Analize

‘Europa e egër’: Zgjerimi dhe një komunitet politik

Një komunitet politik europian do të ndihmonte kandidatët për në BE t’u rezistonin presioneve të jashtme dhe të miratonin reforma ekonomike e demokratike.

Që kur Këshilli Europian i dha statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, politikëbërësit europianë po debatojnë mbi vizionin e presidentit francez, Emanuel Macron për një “komunitet politik”. Vendimi i Këshillit në 23-24 qershor, përmend propozimin e një “Europe më të gjerë”, por nuk shpjegon se çfarë forme do të marrë komuniteti.

Këshilli njohu edhe perspektivë europiane të Gjeorgjisë për të marrë statusin kandidat kur të përmbushë kushtet. Në kontekstin e luftës Rusi-Ukrainë, vendimi i KE-së tregon solidaritet me një Ukrainë të ndryshuar nga lufta dhe një Moldavi të brishtë.  Për më tepër i rikujton vendeve se politika e zgjerimit është mjet gjeopolitik, që BE-ja mund ta përdorë kundër aktorëve të tretë që tentojnë të destabilizojnë “lagjen”.

Gjithësesi, kjo është një qasje e rrezikshme ndaj zgjerimit. Vendimi historik për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë mund të dobësojë politikat kufizuese për zgjerim dhe të rrisë cenueshmërinë e vendeve kandidate ndaj presionit të jashtëm.

Frustrimi i vendeve të Ballkanit perëndimor me vendimin e Këshillit tregon rrezikun e kësaj qasje. Ata kanë qenë prej shumë kohësh të nervozuar me të metat e procesit të zgjerimit. Për shembull, ka një kontradiktë shumë të madhe midis agjendës ambicioze të reformave që BE-ja përshkruan për vendet kandidate dhe agjendës rajonale që ajo promovon përmes politikës së saj të zgjerimit.

Bashkimi përdor politikat e zgjerimit për të reduktuar konfliktet sic është ajo e Serbisë dhe Kosovës, ndërkohë që zgjedh të bisedojë më shumë me një vend se sa me një tjetër.

Kjo i ka lënë shtet ballkanike në një marrëdhënie binare, ku disa kanë përfituar më shumë se të tjerët. Serbia ka hapur kapituj të ri me anë të dialogëve, ndonëse nuk ka bërë progres me reformat demokratike.

Në të kundërt, Shqipëria nuk ka nisur ende dialogun e aderimit edhe pse ka bërë progres domethënës në reformat e saj. Kjo sepse BE-ja synon të hapë negociatat me Shqipërinë në të njëjtën kohë me Maqedoninë e Veriut, ende e bllokuar nga vetoja bullgare.

Kështu, disa lider të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përdorin perspektivën e anëtarësimit në BE për të rritur influencën e tyre ndërkohë që po dështojnë me reformat dhe fajësojnë BE-në për procesin.

Kjo është arsyeja pse shumë qytetarë të shteteve të Ballkanit Perëndimor e shohin gjithnjë e më shumë anëtarësimin në BE si një objektiv të paqëndrueshëm dhe janë të zhgënjyer me procesin.

Prandaj vendimi për dhënien e statusit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë është e rrezikshme për të paktën dy arsye.  E para, ekziston risku i “mbipremtimit” dhe i “nënmbajtjes” së tyre, që do të krijonte frustrim të njëjtë si në BP. Së dyti, BE-ja po i jep Ukrainës dhe Moldavisë një “sconto gjeopolitike”, për shkak se i ka sulmuar Rusia dhe jo se kanë bërë progres me reformat e tyre.  

Kjo lëvizje shkatërron konkurrencën për kandidatët e Ballkanit, pasi kanë më pak incentivë për një ekonomi të qëndrueshme, të lirë dhe transparente.

Do të ishte shkatërruese edhe për BE-në.  Nëse rregullat dhe parimet për reforma nuk do të ishin më si parakushte për anëtarësimin në BE, do të bëhej më e vështirë për unionin të mbante një qëndrim të fortë ndaj këtyre rregullave dhe parimeve në shtetet e tij anëtare. Kjo do t’i tregonte gjithashtu fuqive të jashtme – kryesisht Rusinë dhe Kinën – se politika e zgjerimit të BE-së ka të bëjë me gjeopolitikën. Këto fuqi më pas mund të shfrytëzojnë periudhën ndërmjet vendeve që marrin statusin e kandidaturës në BE dhe anëtarësimit për të prishur procesin ose për të rritur ndikimin e tyre mbi shtetet e ardhshme anëtare. Nga ana tjetër, vendet kandidate dhe BE-ja do të bëheshin më të cenueshme.

Një komunitet politik europian mund të ndihmojë BE-në të kalojë këto probleme.

Duke i “lidhur” vendet kandidate në BE, një komunitet i tillë do të krijonte një nxitje më të fortë për të miratuar reforma. Nga ana tjetër, këto reforma do të përmirësonin kohezionin e një BE-je me më shumë se 30 shtete anëtare dhe do t'i ndihmonin ata t'i rezistonin presionit të jashtëm.

Një komunitet politik nuk do të ishte një zëvendësues për zgjerimin e BE-së, por një mekanizëm për të ndihmuar vendet kandidate dhe ato që synojnë të jenë  kandidate në rrugën e anëtarësimit.

Përfitimet e përkatësisë në një komunitet politik nuk duhet të fokusohen vetëm në zgjerimin e një tregu të vetëm pasi do të krijonte përshtypjen se BE nuk është asgjë më shumë se një bllok tregtie. Unioni duhet të përforcojë qëllimin si një projekt politik.

Për më tepër, ai duhet të ofrojë siguri për anëtarët e komunitetit, duke ndihmuar në rritjen e qëndrueshmërisë së tyre ndaj një sërë sfidash të sigurisë (përfshirë sulmet kibernetike, dezinformimin dhe përdorimin e korrupsionit për të minuar stabilitetin politik).

Për të arritur këto qëllime, BE-së nuk i duhet ndërtimi i kornizave të reja, madje ashtu mund të prodhohen struktura guaskë që lënë përsëri në vend të dytë vendet kandidate. Komuniteti politik europian duhet të ndërtohet mbi institucionet dhe politikat ekzistuese të BE-së  dhe duhet të gjejë mënyra të reja për të përfshirë vendet kandidate në to.

Takimi i qershorit i Këshillit Europian çoi në një fazë të re të politikës së zgjerimit të BE-së. Por, nëse procesi i zgjerimit vazhdon të jetë vetëm teknokratik, ekziston rreziku që kjo të rrisë zhgënjimin ndaj tij.

Politikëbërësit europianë duhet ta përshtasin procesin e zgjerimit me aspiratat e përbashkëta të shteteve anëtare dhe të vendeve kandidate, si dhe me pikëpamjet e tyre për projektin europian. Të gjitha vendet anëtare dhe vendet kandidate duhet të diskutojnë arsyet dhe pritshmëritë e tyre për anëtarësimin në BE. Për shembull, a synojnë kryesisht vendet kandidate të bëhen pjesë e tregut të vetëm, të familjes së BE-së, apo të një hapësire të përbashkët, apo të fitojnë mbrojtje nga fqinjët e fuqishëm? Të njëjtat pyetje duhet t'u bëhen vendeve anëtare aktuale të BE-së. Si e shohin ata funksionimin e BE-së me më shumë anëtarë?

Komuniteti politik europian nuk duhet të jetë vetëm një forum diskutimi, por edhe një lloj i ri shoqërimi më i ngushtë ndërmjet vendeve kandidate dhe BE-së. Ndërsa bashkimi dhe shtetet e tij anëtare shpikin këtë lloj të ri asociimi, ata duhet të kenë një mundësi për të reflektuar mbi natyrën e vetë projektit europian.

Burimi: ECFR / Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë