Politike

Shqipëri-Holandë, projekt i përbashkët për komunitetin e ri politik europian

Gazeta Si - Gjatë vizitës së tij në Holandë, kryeministri Edi Rama ka hedhur për diskutim  idenë e presidentit të Francës, Macron, për një komunitet të ri evropian.

Në këtë aspekt, Rama thotë se Rutte i kërkoi që Shqipëria dhe Holanda të punojnë bashkërisht se si duhet të jetësohet ideja e komunitetit të ri evropian.

Këtë këndvështrim, Shqipëria e Holanda do ta paraqesin në samitin e BE që do të mbahet në Pragë gjatë muajit Tetor.

“Shqipëria bashkë me Holandën do të përgatisin një propozim të tyren për se si duhet të artikulohet në terrenin e jetës reale europiane, ideja e presidentit të Francës për Komunitetin e Ri Politik Europian, - ka zbuluar Rama, teksa ka ndarë pamje nga takimi me homologun e tij. - Kjo është një ide e re për të gjeneruar një energji dhe fuqi të re europiane, pa e zëvendësuar dhe as anashkaluar procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian”.

Rama shton se ideja e propozimit shqiptaro-holandez mori jetë pikërisht gjatë vizitës në Hagë, ku duke vlerësuar lart punën dhe arritjet e Shqipërisë, po edhe duke çmuar kontributin kritik në tryezën e Këshillit Europian.

Kreu i qeverisë thekson se kryeministri Mark Rutte, “më kërkoi të hidhnim në letër, bashkërisht, si dy vende mike, njëri në rrënjët e BE-së, tjetri ende jo në BE, një këndvështrim të përbashkët për sesi duhet të jetësohet ideja e komunitetit të ri politik europian”.

Për Ramën, “ky është një moment i paimagjinueshëm deri pak vite më parë i Shqipërisë në arenën politike ndërkombëtare dhe më gjerë si edhe një shprehje prekëse për Shqipërinë e për shqiptarët”.

Ai shton se do të punohet me kryeministrin Rutte për të nxitur një debat konstruktiv e produktiv për Europën e të gjithë europianëve, në Samitin e Madh për këtë temë, në Pragë tetorin e ardhshëm.

“Do të punojmë me kryeministrin Rutte dhe skuadrat tona për të nxitur një debat konstruktiv e produktiv për Europën e të gjithë europianëve, në Samitin e Madh për këtë temë, në Pragë tetorin e ardhshëm, ku do të paraqesim edhe propozimin tonë”, thotë kryeministri Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë