Muzike

Enkeleda Kamani: I pazëvendësueshmi emocion i Operas

Ëndrra e të gjitha këngëtareve lirike është të shkelin njëherë mbi të famshmin Teatro alla Scala-n të Milanos. Enkeleda Kamani, sopranoja nga Shqipëria jo vetëm që e arriti në një moshë të re, por ia doli të renditej e para mes gjashtë finalistëve të Akademisë së këngëtarëve Operistikë.

Viti i kaluar, që e çoi botën në një gjendje të panjohur pasigurie dhe frike, qëlloi në mënyrë paradoksale të ishte viti i shpërthimit të sopranos shqiptare në teatrot e Italisë. Roli i fundit, para se qeveria italiane, si shumë të tjera në Europë dhe në botë prezantuan masat e ashpra të karantinës, ishte ai i Lucias në "Lucia di Lammermoor" të Donizetti-t. Dalja nga izolimi e riktheu shpejt Kamanin në dritat e skenës, në rolin e Oscar-it tek opera “Një Ballo me Maska”.

“Të mund t’ia rinis pas gjithë këtyre muajve me një opera, me të cilën jam dashuruar me dëgjimin e parë, me një kastë të jashtëzakonshëm, në Teatrin e bukur del Maggio e, mbi të gjitha të mund të ndiej edhe njëherë emocione të forta, adrenalinën e skenës dhe dashurinë e publikut, më ngjau sikur po jetoja edhe njëherë një ëndërr”, shkruante sopranoja pas premierës, duke shtuar në gjuhën italiane “Viva la musica!”

Ndonëse në shumë vende teatrot i çelnin dyert me frikë, në atdheun e Operas, Enkeleda nuk e ndali hapin për 2020-n,  me Rigoletto apo la Serva Padrona, deri në ditët e fundit të dhjetorit.

Rikthehet në këtë sezon me rolin e Gilda-s, në “Rigoletto”, në 120 vjetorin e kompozitorit Giueppe Verdi. Një prej roleve më të dashur, siç thotë ajo.

Enkeleda Kamani në rolin e Gilda-s tek Opera "Rigoletto"

Rikthimi tek të kënduarit, nuk qe i lehtë, rrëfente në rrjetet sociale, ndërsa i duhet të përshtatet me realitetin e ri, që shpesh i kalon shfaqjet në live streaming, ku duartrokitjet e publikut përkthehen në “views” të platformave online. Thotë se kohëve të fundit ka qenë pjesë e shumë produksioneve online, por të paktën është ngjitur mbi skenat e teatrove. “Ne si artistë kemi nevoje për publikun, për adrenalinën, për energjinë e tyre”, rrëfen në këtë intervistë për Gazeta Si. Për të, Opera duhet shijuar dhe përjetuar live. “Nuk krahasohet asnjëherë emocioni qe transmetohet dal vivo me atë të  regjistruar”.

Transmetimet online, mendon sopranoja, duhen vlerësuar si një formë që i sjell tek publiku, por është një realitet që nuk mund të vazhdojë gjatë. Vendi i publikut është në sallë, për të shijuar përsëgjalli magjinë e muzikë operistike, dramën e saj, të vuajë e të gëzojë me fatin e personazheve.

Mes pikëpyetjeve të mëdha sesi do të ngjajnë gjinitë e artit pasi lufta me koronavirusin të mbetet një kujtim në të shkuarën, duket se  Opera ka një siguri se do t’ia dalë të mbretërojë, si gjithëherët, ku asnjë zhvillim teknologjik nuk arriti t’ia zbehë madhështinë e as ta zëvendësojë me forma të tjera...Rrugëtimi i sopranos shqiptare në Itali vijon, ndërsa kritikët shkruajnë se “një yll i ri ka lindur”.

Enkeleda Kamani në prova, Foto kortezi: Teatro del Maggio, Firence.

Aktualisht je e angazhuar me Rigoletto. Një vit i rëndësishëm Verdian,  në 120 vjetorin e vdekjes së tij. Si ndihesh në veprat e Verdit dhe konkretisht në rolin e Gilda-s?

Verdi është një nga kompozitorët më të rëndësishëm të muzikës operistike dhe sigurisht që ndihem me fat që,  mundësitë e mia vokale më lejojnë të interpretoj disa nga rolet e tij. Sigurisht, kërkon studim dhe një përgatitje të caktuar profesionale dhe artistike për ta interpretuar në mënyrën e duhur.

Përsa i përket rolit të Gildës, është një nga rolet më të dashur për mua, kam një lidhje emocionale shumë të fortë me të dhe jam gjithmonë shumë e lumtur kur më  propozohet për ta kënduar.

Enkeleda Kamani. Foto kortezi: Armand Sallabanda.

Një vit i vështirë për njerëzimin e veçanërisht për artin. Si e ke përjetuar 2020, nga izolimi e deri tek rihapja?

Pak para se të ‘izoloheshim’ isha në Verona me shfaqjet e Lucias dhe realisht nuk e kisha imagjinuar kurrë se çfarë na priste pas pak ditësh dhe,  le të themi që,  duke qenë diçka e panjohur dhe duke mos e kuptuar rrezikshmërinë që  kishte ky virus, këtu në  Itali e morëm pak ‘thjesht’,  por që kushtoi shumë  më  vonë  siç të  gjithë e kemi parë.

Unë sapo e kuptova që situata po fillonte të bëhej serioze u ktheva menjëherë pranë prindërve në Shqipëri për të  mos ndenjur vetëm dhe ishte vendimi më  i mirë  që  mund të merrja, për më tepër që kisha vite e vite pa ndenjur aq gjatë me to. Sigurisht isha e lumtur që isha pranë familjes sime, por njëkohësisht më mungonte shumë teatri, muzika, publiku, kolegët, çdo gjë.

Si qe për ty dhe më gjerë për komunitetin artistik lajmi i rihapjes së teatrove, megjithë masat e shtuara anti-covid?

Anulimet e njëpasnjëshme të  kontratave, mbylljet e teatrove për muaj ose vite, ishin lajme shume të trishtë  për të gjithë ne. Derisa në verë,  kur situata u normalizua disi, filloi rihapja e teatrove duke shfrytëzuar ambientet e hapura. Produksioni i parë  mbas mbylljes ishte “Ballo me Maska” pikërisht në  Firence,  ku ndodhem aktualisht. Sigurisht, nuk ishte asgjë si më parë  për shkak të masave të  forta anti-covid, por të  ngjitesha ë rish në skenë për të  kënduar, me kolege fantastike e përballë publikut, ishte emocionuese deri në  lot.

Enkeleda Kamani. Foto kortezi: Armand Sallabanda.

Nga Lucia di Lammermoor tek Ballo me Maska, pas  rihapjes. Cilat ishin emocionet që të përshkuan ? A mund të shihej si  një lloj fitoreje e artit mbi pandeminë?

Siç e shpjegova pak më  sipër emocionet ishin shumë të mëdha, por ajo që ndihej më tepër ishte ‘etja’ jone për të  qenë  në skenë dhe ajo e publikut për të na parë në skenë.

Unë personalisht muzikën e mendoj si një element jetësor të  njeriut, e cila ka një fuqi të jashtëzakonshme për të depërtuar në shpirtin dhe emocionet e çdokujt e pa të cilën nuk mund të jetohet dot dhe padiskutim që do t’i rezistojë çdo lloj vështirësie.

Duhet thënë që karriera jote ka parë një kulmim në periudhën 2019-2020, në kohë të vështira dhe sfiduese duhet thënë. Çfarë të ka shtyrë të ecësh përpara?

Më shtyn përpara pasioni, sakrificat dhe dashuria e madhe që  kam për atë ç’ka bëj.

Enkeleda Kamani në Teatrin Mbretëror, Madrid.

Nga Akademia e Arteve në Tiranë, në Akademinë e Teatrit alla Scala e tanimë  një soprano që po i prek teatrot e Italisë, megjithë peshën e historisë së operas që ato mbajnë. Si e ke parë këtë rrugëtim deri më tani?  A ndihesh  si në shtëpi?

Në fakt, unë e kthej kokën shumë  shpesh mbrapa për të mos harruar kurrë nga kam ardhur dhe për të vazhduar me e sigurt përpara.

Që  në  hapat e parë të  këtij rrugëtimi e deri tani kam ndjekur disa parime, e para të punoj fort, e dyta të mos bëj kurrë kompromis me profesionin dhe e treta,  të bej aq sa mundësitë e mia vokale më  lejojnë.

Përpos këtyre, jam munduar që të  hedh hapat e duhur në momentin e duhur (duke u bazuar gjithmonë në  përgatitjen time profesionale) dhe gjithashtu kam pasur fatin që të takoj njerëzit e duhur dhe,  mund të  them që deri tani jam shumë e kënaqur.

Italia është padiskutim shtëpia ime e dytë.  Sa  më shumë  jetoj e punoj këtu, aq më e fortë dhe e pandashme bëhet lidhja ime me të.

Enkeleda Kaman, në teatrin Alla Scalla, Milano

Cilat janë rolet që i shkojnë më për shtat vokalit, por edhe moshës tënde? Cilat janë rolet më të dashura në repertorin tënd deri më tani? 

Një nga vështirësitë më  të  mëdha të një këngëtari lirik, është që  të  kuptojë  se çfarë repertori i përshtatet zërit dhe moshës së  tij. Unë,  përveç guidës së mirë pedagogjike që  kam pasur dhe që  i jam shume mirënjohëse, fatmirësisht kam pasur edhe intuitën për të kuptuar se çfarë nuk duhet të bëj, çfarë është ‘shume’ per mua, sepse zëri është një instrument shumë delikat dhe që duhet përdorur me shumë,  shumë kujdes.

Për momentin, por që do vazhdojnë edhe për shumë  gjatë  me siguri, disa nga rolet që  i përshtaten vokalit tim janë: Gilda (Rigoletto), Adina(Elisir d'amore), Norina(Don Pasquale) Lucia(Lucia di Lammemoor) Susanna(Le nozze di Figaro) etj, etj. Se cili rol është më i dashur nuk e ndaj dot, por një debulesë shumë  të  madhe kam për Lucian.

Enkeleda Kamani në "Prima la musica,poi le parole", në La Scala

Sa kohë të duhet të futesh në lëkurën e një personazhi dhe si e jeton personazhin ditë pas dite në skenë?

T’i japësh jetë dhe zë  një personazhi është një  nga proceset më  të  vështirë,  por njëkohësisht që të jep më shumë kënaqësi. Para se të  nis një produksion i kam gjithmonë idetë e mia (duke u bazuar në ndjesinë personale),  por për ti konkretizuar më  tepër dhe për t’i dhënë formën finale personazhit bëhet një punë shumë e madhe me regjisorin e shfaqjes.

A ke pasur një rol model në këtë profesion që ke zgjedhur? A ka qenë dhuntia në vokal apo një dashuri e jotja për kanton lirike që të shtyu drejt kësaj rruge?

Rol model nuk kam pasur dhe nuk kam,  sepse mendoj qe secili prej nesh ka rrugëtimin e vet në jete.

Nëse nuk ke dhunti vokale nuk mundet ta vazhdosh dot këtë profesion sado dashuri të kesh. Kam filluar të  këndoj që në  moshe fare të  vogël, në fillim këngë për fëmijë, pastaj muzikë  të lehte e atë popullore. Aktivizohesha  rregullisht në  festivale të ndryshme,  derisa në  moshën  14 vjeçare vendosa të konkurroj në Liceun Artistik. Në fillim isha pak konfuze sepse nuk e njihja mire muzikën klasike.  Ishte  një botë e re për mua, por sa më shumë e zbuloja ndër vite, aq më shumë e dashuroja dhe nuk jam shkëputur më  asnjë moment prej saj.

Ajo që spikat tek ti, le të themi, është një ambicie e madhe për të dalë e parë, për të qenë fituese. Ke spikatur në rezultate në Akademinë e Arteve , në Festivalin Marie Kraja, arrite të dallohesh në Akademinë La Scala. A mendon se ambicia, përpos talentit, është çelës për sukses në këtë profesion?

Varet se çfarë ambiciesh ke në  jete, unë jam për atë pozitiven që  ke me veten tënde pa cenuar askënd, por më  tepër se ambicie, që  të  ecësh përpara e të  kesh sukses të ndihmon puna e palodhur, sakrificat e mëdha, kurioziteti për të  mësuar sa më  shumë dhe përulësia.

Jo vetëm pandemia, por edhe zhvillimi teknologjik duhet se po e riformaton botën që njihnim deri tani. A e mendon se këngëtarët lirikë do të duhet të gjejnë mënyra të reja qasjeje ndaj publikut, ku performancat online po shtohen ose në disa vende janë edhe e vetmja alternativë shfaqjeje? 

Ky është diskutimi i vitit ne fakt dhe do më  duhej shumë  kohë për ta diskutuar gjerë e gjatë, gjithsesi. Këto kohët e fundit kam bërë shumë produksione dhe të gjitha kanë qenë online. Së pari dua të falënderoj drejtuesit e teatrove që pavarësisht kushteve aspak normale për askënd kanë vendosur gjithsesi të  mos i mbajnë mbyllur teatrot dhe të  shkojnë përpara duke mare përsipër risqe shumë  të  mëdha, por ne si artistë kemi nevoje për publikun, për adrenalinën, për energjinë e tyre. Opera duhet shijuar dhe përjetuar live, nuk krahasohet asnjëherë emocioni qe transmetohet dal vivo me atë të  regjistruar.

Streaming është absolutisht një zgjidhje optimale për momentin që  duhet vlerësuar shumë patjetër por nuk mund te  vazhdoje për një kohë shumë të gjatë.

Mendon se opera, e cila i ka rezistuar deri më tani kohërave dhe është përshtatur me to, por pa u zhdukur, do të mbretërojë në teatër dhe skenë dhe nuk do të zëvendësohet dot?

Opera sigurisht që  është e pazëvendësueshme dhe do ‘mbretërojë’ për shume e shume vite të tjera. Dhe për ta mbyllur, uroj me gjithë zemër që ta kalojmë këtë situatë  e t’i kthehemi sa më shpejt normalitetit tonë që na mungon aq shumë, duke pasur gjithmonë prioritet shëndetin. Intervistoi. S.B/ Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë