diskriminohet në përdorimin e këtyre aseteve si dhe të ketë qasje apo akses të barabartë për të gjithë. 

Siç e ceka më sipër, AMA ndjek zbatimin e Kodit të Transmetimit përmes Këshillit të Ankesave. Por edhe në këtë rast AMA nuk mund të mbikëqyrë apo të vlerësojë përmbajtjen mediatike jashtë kontureve të parashikuara nga Kodi i Transmetimit për çështje si mbrojtja e fëmijëve, racizmi, diskriminimi, lajmet e rreme etj”.

“Një përpjekje e qeverisë për të sjellë edhe median online brenda një ligji që zbatohet nga AMA para tri vitesh u kritikua gjerësish nga komuniteti ndërkombëtar, organizatat ndërkombëtare të medias, mediat në Shqipëri. Qeveria u tërhoq atëherë nga ligji që thirret ‘ligji antishpifje”, kujton Neza.

Sipas Krasniqit, frika se shumica qeverisëse mund të përdorë pushtetin për të ushtruar presion e kontroll mbi mediat e reja, “ka bërë që aktorët e tretë të preferojnë më shumë median e parregulluar sesa atë të kontrolluar direkt ose indirekt prej mazhorancës politike”. 

Megjithatë, Krasniqi nënvizon se, Kuvendi ka përgjegjësinë të ofrojë zgjidhje ligjore për rastet e mediave të reja, përfshirë portalet dhe format e reja mediatike që janë të papërcaktuara dhe të pa monitoruara nga AMA apo autoritetet e tjera shtetërore e mediatike në vend. 

“Qeveria gjithashtu ka përgjegjësi, vetë AMA mund të propozonte ndryshime, grupimet mediatike gjithashtu”

Instituti i Studimeve Politike nënvizon në një raport të saj se mungesa e legjislacionit mbi mediat online dhe dobësitë e saj nuk mund të jenë motiv për median për të abuzuar me lirinë e shprehjes dhe as për institucionet, për të diktuar raportimet mediatike. 

Deri tani ka vetëm një Kod Etike që detyron median të publikojë një korrigjim të qartë dhe përshtashmërisht të dukshëm kur vërtetohet se ka botuar një informacion të pasaktë dhe të shtrembëruar. Pala e kritikuar gjithashtu duhet të ketë të drejtën për t’u përgjigjur. Por asgjë detyruese. 

Afrim Krasniqi e sheh këtë problematikë në një prizëm shumë më të gjerë se kaq.    

“Së pari, detyrimi për institucionet shtetërore për të bërë regjistrimin e pronësisë dhe identitetit të çdo media të çdo formë ne vend. QKB nuk e ka bërë, institucionet e tjera jo dhe aktualisht nuk ka sektor tjetër publik më anonim sesa media, sidomos media e re online.

Së dyti, krijimi i mekanizmave të pavarur rregullator që monitorojnë aktivitetin e medias në dy aspekte, në ushtrimin e lirisë së gazetarëve, të drejtave sociale dhe në burimet e financimit. 

Së treti do të duhej që të kishte një reformë të thellë në funksion të transparencës dhe aksesit më të madh në informacion. 

Së katërti do të duhej të nxitej mekanizmi vetërregullues për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, standardet e etikës dhe dialogun institucional. 

Së pesti, do të duhej një reformim dhe qasje e re e edukimit mediatik të institucioneve, të zyrtarëve, të nëpunësve, të brezave të rinj dhe të vetë politikanëve. 

Së gjashti, do të duhet të marrë fund praktika e lajmeve të gatshme nga partitë dhe institucionet 

Së fundi, do të duhej të kishte reformë lidhur me pronësinë informale të medias dhe keqpërdorimin e saj në funksion të interesave ekonomike të oligarkisë, duke detyruar me ligj pronarët e medias të pamundësojnë financimin e saj nga bizneset e tjera personale fitimprurëse, si dhe duke mbrojtur pronësinë e liçensave dhe rrjeteve publike televizive e audiovizive….”. 

Në fund të fundit, sipas Krasniqit, ne nuk kemi përse shpikim, por duhet të marrim modele të suksesshme nga vendet që kanë kaluar sprovën e tranzicionit.  

“Zgjidhje mund të jetë edhe krijimi i një institucioni i modelit avokat për median/gazetarët, i cili të bëjë monitorimin, të vendosë standarde dhe të mbrojë gazetarët nga abuzimet dhe presionet e ndryshme si dhe anasjelltas, të evitojë presionet e abuzimet e çdo forme nga gazetarët”, propozon ai

Në kushtet që jemi, çfarë instrumentesh parandalues dhe me tej ndërhyrës duhen përdorur? 

Duke qenë një shoqëri parademokratike, Krasniqi vëren se, është e vështirë të ketë zgjidhje ideale. 

Ndaj dhe në kushtet aktuale, ai propozon një “mekanizëm rregullator etik të përkohshëm që mund të mbështetet nga KE, BE dhe OSBE, me angazhimin për të bërë pjesë të tij të gjithë gazetarët dhe me detyrimin për të ndjekura praktika etike pune”. 

Edhe Sami Neza e mbështet idenë duke iu referuar praktikave ndërkombëtare, që praktikojnë kodet e etikës dhe vetërregullimin.

Megjithatë, ai pranon se ky proces mund të marrë kohë. Dhe deri atëherë, Neza sjell një praktikë që po funksionon aktualisht, të paktën në disa media

“Është krijuar një organ vetërregullues, Aleanca për Media Etike që mbikëqyret nga Këshilli Shqiptar i Medias. Aleanca ka mbledhur një numër të konsiderueshëm mediash online të cilat kanë miratuar një Kod Etike. Ndërkohë Aleanca ka edhe një bord, por edhe një aplikacion që është vendosur në të gjitha mediat që janë anëtarë të Aleancës përmes të cilit mund të nisësh ankesë për median online. Ankesa në të njëjtën kohë shkon edhe në Këshillin Shqiptar të Medias dhe ky i fundit mbikëqyr reagimin e medias online ndaj ankesës. Nëse media online nuk e trajton ankesën apo e trajton atë në një mënyrë që nuk kënaq standardet e Kodit të Etikës atëherë bordi i Aleancës e shqyrton këtë ankesë dhe merr një vendim që është detyrues për anëtarët e aleancës”. 

Po nëse ankesa nuk zgjidhet? 

“Atëherë ai që nis ankesën duhet të drejtohet në organet ligjzbatuese përmes padisë që mund të jetë civile apo penale”, thotë Neza. 

Fundja kjo është e vetmja rrugë sot për sot në Shqipëri. / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë