Treg

Ekonomia europiane përballë një goditjeje të trefishtë

Pas krizës energjetike, Europa po përballet me rritjen e importeve kineze dhe kërcënimin e tarifave të Trump

Nga Gazeta ‘Si’ - Europa nuk shquhet për dinamizmin e saj. Por sipas çdo parametri, ajo duket se është futur në një stanjacion ekonomik. E tronditur nga kriza energjetike që u shfaq menjëherë pas  fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, ekonomia e Bashkimit Europian është rritur vetëm 4 për qind që nga fillimi i kësaj dekade, krahasuar me një rritje prej 8 për qind në Amerikë.

Që nga fundi i vitit 2022, as ajo dhe as Britania e Madhe nuk janë rritur fare. Si të mos mjaftonte kjo, Europa përballet edhe me një rritje të importeve të lira nga Kina, nga të cilat ndërsa përfitojnë direkt konsumatorët, mund të dëmtohen jo pak prodhuesit.

Kjo mund të shtojë mosmarrëveshjet sociale dhe industriale. Dhe brenda një viti Donald Trump mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, duke vendosur tarifa të mëdha për eksportet e Evropës. Koha e kësaj krize për Europën është shumë e keqe.

Kontinenti ka urgjentisht nevojë për një rritje ekonomike të fortë që të ndihmojë në shtimin e shpenzimeve në mbrojtje, sidomos pasi është ndërprerë mbështetja amerikane për Ukrainën, si dhe për të përmbushur objektivat e saj drejt kalimit tek energjia e gjelbër. Votuesit e saj janë gjithnjë e më shumë të zhgënjyer dhe të prirur për të mbështetur partitë e ekstremit të djathtë si Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Dhe faktorët frenues të rritjes - një popullsi që po plaket me shpejtësi, rregulla tejet penguese dhe një integrim i përshtatshëm i tregut - janë po aty. Kryeqytetet europiane po ziejnë nga lëvizjet, ndërsa qeveritë po përpiqen të reagojnë ndaj kësaj situata. Megjithatë duhet të kenë shumë kujdes.

Sepse ndonëse goditjet me të cilat përballet Europa vijnë nga jashtë, gabimet nga vetë politikë-bërësit evropianë mund ta thellojnë më tej dëmin. Lajmi i mirë është se kriza energjitike e ka kaluar kulmin e saj:çmimet e gazit kanë rënë shumë krahasuar me kulmin e tyre 2 vjet më parë.

Një protestë për krizën energjitike që preku Europën dimrin e kaluar

Por për fat te keq sapo kanë nisur problemet e tjerëve. Përballë një ngadalësimi ekonomik për shkak të deflacionit, qeveria e Kinës është e detyruar të marrë masa për të stimuluar konsumin familjar në vend, dhe kjo mund të zëvendësojë investimet mbi pronat si një burim i kërkesës.

Por në vend të kësaj, presidenti Xi Jinping po përdor subvencionet për të shtuar prodhimin kinez, që përbën tashmë rreth 1/3 e prodhimit global të mallrave. Ai po mbështetet te konsumatorët e huaj për të mbështetur rritjen ekonomike të vendit të tij.

Fokusi i Kinës është tek produktet ekologjike, kryesisht automjetet elektrike, për të cilat pjesa e saj e tregut global mund të dyfishohet, deri në një të tretën deri në vitin 2030. Kjo do t’i jepte fund dominimit të kampionëve kombëtarë të Europës si Volkswagen dhe Stellantis.

Nga turbinat me erë tek pajisjet hekurudhore, prodhuesit evropianë po shohin me nervozizëm zhvillimet në Lindje. Pas nëntorit të këtij viti, prodhuesit mund të shohin edhe se çfarë po ndodh në Perëndim. Herën e fundit që ishte në detyrë, Trump vendosi tarifa të larta për importet e çelikut dhe aluminit, duke përfshirë edhe ato nga Europa.

BE u hakmor duke vendosur tarifa kundër motoçikletave dhe uiskit amerikan, derisa u arrit një armëpushim nën presidentin Joe Biden në vitin 2021. Sot Trump kërcënon sërish me një tarifë në masën  10 për qind për të gjitha importet; teksa këshilltarët e tij premtojnë se mund të shkohet edhe më tej.

Donald Trump mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, duke vendosur tarifa të mëdha për eksportet e Evropës

Një raund tjetër i luftës tregtare, po kërcënon eksportuesit e Europës, të cilët realizuan 500 miliardë euro shitje në Amerikë gjatë vitit të kaluar. Trump është i fiksuar pas bilanceve tregtare dypalëshe, dhe kjo do të thotë se për të janë objektiva të natyrshëm 20 (nga 27) vendet anëtare të BE-së me një bilanc tregtar shumë pozitiv.

Ekipi i tij i fushatës, është gjithashtu i acaruar me taksat e Europës ndaj kompanive digjitale, taksat e saj mbi emetimet e karbonit dhe taksat mbi vlerën e shtuar. Çfarë duhet të bëjë Europa në këto kushte? Rruga që ka përpara është e mbushur me kurthe.

Një lëvizje jo e duhur do të ishte një politikë ekonomike shumë e shtënguar në një moment brishtësie si ky aktuali. Një gabim që Banka Qendrore Europiane e ka bërë më parë. Vitet e fundit BQE i është kundërvënë me të drejtë inflacionit përmes rritjes së normave të interesit. Por në dallim nga Amerika që po shpenzon shumë, qeveritë e Europës po i sjellin buxhetet e tyre në një ekuilibër më të mirë, gjë që duhet ta ripërtërijë ekonominë, teksa mallrat e lira kineze do të ulin direkt inflacionin. Kjo iu jep hapësirë ​​bankave qendrore të Europës që të ulin normat e interesit për të mbështetur rritjen ekonomike.

Sigurisht, do të jetë më e lehtë për t’u përballur me krizën që vjen nga jashtë nëse bankat qendrore e mbajnë ekonominë jashtë një krize të tillë që do t’i ndalonte punëtorët e zhvendosur të gjejnë punë të reja. Një kurth tjetër do të ishte kopjimi i proteksionizmit të Amerikës dhe Kinës, duke dhënë subvencione të mëdha për industritë më të favorizuara. Betejat e subvencioneve, janë një lojë me shumën zero dhe i shpërdorojnë deri në fund edhe ato burime të pakta.

Dhe brenda Europës, vendet kanë tashmë nisur një garë brenda-kontinentale. Problemet e fundit ekonomike të Kinës tregojnë të metat, po jo virtytet e planifikimit të tepruar të qeverisë. Politika industriale e Amerikës, nuk i ka mahnitur votuesit, ashtu siç kishte shpresuar presidenti Biden, dhe tarifat kanë kushtuar më shumë vende pune sesa kanë prodhuar.

Përkundrazi, tregtia i bën ekonomitë më të pasura, madje edhe kur partnerët e tyre tregtarë janë proteksionistë. Një bum i prodhimit në Amerikë, është një shans për prodhuesit europianë që të furnizohen prej andej. Ndërkohë importet e lira nga Kina, do ta bëjnë më të lehtë tranzicionin drejt energjisë së gjelbër, dhe do të ofrojnë lehtësim për konsumatorët që vuajtën jo pak gjatë krizës energjetike.

Hakmarrja selektive dhe proporcionale kundër proteksionizmit, mund të justifikohet me një përpjekje për ta bindur Amerikën dhe Kinën të heqin dorë nga ndërprerja e mëtejshme e flukseve tregtare globale. Por kjo do të kishte një kosto për ekonominë e Europës, dhe do të dëmtonte objektivat e saj të synuar.

Në vend të kësaj qasje, Europa duhet të krijojë një politikë ekonomike të përshtatshme për momentin. Ndërsa Amerika po e ndihmon industrinë e saj me para publike, Europa duhet të shpenzojë shumë për infrastrukturën, arsimin dhe kërkimin dhe zhvillimin.

Në vend se të imitojë ndërhyrjen e Kinës, Europa duhet të vërë re me kujdes përfitimin që nxjerrin kompanitë kineze nga një treg i madh vendas. Integrimi i tregut të shërbimeve të Europës, ku tregtia mbetet e vështirë, do t’i ndihmonte kompanitë që të rriten, do të shpërblejë inovacionin dhe do të zëvendësonte disa vende pune të humbura në prodhim.

Ndërkohë Bashkimi Europian, duhet të reformojë rregulloren e saj shumë të ndërlikuar dhe të fragmentuar, e cila e pengon jo pak aktivitetin e industrisë së shërbimeve. Unifikimi i tregjeve të kapitalit - duke përfshirë ato në Londër - do të kishte të njëjtin efekt.

Diplomatët europianë, duhet të nënshkruajnë marrëveshje tregtare kudo që janë ende në ofertë, në vend se t’i lënë fermerët që të ndikojnë tek ato, siç ka ndodhur tek disa nga negociatat e fundit. Lidhja e rrjeteve të energjisë elektrike, do ta bënte ekonominë më elastike ndaj krizës në sektorin energjetik dhe do të lehtësonte tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër.

Sigurisht, një axhendë kaq e hapur në një epokë proteksioniste mund të duket naive. Por janë tregjet e gjera dhe të hapura, ato që kanë potencialin të nxitin rritjen ekonomike të Europës, ndërsa po ndryshon bota rreth saj. Ndërsa vijnë goditjet e reja për ekonominë, politikë-bërësit duhet të veprojnë bazuar tek ky realitet.

Burimi: The Economist/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë