Mendim

Ekspertët e ekonomisë apel publik për daljen nga kriza

Një iniciativë e ngjashme me 131 akademikët britanikë kundër BREXIT, apo në rastin e Greqisë për futjen e vendit në zonën euro, tre ekspertë shqiptarë, të njohur në fushën e ekonomisë dhe financave, në fushën akademike e politike; Arben Malaj, Selami Xhepa dhe Adrian Civici kanë përgatitur një draft për apel publik lidhur me gjendjen e vështirë që po kalon vendi.

Të tre ekspertët ftojnë kolegët për rekomandime dhe mbështetje.

Qëllimi i Apelit publik është të ndërgjegjësojë për marrjen e masave dhe parandalimin e një krize të rëndë politike, ekonomike e sociale që kërcënon të sotmen dhe të ardhmen tonë.

“Bazuar në analizat profesionale të treguesve thelbësorë të ekonomisë dhe financave publike të vendit, të paralajmërimeve publike dhe të përsëritura të disa institucioneve financiare ndërkombëtare, vlerësojmë dhe apelojmë se është kritike të identifikohet dhe arrihet sa më parë një marrëveshje politike, fillimisht për të ndalur përkeqësimin, dhe më pas marrjen e masave dhe zbatimin e reformave thelbësore për një zhvillim ekonomiko-social efiçent e të qëndrueshëm.”- citojnë ekspertët në draftin e përgatitur.

Sipas tyre, sot ekonomia shqiptare nuk ndikohet kryesisht apo vetëm nëpërmjet politikave ekonomike, monetare dhe fiskale, por sidomos nëpërmjet besimit dhe pritshmërive që individët, bizneset, të rrinjtë, konsumatorët, investitorët, etj, kanë dhe krijojnë për të ardhmen e vendit.

Ata sugjerojnë se kriza mund të vazhdojë të :
*Nxisë dhe përshpejtojë braktisje masive të vendit, jo vetëm nga të rrinjtë, por dhe nga shtresa e grupe te tjera sociale e profesionale;
*Përkeqësojë deficitin demografik duke na shtyrë drejt pakësimit dhe plakjes së popullsisë;
*Varfërojë dhe ulë cilësitë e kapitalit human dhe social;
*Krijojë mungesë të fuqisë punëtore dhe ekspertizës së kualifikuar;
*Përkeqësojë destabilitetin dhe defiçitin e skemave të pensioneve;
*Ngadalësojë investimet e huaja;
*Nxisë e stimulojë uljen e konsumit dhe të investimeve;
*Rrisë defiçitin buxhetor dhe borxhin publik;
*Rrezikojë stabilitetin e finacave publike, të cilat mund ta përshpejtojnë, e bëjnë më të rëndë dhe më të gjatë peshën krizës;

"Eksperienca kombëtare e ndërkombëtare na dëshmojnë se krizat reduktojnë mundësitë që politikat ekonomiko-financiare dhe zhvillimit të përcjellin në kohë reale efektet e ndërhyrjeve dhe reformave strukturore në ekonomi", thonë ata. Ndërhyrje që sipas tyre, rezultojnë konjukturore dhe me efekte afatshkurtra, që mund të zbusin, por nuk i shërojnë rrënjët e krizave tona, të cilat kërcënojnë të rrikthehen më të ashpra dhe me kosto të rënda.

Ekspertët gjykojnë se kriza e mungesës së besimit tek institucionet politike, ligjore e administrative, dhe përkeqësimi i saj nga zhvillimet aktuale do të provokojë një rënie më të thellë ekonomike e financiare, rritje të papunësisë dhe varfërisë, ulje të fuqisë blerëse, konsumit e mirëqënies, duke rrezikuar përkeqësimin e kohezionit tonë social.

“Një ekonomi me tendenca ngadalësimi që rrezikohet të shkojë drejt krizës, redukton të ardhurat dhe aktorët ekonomikë që kontribuojnë në to, kërkon rritje të vazhdueshme të presioneve fiskale dhe fondeve buxhetore, pasi numri individëve dhe familjeve që kërkojnë ndihmë dhe asistence sociale fillon dhe rritet, duke rritur borxhet individuale, borxhet e bizneseve, dhe borxhin publik të vendit”- shprehen ata në draft.

Strategjia më e mirë dhe pergjegjësia më e madhe jo vetëm e politikanëve dhe institucioneve qëndrore të vendit, por sidomos e te rrinjve, akademikëve dhe shoqërisë civile sipas tyre, është të angazhohen, të përkushtohen dhe të imponojmë në mënyrë demokratike arritjen e një marrëvshjeje politike që e parandalon krizën politike, ekonomike e sociale që po afrohet përditë dhe më shumë.

Malaj, Xhepa dhe Civici sugjerojnë se, kur krizat nuk parandalohen në kohë, efektet e tyre rriten me shpejtësinë dhe madhësinë e ortekut , shkatërojnë çfarë gjejnë përpara dhe prodhojnë efekte shumë negative për shoqërinë. “Ky është realiteti i hidhur që vjen nga historia 2-3 shekullore e krizave, por që është i freskët edhe nga kriza financiare globale e vitit 2008, ku papuësia mesatare arriti mbi 25% dhe papunësia për të rrinjtë mbi 50%, përfshirë këtu dhe të rinjtë e mirëarsimuar”- thonë ata.

Ekspertët nënvizojnë në draftin e Apelit publik se “Politikanët tanë duhet të ndjehen më të përgjegjshëm dhe më të përkushtuar për parandalimin e një krize të rëndë shumë dimensionale si krizë e besimit, krizë ekonomike, sociale dhe buxhetore”.

Mbetemi me shpresë, thonë ata, se opioni publik i vendit do të jetë një katalizator i dobishëm për domosdoshmërine e parandalimit të kësaj krize që gjithë një e më shumë po na afrohet.

Sipas tyre, në rast të kundërt, edhe kur ka rotacione politike, por nuk ka reforma të thella politike dhe reforma të thella strukturore në ekonomi dhe financat publike, taksapaguesit, dhe në rradhë të parë të rrinjtë, pesionistët dhe grupet sociale e profesionale më vulnerabël do të goditen rëndë nga kriza.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë