Komunitet

Dokumenti/ Sulmet terroriste dhe efekti nga lajmet e rreme, sa e përgatitur është Shqipëria

Një dokument i hartuar nga ministria e Mbrojtjes e Mbrojtjes “Për rishikimin e strategjisë së mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë” konfirmon se Shqipëria është e ekspozuar ndaj sulmeve terroriste. Në këtë dokument përcaktohet se Shqipëria po përballet me një mjedis sigurie shumë dinamik rajonal dhe ndërkombëtar. Ky mjedis mund të rezultojë në rreziqe dhe kërcënime që, në mënyrë të paparashikuar, mund të ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë kombëtare.
“Si vend anëtar i NATO-s dhe kontribuues për paqen e sigurinë globale, Republika e Shqipërisë është e ekspozuar ndaj terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, kërcënimit konvencional, kibernetik dhe hibrid, të cilat, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, kërcënojnë sigurinë kombëtare”, thuhet në dokument e miratuar nga qeveria e që mban firmën e zv/kryeministrit Erion Braçe. Në këtë dokument vlerësohet se pozita gjeografike e ekspozon vendin tonë ndaj dukurive të tranzitit të narkotrafikantëve me origjinë nga Azia dhe e vendos atë afër rreziqeve që burojnë nga destabiliteti në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Transferimi i konflikteve politike, veçanërisht i atyre me bazë fetare etnike, trafiqet dhe emigracioni i paligjshëm mbeten sfida të rëndësishme për sigurinë e vendit.
“Në të ardhmen, Shqipëria do të vijojë të jetë e ekspozuar ndaj kërcënimeve tradicionale ushtarake, formave të tjera të kërcënimeve terroriste, kërcënimeve kibernetike, luftës hibride, emigrimit të paligjshëm, krimit të organizuar dhe aktiviteteve të shërbimeve të huaja të inteligjencës. Ekstremizmi i dhunshëm me frymëzim ideologjik, fetar dhe nacionalist do të vazhdojë të jetë sfidë dhe kërcënim konstant për sigurinë kombëtare. Zhvillimet jo të mjaftueshme socialekonomike, varfëria, mungesa e arsimimit në shtresa të caktuara të shoqërisë krijojnë terren për zhvillimin e kësaj dukurie”, thuhet më tej në këtë dokument strategjie.
Sa i përket asaj që shikohet si kërcënimi konvencional, sipas këtij dokumenti ai përbën një kërcënim të vazhdueshëm për vendin tonë, për shkak të pozicionit gjeostrategjik, të kaluarës historike dhe anëtarësisë në NATO, që mund të gjejë mbështetje nga aktorë shtetërorë.


Natyra terrorizmit

Duke e cilësuar se Shqipëria është e ekspozuar ndaj rrezikut të mundshëm të sulmeve terroriste, si rezultat i pjesëmarrjes dhe angazhimit në strukturat rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe kontributit për paqen dhe sigurinë globale, dokumenti përcakton edhe rrugët se si mund të shfaqet ai.
Kërcënimi më i mundshëm terrorist, me të cilin përballet Shqipëria, vjen nga grupet e ekstremizmit të dhunshëm me frymëzim ideologjik, fetar apo nacionalist. Zhvillimet në disa shtete në konflikt, në afërsi gjeografike me vendin tonë, sipas dokumentit të qeverisë janë burim i mundshëm frymëzimi, rekrutimi dhe indoktrinimi i individëve, me qëllim planifikimin dhe ekzekutimin e veprimtarive ekstremiste-terroriste jashtë këtyre zonave. Përdorimi i mediave sociale lehtëson komunikimin, propagandën dhe përhapjen e këtij fenomeni. Emigracioni i paligjshëm është një nga kushtet që mund të shkatojë me lëvizjet e tij dhe aktet të natyrës së ndryshme.Shqipëria, si këtij dokumenti, nisur nga pozicioni gjeografik, mund të shërbejë si vend transit dhe mund të preket nga një fluks i konsiderueshëm migrantësh me origjinë nga vendet në konflikt dhe të pastabilizuara. Kjo dukuri kërcënon sigurinë e vendit tonë, rrit mundësinë e projektimit të dukurive të terrorizmit dhe kërkon angazhim të madh të burimeve kombëtare dhe strukturave të sigurisë.

Dokumenti i miratuar nga qeveria shqiptare


Kërcënimi kibernetik dhe ai hibrid
Operacionet kibernetike konsiderohen një nga kërcënimet kryesore në hapësirën kibernetike të NATO-s dhe shteteve anëtare. Këto operacione, ka gjasa të përdoren nga aktorë shtetërorë, grupe të ndryshme apo edhe individë, për të grumbulluar informacion në fushën politike, ekonomike, shkencore dhe teknike, si dhe duke i përdorur këto mënyra të reja si mjete politike për të ndikuar mbi kundërshtarët e tyre. Për këtë zhvillimi i infrastrukturës e ekspozon Shqipërinë ndaj kërcënimeve dhe rrit mundësinë e sulmeve kibernetike. Kërcënimi ndaj linjave të komunikimit dhe furnizimeve energjetike (infrastrukturës kritike kombëtare) Shqipëria, pavarësisht burimeve të veta energjetike hidrike, është e varur edhe nga sistemet dhe rrjetet ndërkombëtare të furnizimit. Në dokument përmendet edhe fakti Shqipëria është pjesë e projektit të TAP gjë që mund të rrisë mundësinë e kërcënimeve të energjisë.
Në këtë dokument përmendet edhe fakti se Shqipëria mund të përfshihet edhe në atë që cilësohet si sulmi hibrid. Ku aktorë shtetërorë dhe jo shtetërorë në mjedisin e sotëm të sigurisë po përdorin këtë lloj lufte për shtrirjen e ndikimit për arritjen e synimeve të tyre.
Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, kërcënohet nga operacionet hibride, të cilat kanë si qëllim destabilizimin e funksionimit të shtetit dhe polarizimin e shoqërisë. Operacionet dezinformuese, së bashku me mjete të tjera të tilla si përdorimi i medias për propagandë, mund të synojnë arritjen e epërsisë në fushën e informacionit dhe përhapjen e ndikimit. Edhe pse nuk përmend me emra konkretë të “armiqve”, Shqipëria, sipas dokumentit, dhe aleatët e NATO-s po përballen me sfida të sigurisë, të cilat vijnë kryesisht nga lindja dhe jugu i saj.

Faksimile e dokumentit të Sigurisë


Në rast të agresionit ushtarak, Forcat e Armatosura, në mënyrë të pavarur ose në bashkëpunim me aleatët e saj, në kuadrin e mbrojtjes kolektive, realizojnë mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë me objektiv për t’i rezistuar e për të penguar armikun dhe për të rivendosur sovranitetin kombëtar, në të gjithë territorin e RSH-së, nëse ai cenohet. Këto forca koordinojnë skenarët e planëzimit të mbrojtjes me Planet e Mbrojtjes së Krahut Jugor të Aleancës, në bashkëpunim me vendet anëtare, bazuar në artikullin 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Personeli i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FARSH të sipas këtij dokumenti do të përbëhet nga 8900 vetë, të kategorizuar në oficerë, nënoficerë, ushtarë/detarë dhe civilë, me grada e specialitete të përcaktuara me ligj. Shpenzimet për personelin parashikohen të jenë të balancuara me kategoritë e tjera të shpenzimeve të mbrojtjes, ndërsa raporti i shpenzimeve për modernizim të arrijë masën 20% të totalit të shpenzimeve për mbrojtjen. Kjo do të krijojë mundësinë e zhvillimit të kapaciteteve të FARSH-ve, duke siguruar modernizimin dhe infrastrukturën e nevojshme të saj. Buxheti i mbrojtjes do të rritet gradualisht nga 1.20% e PPB në vitin 2019, në 2% të PPB në fund të vitit 2024. Prioritetet e modernizimit në periudhën 2019–2025, sipas këtij dokumenti do të jenë: Grup-Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë; Sistemi i Vëzhgimit të Hapësirës Ajrore e Detare; Baza Ajrore Kuçovë; njësia ushtarake e mbrojtjes kibernetike; zhvillimi i kapaciteteve të veçanta (Niche), kapaciteteve të kërkim-shpëtimit dhe kapaciteteve për përballimin e emergjencave civile. Gjithashtu është përcaktuar se komponenti rezervist të përbëjë 25% të numrit të përgjithshëm të FARSH-ve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë