Irena Beqiraj

Kur klasës së mesme mirëqenia i përcakton vetëdijen, demokracia është e pamundur!


Barrington Moore pohonte: “Pa borgjezi nuk ka demokraci! Teoria e modernizimit kishte në bazë një koncept të thjeshtë: " rritja ekonomike çon në krijimin e një klase të mesme të fortë dhe një klasë e mesme e fortë është mekanizmi që trasformon rritjen ekonomike në  rritje të kërkesave për demokraci”.   Në një anketë të bërë nga Barometri në Euroneës  më shumë se 64% e të anketuarve ndiheshin më mirë ekonomikisht krahasuar me vitet 90 , ndërsa 47 % e tyre e konsideronin veten "klasë e mesme ". 

Studiuesit e kanë njohur prej kohësh heterogjenitetin e klasës së mesme edhe pse shpesh e përshkruajnë atë si një grup homogjen. Në kulturat perëndimore, personat që përfshihen në klasën e mesme priren të kenë  në një përqindje të lartë diplomë universitare, ata  kanë më shumë të ardhura në dispozicion për konsum, kanë një shtëpi edhe një pension të sigurt.  Në klasën e mesme shpesh futen profesionistët, menaxherët dhe nëpunësit civilë. Klasa ose shtresa  e mesme përkufizohet gjithashtu si shtresa që fiton nga 67% deri në 200% të të ardhurave mesatare vjetore. Pra në Shqipëri përfshihen njerëzit që fitojnë nga 4,200 Euro/vit deri në 12,530  Euro/vit.

E ndërsa 47% e të anketuarve pretendojnë se i përkasin kësaj shtrese edhe kjo nuk është një masë e vogël, pse paradoksalisht Shqipëria edhe pas 30 vitesh noton në ujrat e autokracisë?!. 

Duket se nuk qenkërka  ekzistenca në masë të madhe e klasës së  mesme që siguron demokracinë  por janë interesat dhe perspektivat  që  shtyn ose jo klasën e mesme të kërkojë demokraci.

Në regjimet  autoritare  mirëqenia e klasës së mesme  është e ndërlidhur me  shtetin.

Psh, Shqipëria ka një  klasë profesionistësh që mbështetet edhe është mbështetur gjerësisht për punësim në burokracinë shtetërore, por edhe kur punon në sektorin privat suksesi i saj varet nga  lidhjet e ngushta që krijon me shtetin, apo qëndrimeve që mban karshi tij.

Në vende ku më shumë se 1/3 e njerëzve me arsim të lartë punojnë në shtet, ku statusi dhe pozicioni i tyre është arritur edhe mbështetet drejtë për së drejti, ose indirekt  nga  shteti, ku ka perspektiva alternative të limituara  për karrierë në sektorin privat, ku privilegjet dhe përfitimet varen nga fakti se kush e kontrollon shtetin politikisht, ku cdo qeveri e re zëvendëson punonjësit e sektorit publik me besnikët partiakë, apo mbështet profesionistët privatë brenda  korpusit të saj politik,  demokratizimi shëndrohet në  labirinth rreziku dhe pasigurie.  

Klasa e mesme shfaqet e  rezervuar ose indiferente  ndaj ndryshimit, pasi cdo tranzicion demokratik rrit pasiguritë për të.

Kur klasa  e mesme  ka frikë se papritmas mund ta gjej veten pa punë, pa bukë, pa ngrohje, pa mundësi,  atëherë mund te thuhet se "mirëqenia i përcakton asaj vetëdijen"  edhe  rrjedhimisht  kjo shtresë  mendon e vepron  ndryshe nga" borgjezia e nevojshme për demokracinë"  që portretizonte  Barrington Moore në teorinë e modernizimit.

Ne padyshim jemi ekonomikisht disa fish më mirë  sesa ishin në vitet 90, por demokracia  ka rezultuar mision i pamundur, pikërisht se kemi një klasë të mesme të ndërvarur nga shteti.  E njëjta forcë që do te bënte demokracinë  të mundur  sipas teorisë se modernizimit duket se është forca që shkatërron tensionet edhe pengesat në themelet e saj.

Ndaj rritja e klasës së mesme të varur ka çimentuar edhe do të vazhdojë të çimentojë autokracinë.


Copyright © Gazeta “Si”