Kombetarja

Sylvinho ka gati 100% listën e Europianit…e shpall në fundjavë!

Nga Gazeta 'Si'-Prej pak ditësh trajnerët e skuadrave përfaqësuese pjesëmarrëse në europianin “Gjermani 2024”, kanë filluar të zbulojnë pjesërisht, ose të plotë, listën e 26 lojtarëve që do të përbëjnë tashmë ekipet përfaqësuese. Por e gjithë vëmendja jonë pa dyshim mbetet e te Kombëtarja kuqezi, si një prej 24 skuadrave që do të jetë pjesë e Europianit, për herë të dytë në histori.

Trajneri brazilian i Kombëtares sonë ishte ndër të paktit trajnerë që në mbledhjen teknike të UEFA-s muajin e shkuar ishte kundër shtimit të listës nga 23 në 26 lojtarë, kjo për arsye, se në logjikën e tij dhe planin përgatitor stërvitor, 3 lojtarë më tepër mbi numrin e paracaktuar sjell një pakënaqësi te futbollistët dhe ka një shkallë vështirësie më të lartë të menaxhimit. Gjithësesi tashmë është fakt.

Kjo sigurisht që është një zgjidhje për disa dyshime që mund të ketë pasur trajneri për listën në kokën e tij, pasi nga kualifikueset e Europianit vitin e shkuar, disa gjëra kanë ndryshuar dhe këtu mund të përmendim një prej protagonistëve të edicionit kualifikues, si Jasir Asani, i cili thuajse nuk ka zhvilluar një ndeshje të plotë prej mëse 4 muajsh, po ashtu Nedim Bajrami minutat i ka patur të kufizuara nga dhjetori dhe në muajt e parë të vitit, Taulant Seferi luan në Emiratet e Bashkuara me një frekuencë shënimi jo shumë të mirë dhe nivel konkurrueshmërie të ulët. Për të mos harruar Armando Brojën me zero ndeshje të plota te Fulhami, skuadra e tij e re, apo risia e muajve të parë të këtij viti 2024 të Rei Manaj në një superformë në kampionatin turk.

Kështu që nëse dikush nga grupi që na solli nga kualifikueset në finalet e këtij Europiani dhe që nuk ka bërë mirë në këto muaj të 2024, por as në ndeshjet miqësore me Kilin apo Suedinë, do të ketë shansin të provohet në dy miqësoret e prag të Europianit dhe në grumbullimin që do të bëhet prej rreth 12 ditësh në Austri, një stash stërvitor që fillon më 31 maj.

Gjithsesi duket se nga 80% e listës që Sylvinho kishte në mendje për të grumbulluar nga lojtarët që na sollën në këto finale Europiani, ndoshta lista është thuajse 100% ajo që ishte, shtuar këtu edhe ndonjë emër që ka qenë në mëdyshje, apo që nuk është grumbulluar gjithmonë.

Megjithatë trajneri brazilian, sipas burimeve të brendshme të Gazetës SI kishte planifikuar datën 28 maj, si ditën kur do të zbulonte listën prej 26 lojtarët që do të marrë në Gjermani. Një datë e zgjedhur për të pritur edhe fundjavën e ardhshme, si e fundit në Europë për kampionatet, ku lojtarët tanë janë të aktivizuar dhe për të qenë të qartë dhe sigurtë për ndonjë dëmtim të mundshëm.

Por me gjasë, tashmë në kokën e trajnerit Sylvinho lista është e plotë dhe me gjasë do të jetë fundjava tjetër ajo që do të zbulojë zyrtarisht emrat e 26 “fatlumëve” që do të mbajnë veshur fanellën kuqezi përballë Italisë, Kroacisë dhe Spanjës, kundërshtarëve tanë të parë në grupin që na ka rënë në finalet e “Euro2024”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë