Irena Beqiraj

Dy histori sterilizimi në një tabelë


Një analist financiar dikur thoshte "më jepni një tabelë me numra, t’ju tregoj një histori".

Tabela e mëposhtme me 14 rreshta dhe 6 numra të kuq tregon 2 të tilla. Ajo tregon numrin e seteve të përdorura sipas viteve të ndara në bazë të tre kompleksiteteve, i lartë, i mesëm, i ulët, si dhe përdorimin e paketimeve me avull dhe paketimeve me temperaturë të ulët nga viti 2016 deri në 31 korrik 2023.

LEXO EDHE:
- Dy fakte për sterilizimin!

Numrat tregojnë që edhe pse për setet kirurgjikale oferta jo fituese ofron çmimet më të ulta, buxheti i shtetit do të kishte paguar deri në 31 korrik 2023, 8.95 miliardë lek nëse ajo do të ishte shpallur fituesja, ndërkohë që në realitet kemi paguar rreth 8.9 miliardë lekë pra rreth 48 milionë lekë më pak.

Po si ka mundësi?

Ka mundësi sepse djalli si gjithmonë fshihet në detaje.

Ofertuesit jo fitues janë treguar të zgjuar edhe dinakë. Ata kanë ulur me 20-45% çmimet e seteve kirurgjikale por nuk kanë nguruar të kompensojnë ato me një çmim 25 herë më të lartë për paketimet me avull, të cilat do t’i ofronin me 6800 lek.

Pra, gjithë kursimi që do të realizohej nga çmimet e ulëta të seteve kirurgjikale nga të cilat janë përdorur 406.282 copë, do të tejkalohej nga vlera 2.35 miliardë më e madhe që do të kishim paguar për paketimet me avull, nga të cilat janë përdorur 359.678 copë.

LEXO EDHE:
- Afera e ‘sterilizimit’, si u shkel kontrata me kostot dhe hezitimi i ish-ministrit Cani. Pagesat kaluan përtej parashikimeve
- Ilir Beqaj thyen heshtjen dhe mbron sterilizimin: Disa të vërteta për "koncesionin", Umbro Staccinin e Ilir Rrapajn i njoha kur u bëra ministër
- ‘Sterilizimi’/ Argumentet e SPAK në padi dhe dyshimet ndaj koncesionarit dhe MSH

Pra, edhe pse është krijuar bindja publike që oferta jofituese ishte 20% më e lirë, tabela bërtet: “Nuk është e vërtetë!”

Por ka edhe një histori tjetër shumë interesante.

Në vitin 2018, pagesat për koncensionarin u bënë shqetësuese edhe kapën shifrën 1.7 miliardë lek. Tabela tregon se është përdorur numri më i ulët ndonjëherë i paketimeve me avull dhe numri më i lartë ndonjëherë i seteve me kompleksitet të ulët.

Në vitet e tjera numrat “normalizohen”.

Pra kjo tregon se në ndërhyrjet mikrokirurgjikale në vend të paketimeve me avull që kushtojnë 266 lek janë përdorur setet kirurgjikale me kompleksitet të ulët që kushtojnë 13.900 lek.

Ky fenomen lidhet me keqmenaxhimin edhe keqimplementimin e kontratës së sterilizimit, proces që kryhet nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Por edhe pse oferta jo fituese nuk ishte më e lirë nga ajo fituese, kjo nuk më pengon të dyshoj që kostot e sterilizimit janë të fryra me dashje. Por që ta konsideroj këtë një fakt të pamohueshëm, më duhet një tabelë tjetër dhe ca shifra të tjera.

Ndaj i dua shifrat sepse ato favorizojnë përulësinë ndaj krenarisë, dyshimin mbi sigurinë, kuriozitetin e shëndetshëm mbi mbylljen e mendjes.


Copyright © Gazeta “Si”