Njerez

“Do të abuzohet me më të varfërit”/ Feja kundër surrogacisë: Preket institucioni më i shenjtë, ai i nënës. Pasoja të tmerrshme sociale dhe ligjore!

“Do të abuzohet me më të varfërit”/ Feja kundër surrogacisë: Preket institucioni më i shenjtë, ai i nënës. Pasoja të tmerrshme sociale dhe ligjore!

Nga Sorgena Leka - Një nga kundërshtarët më të mëdhenj të surrogacisë është padyshim feja.

Për Gazetasi.al, përfaqësuesi i Kishës Katolike Mark Pashkja dhe pastori Akil Pano kanë argumentuar pse janë kundër surrogacisë, dhe jo vetëm nga ana fetare…

Pashkja thotë me këtë ligj preket institucioni më i shenjtë njerëzor që është institucioni i nënës.

Gjithashtu, ai shton se këto politika janë ekstremisht të dëmshme dhe sjellin pasoja të tmerrshme, jo vetëm në aspektin personal dhe ligjor por edhe në identitetin e fëmijës apo pasojat sociale.

“Ky ligj i hap rrugë një sërë abuzimesh, pasi mund të përfitohet nga rregullimi i këtij ligji”.

Përfaqësuesi i Kishës Katolike Mark Pashkja. Gazeta Si, prill, 2024.

Në një vend me standardet ekonomike si i joni, thotë Pashkja, mund të abuzohet me disa shtresa që për arsye ekonomike, mund të jenë më vulnerabël dhe viktima.

“Nëse një nënë pranon të jetë surrogate, pranon për shkak të kushteve ekonomike. Është një ligj që denigron shtresën e varfër, duke I shtyrë të bëjnë gjëra që janë të pakonceptueshme”.

Pashkja shton se absolutisht nuk mund të lihet mënjanë një grua që e mban një fëmijë për 9 muaj në bark, e cila jep nga jeta e saj, e përditshmja e saj, jep nga trupi dhe shpirti.

“Praktikisht po prodhohen individë me dy nëna që është e palejueshme. Le të mendojmë për një fëmijë që vjen në jetë për shkak të këtij procesi. Në momentin që fëmija do rritet, mund dhe të ketë një krizë identiteti, pasi edhe vetë shtatzënia është një proces jetësor që ngulit lidhjen emocionale me nënën”, shpjegon Pashkja.

Pastori Akil Pano thotë se “legalizuesit e mëdhenj të shkeljeve morale vijojnë projektin e çbërjes, goditjes dhe përçudnimit të jetës, familjes, fëmijëve, etikës dhe moralit”.

Ai thotë se historia e surrogacisë ka një ‘anë të errët’.

Pastori Akil Pano. Gazeta Si, prill, 2024.

Më poshtë, Pano ka renditur implikimet e mëdha të surrogacisë dhe pse ky projektligj nuk duhet të votohet.

1. Surrogacia ekspozon vajzat dhe gratë ndaj trafikimit dhe shfrytëzimit për përfitime financiare nga tutorët. Ka shumë raste që lidhen me potencialin për shfrytëzim dhe shtrëngim të grave zëvendësuese, veçanërisht në situata ku ato mund të përballen me disavantazhe socio-ekonomike ose autonomi të kufizuar. Kryesisht janë vajza të reja ose gra që jetojnë në kushte tejet të vështira të cilat ofrojnë trupin e tyre kundrejt një pagese relativisht të lartë.

2. Sfidat emocionale dhe psikologjike: Surrogacia përfshin sfida komplekse emocionale dhe psikologjike për të gjitha palët e përfshira, duke përfshirë zëvendësuesin, prindërit e synuar dhe fëmijën, veçanërisht në rastet e kompleksiteteve gjenetike, gestacionale ose ligjore.

“Mbase shumë persona nuk e njohin faktin e lidhjes fizike, emocionale dhe shpirtërore mes nënës dhe bebit gjatë shtatzënisë. Por, surrogacia nuk ekspozon vetëm të rriturit e përfshirë në marrëveshje ndaj sfidave të mëdha psiko-emocionale, por më së shumti fëmijën ndërsa nis udhëtimin e tij në këtë botë”, thotë Pano.

Ai thotë se përmes surrogacisë, jeta njerëzore komercializohet deri në masën ku fëmijët shihen si një aksesor dhe komoditet i dëshirave të të rriturve.

“Madje fëmijët, kundrejt pagesës mund t’i porositësh njëlloj siç porosit një telefon celular tek shitësi, një biçikletë, automjet, apo një palë perde për shtëpinë”.

Ky komercializim ngre pyetje etike në lidhje me komodifikimin e riprodhimit njerëzor dhe potencialin për shfrytëzimin e individëve vulnerabël, thotë Pano, duke shtuar se nëse procesi nis me shitje, moralisht është i gabuar pasi vendos një çmim mbi jetën njerëzore e cila në fakt nuk ka çmim.

Pano përfundon duke thënë se surrogacia është një prej çështjeve më komplekse që lidhet me jetën njerëzore, familjen dhe shoqërinë e implikimet janë shumë të mëdha dhe të pandryshueshme.

Pashkja tha për Gazetasi.al se janë ngritur dy komisione te Kishës Katolike që po shikojnë anën juridike dhe anën sociale e morale si dhe konsekuencat e këtij ligji.

“Së shpejti do dalim me një deklaratë zyrtare ku shprehin shkeljet që ne shohim në këtë projektligj”. ndërkohë që kanë kërkuar të jenë pjesë e komisioneve që do të votojnë këtë ligj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë