Kombetarja

Dritëhijet e Kristian Panuçit dhe bilanci i humbjeve që la pas

Nga Ardit Hoxha – Mes pritshmërish të mëdha prej një emri prestigjioz si futbollist dhe dëshirës së pakufishme të të gjithëve për të shkuar sërish në një kompeticion madh, Kristian Panuçi u ul në stolin e kombëtares shqiptare më 19 korrik 2017. Duke zëvendësuar një emër me peshë të madhe në drejtimin e ekipit kuqezi, si Xhani De Biazi, Panuçi që në fillim e pati malore aventurën e tij kuqezi. Duke mos llogaritur fitoren me modestët e Lihtenshtejnit, Kristian Panuçi do i mbyllte eliminatoret e kampionatit botëror, me 2 humbje nga Italia e Spanja dhe një barazim me Maqedoninë e Veriut.

Me mbylljen e eliminatoreve të botërorit për rezultatin e të cilave, Panuçi nuk mund të fajësohet, pasi erdhi në kohën kur llogaritë ishin mbyllur dhe për më tepër që grupi ishte më shumë se i hekurt, erdhën miqësoret. U nisën mirë, me një fitore të bujshme me Turqinë 2-3, por pjesa tjetër ishin një dështim total, humbje me Norvegjinë, me Ukrainën dhe një shuplakë nga Kosova 3-0. Deri në këtë pikë Panuçi ishte një dështim me ekipin kombëtar dhe fitoret me Turqinë në miqësore dhe Lihtenshtejnin, ishin shumë pak.

Liga e Kombeve, një kompeticion i ri dhe njëkohësisht ishte një mundësi e re për trajnerin italian që si rrallë herë u votëbesua nga presidenti i FSHF-së, Armando Duka edhe pas këtyre rezultateve negative. Vetëm një fitore minimale 1-0 në shtëpi me Izraelin dhe tre humbje, madje të thella, si ajo me Skocinë në “Loro Boriçi” 0-4, konfirmuan edhe një herë se diçka nuk shkon me ekipin kombëtar kuqezi të drejtuar nga Panuçi. Por edhe pas këtij dështimi, çuditshëm, tekniku italian u votëbesua sërish dhe qëndroi në pankinën kuqezi edhe për eliminatoret e kampionatit europian.

Turqia që ndezi shpresën, e shkarkoi

Fitorja më e bujshme dhe ndoshta ajo që prodhoi një fije shpresë se Panuçi mund të ectë në gjurmët e De Biazit, ishte triumfi në Stamboll me Turqinë e Mirçea Luçesku 2-3. Një Shqipëri që rrallë ishte parë të luante në atë lloj stili, sulmuese dhe shumë e hapur, pësoi 2 gola, por shënoi tre dhe që nga ai moment të gjithë filluan të ëndërrojnë për një ekip që mund të shkojë larg, si në vitin 2016, por këtë herë edhe me lojë të bukur. Por kjo gjë mbeti vetëm një mirazh dhe një ëndërr, pasi do të ishte e para dhe e fundit ndeshje që Shqipëria fitoi një ndeshje me stilin “allaPanuçi”. Në fjalorin e analistëve sportive shqiptarë, pasi ishte zhdukur për 2-3 vite, filloi të rishfaqej termi, “humbje me dinjitet”. E tillë u konsiderua ajo me Skocinë në “Hampden Park” 2-0, por edhe ajo më Izraelin në Ber Sheva po 2-0. Por, përtej këtyre “humbjeve dinjitoze”, në mes pati edhe humbje turpëruese, si ajo me Skocinë në Shkodër, apo edhe kjo e fundit me Turqinë mbrëmjen e të premtes.

Raporti i ftohtë dhe përplasjet me disa lojtarë

Kalimi nga epoka De Biazi, në epokën Panuçi, nuk ishte aq i lehtë. Nëse i pari duhej nga të gjithë si në dhomat e zhveshjes dhe ata në shkallët e stadiumit, për të dytin nuk pati aq shumë dashuri. Sa për shkak të rezultateve dhe pritshmërive të mëdha që të gjithë kishin krijuar, por edhe për shkak të sjelljes arrogante dhe të përplasjeve të njëpasnjëshme me analistët dhe gazetarët pas ndeshjeve. Panuçi që nga koha kur ka qenë futbollist ishte i dalluar për karakterin e tij të vështirë dhe shpërthyes. Por gazetarët dhe arroganca në konferencat për shtyp ishin problemi më i vogël për Panuçin.

Tekniku italian nuk e kishte pothuajse në asnjë moment të qetë situatën në dhomat e zhveshjes. Në fillim ishte çështja e kapitenit. Me De Biazin dhe më herët të gjithë ishim mësuar që shiriti i kapitenit ishte në krahun e majtë të LorikCanës, por ky i fundit pas europianit “vari këpucët në gozhdë” duke lënë një vakum të madh në kombëtare. Mavraj, Roshi, Hysaj, Berisha, Memushaj, Hyka, Agolli, Lila dhe të tjerë e kanë mbajtur shiritin e kapitenit të kombëtares, duke krijuar kështu një situatë të paqartë për liderin e ekipit në dhomat kuqezi, siç ekipi kishte pasur gjithmonë. Përveç shirtit të kapitenit, Kristian Panuçi pati edhe disa përplasje me futbollistë me peshë në kombëtare. I pari, që u projektua dhe si kapiteni pas largimit të Cancës, Ansi Agolli nuk u përfill nga Panuçi për disa ndeshje, duke bërë që e gjitha media t’i dalë kundër.

Por aso kohe, Panuçi u justifikua me moshën e madhe dhe prurjet e lojtarëve të rinj kuqezinj në atë krah të mbrojtjes. Agolli nuk mbeti për shumë gjatë vetëm, pasi morisë së “armiqve” do i shtohej edhe Sokol Cikalleshi. Sulmuesi kavajas në ditën e fundit të merkatos do duhej të firmoste kontratën që i përcaktonte të ardhmen e sezonit dhe i kërkoi leje trajnerit Panuçi që të vinte një ditë me vonesë në grumbullimin e kombëtares. Por italiani u tregua “diktator”, duke mos e toleruar në asnjë moment dhe iu kthyer se nëse nuk vinte në kohë, më mirë të mos vinte fare në grumbullim. Kur historia Cikalleshi u harrua dhe atmosfera në kombëtare dukej se po kthehej si e dikurshmja, Strakosha “humbi avionin”. Portieri titullar i Lacios dhe i klasifikuar si një nga më të mirë të Serinë A nuk u pranua nga trajneri Kristian Panuçi në grumbullim, pasi nuk mund të vinte në orarin e përcaktuar. Sipas asaj që u raportua në media, Strakosha e humbi avionin për shkak të trafikut në autostradë, por edhe këtë herë Panuçi nuk toleroi. Përtej të gjitha deklaratave të lojtarëve kuqezinj në konferenca që mbështetën trajnerin dhe e cilësuan gabim veprimin e Strakoshës, u duk se diçka u thye në mesin e grupit kuqezi. Pastaj edhe deklarata e fortë e Lenjanit në facebook, sikur ndihmoi në krijimin e një pështjellimi jo shumë pozitiv në kombëtare në këtë ndeshje të parë eliminatore.

Panuçi “armik” edhe me tifozët

“E respektoj publikun, por këta janë lojtarët që do të vazhdojmë në ndeshje të tjera. E kuptoj publikun që acarohet dhe shpresoj të reagojmë”- këto ishin fjalët që Panuçi ka thënë për mediet në lidhje me tifozët menjëherë pas ndeshjes. Ndër të rrallët raste, kur një trajner i kombëtares shqiptare shahet në kor nga tifozët, Panuçit i ndodhi dy herë. Në rastin e parë pas humbjes me Skocinë dhe në herën e dytë po në “LoroBoriçi” në humbjen me Turqinë. Por fjalët që Panuçi tha nga aeroporti, pak para largimit, në një intervistë për Top Channel, tregojnë për një hap pas të trajnerit si dhe një ndjesë për rezultatet që nuk mundi dot t’ia sjellë kombëtares. “Njerëzit kur humbet Shqipëria vuajnë, në fakt edhe unë. Kam shumë respekt për shqiptarët. I kam falënderuar sot në mëngjes lojtarët për gjithçka që më kanë dhënë deri në momentin e fundit. Uroj të bëjnë gjëra të mira, do të jenë gjithmonë në zemrën time”- ka thënë Panuçi nga aeroporti “Nënë Tereza”.

Stili i lojës dhe hija e De Biazit

Me De Biazin, por edhe më herët gjithmonë kishim parë një Shqipëri që zbriste në fushën e lojës me objektiv për të mos pësuar dhe të përfitonte nga rasti më i mirë për të shënuar dhe fituar ndeshjen. Por Panuçi kishte disa ide ndryshe. Trajneri 45-vjeçar kërkoi të ngjizte në ekipin kombëtar të Shqipërisë një stil loje më sulmues. Me tre mbrojtës, në disa raste edhe me tre sulmues, gjithmonë tekniku italian kërkoi që të sillte një risi në lojën e ekipit kombëtar kuqezi. Por kjo dëshirë e Panuçit u kuptua shumë herët që nuk mund të bëhej realitet te Shqipëria, që lojtarët e saj në nivelin e lartë i ka me pikatore, duke shpresuar që mos të kenë dëmtime në klubet e tyre. Dhe ky fat i keq i qëlloi Panuçit, që shumë pak ndeshje i kishte të pesë lojtarët kryesorë të repartit të sulmit. Një herë mungonte Grezda, një herë Sadiku dhe një herë tjetër Roshi. Kjo bëri që formacioni dhe skema e Panuçit të mos ishte dy herë e njëjtë. Pas dështimeve me stilin sulmues të lojës, Panuçi u bind se me Shqipërinë mund të arriheshin rezultate nëse ne kthehemi në origjinë, pra duke u mbrojtur. Por edhe me këtë stil loje më defensiv nuk ishte e thënë që Shqipëria e Panuçit të kishte sukses. Në ndeshjen me Turqinë, trajneri 45-vjeçar kishte hedhur në fushë që nga minuta e parë, 5 mbrojtës, me një skemë më shumë defensive se kurrë më parë. Por në këtë moment, Panuçi u “tradhtua” nga ata që kishte më shumë besim, mbrojtësit që luajnë në Serinë A. Gjimshiti në golin e parë dhe Hysaj në golin e dytë, nuk e bënë siç duhet detyrën e tyre me kundërshtarët turq dhe humbja që do të sillte shkarkimin e trajnerit nuk mund të evitohej.

Në dy vite e gjysmë në drejtimin e ekipit kombëtar të Shqipërisë, Panuçi pati gjithmonë mbi kokën e tij, një “hije të rëndë”, atë të Xhani De Biazit. Ish-trajneri i kombëtares e ndoqi ekipin e Panuçit në disa ndeshje afër nga stadiumi dhe në pjesën më të madhe të tyre ishin humbje me lojë zhgënjyese. Të gjithë teksa shikonin De Biazin në stadium bënin krahasimet e ekipit me atë të para katër viteve dhe pa dyshim që për Panuçin kjo ishte një sfidë shumë e vështirë për t’u tejkaluar.

Besimi nga Duka dhe në fund shkarkimi

Zgjedhja e trajnerit të ekipit kombëtar është një vendim personal i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kështu përcaktohet në rregulloren e këtij institucioni. Duka pas përvojës pozitive me De Biazin, dëshiroi që ta vazhdonte “dashurinë” italiane, por këtë herë me një trajner me më pak eksperiencë. Panuçi, siç edhe vetë kreu i FSHF e ka thënë, ishte një zgjedhje e guximshme dhe me përfitime në disa plane. Nuk kërkoi rrogë shumë të lartë, mund të ndikonte në rritjen e marketingut dhe gjithashtu ishte një trajner i ri me ambicie për t’u bërë i madh, ndoshta edhe në nivelin ku arriti si futbollist. Me rezultatet që mungonin dhe loja që nuk tregonte shenja shpresë ndeshje pas ndeshje, Armando Duka nuk u dorëzua dhe vijoi t’i besonte Panuçit deri në fund. Edhe pas humbjes 4-0 në “Loro Boriçi” me Skocinë, kreu i FSHF sërish e votëbesoi italianin dhe i dha mundësinë që të fillonte këto eliminatore për kampionatin europian.

Por ky besim i verbër deri diku i Armando Dukës zgjati deri mbrëmjen e 22 marsit. Numri një i qeverisë shqiptare të futbollit nuk ka kapërdirë dot humbjen me Turqinë mbrëmjen e shkuar dhe ka marrë vendimin për ta shkarkuar Panuçin. Kanë qenë tre orë takim kokë më kokë, ato që vendosën fatin e Panuçit, i cili më pas kuptoi se nuk mund të vazhdonte të ishte në krye të drejtimit të Shqipërisë. Ende nuk është bërë e qartë nëse Panuçi do të vijojë të paguhet nga FSHF si pasojë e shkarkimit, apo mes palëve është gjetur një gjuhë e përbashkët. Në rast se Panuçi dhe Duka nuk kanë një marrëveshje, italiani do të paguhet deri në muajin nëntor me 20 mijë euro në muaj, siç parashikohet në kontratë. Por sidoqoftë, italiani është larguar mëngjesin e kësaj të shtunë drejt Italisë me avionin e parë. Në fjalët e fundit para largimit për Top Channel, Panuçi ka thënë se vendimi ka qenë i Dukës dhe se atij i mbetet vetëm ta pranojë. Përtej të gjithë kohës së kaluar në vendin tonë, që për hir të së vërtetës në disa raste nuk ishte aq e lehtë, Panuçi ka thënë se ruan respekt maksimal për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Ishte vendim i presidentit dhe e pranoj. Ka qenë eksperiencë fantastike dhe falënderoj të gjithë Shqipërinë. Punova në qetësi të plotë falë Dukës, por në fund rezultatet nuk ishin të mira dhe presidenti vendosi të më largojë. Ishte e rëndësishme të isha trajner i një kombëtareje, për këtë arsye u them të gjithë një faleminderit. Ka gjithmonë një fajtor dhe në këtë rast jam unë përgjegjësi”- tha Panuçi.

Post Panuçi dhe zëvendësuesit potencial në stolin kuqezi

Pa u zyrtarizuar ende largimi i Panuçit nga drejtimi i kombëtares, filluan të dalin në pah emrat që mund ta zëvendësojë italianin. Përveç De Biazit që gjithmonë është përfolur për një rikthim të mundshëm në stolin kuqezi, ka edhe disa emra që orët e fundit po lakohen si të mundshëm që mund të marrin drejtimin e ekipit kombëtar kuqezi. Më i fundit që mbrëmë ka qenë edhe në stadiumin “LoroBoriçi” është Edi Reja. Ish-trajneri i Lacios që prej dy vitesh nuk drejton asnjë ekip, mësohet se është në negociata për të marrë drejtimin e kombëtares kuqezi, duke vazhduar kështu aventurën e ekipit tonë me trajnerë italian. Përveç Rejas, më herët janë përfolur për të marrë drejtimin e kombëtares edhe disa trajnerë shqiptarë me eksperiencë ndërkombëtare, si Besnik Hasi apo edhe Bledar Kola. Të dy kanë trajnuar në nivele të rëndësishme në futbollin ndërkombëtar dhe disa herë iu është lakuar emri se mund të marrin drejtimin e kombëtares, por asnjëherë nuk ka pasur diçka konkrete.

Tabela e ndeshjeve të Shqipërisë me Kristian Panucin në stol:

 

Më Shumë