Bota

BE i jep Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendit kandidat, Zelensky: Moment historik

Gazeta Si - Liderët e Bashkimit Europian kanë miratuar mbrëmjen e të enjtes vendimin që i jep Ukrainës zyrtarisht statusin e vendit kandidat për në union.

Statusi i është dhënë edhe Moldavisë, ndërsa për Gjeorgjinë, udhëheqësit e BE-së nuk kanë dhënë dritë jeshile, por e kanë lënë në listën e pritjes, në pritje të reformave për të siguruar stabilitetin politik të vendit.

Presidenti Volodymyr Zelensky e përcaktoi "një moment unik dhe historik në marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Bashkimit Evropian vendimin e marrë sot nga liderët evropianë për t'i dhënë Ukrainës statusin e kandidatit për në BE".

“Një moment historik”, e cilësoi edhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, në një reagim pas vendimit. “E sotmja shënon një hap thelbësor në rrugën tuaj drejt BE-së”, shtoi ai.

Po ashtu, Michel uroi Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe atë moldav, Maia Sandu, duke thënë se “e ardhmja jonë është bashkë”.

“Sot është një ditë e mirë për Evropën. Urime Presidentit Volodymyr Zelensky, Presidentes Maia Sandu dhe Kryeministrit Irakli Garibashvili. Vendet tuaja janë pjesë e familjes sonë evropiane. Dhe vendimi i sotëm historik i liderëve e konfirmon këtë”, shkruan në një postim në Twitter, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

Statusi i vendit kandidatit është një emërtim kryesisht simbolik ku pranohet se vendi i përzgjedhur është në rrugën e duhur për të filluar procesin e gjatë, kompleks dhe shpeshherë të ndërlikuar të anëtarësimit.

Kandidatura nuk garanton automatikisht fillimin e negociatave, e as përfundimin e tyre. Gjatë dekadave të fundit, statusi i vendit kandidat i është dhënë edhe Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Turqisë.

Jo më larg se sot u vendos që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të mos i hapeshin zyrtarisht negociatat.

Kjo për shkak të vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Por për shkak se në proces po trajtohen të dyja bashkë, nga ky vendim e pësoi edhe Tirana zyrtare. Një shembull ky që tregon procesin e ndërlikuar të anëtarësimit.

Sa i përket Ukrainës, statusi i vendit kandidat përfaqëson një fitore gjeopolitike. Deri në fillim të këtij viti para nisjes së luftës, Ukraina nuk konsiderohej një pretendent serioz për të hyrë në BE.

Vendimi shihet gjithashtu si një përgjigje ndaj përpjekjes së Rusisë për të rivendosur sferën e saj të ndikimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë