Njerez

Biznesi i panjohur i vezoreve në Tiranë

Biznesi i panjohur i vezoreve në Tiranë

Nga Gisela Troplini - Ishte fund i verës 2023, kur Mariana.P nga qyteti i Durrësit, banuese në Tiranë, u gjet përballë një dileme. Pasi e hoqën nga puna e saj me pagë minimale, ëndrra metropolitane e Marianës u zhbë. 

24-vjeçarja kishte dy zgjidhje: të gjente paratë për të paguar qiranë për të mos humbur shtëpinë e saj në kryeqytet apo të rikthehej në vendin e saj të lindjes, ku e priste e ëma e sëmurë. Të renë mund ta ndihmonte vetëm “leku i shpejtë” dhe zgjidhjen ja dha një nga vajzat që bashkëjetonte. Të dhuronte vezët.

“Vajza me të cilën ndaja qiranë më dha disa informacione dhe telefonova klinikën e parë që gjeta. Nuk mora parasysh se mund të kishte kritere apo efekte anësore. Doja vetëm të dija çmimin e vezëve të mia. Unë kisha muaj që nuk punoja, por nuk mund të kthehesha përsëri tek familja”, thotë ajo në një rrëfim për Gazetasi.al.

Dhe çmimi që i thanë ishte bindës: 900 euro për një donacion. Me to ajo mund të paguante disa muaj qira.  

“Për mua 900 euro në ato momente ishin shpëtim. Pagova qiranë dhe lashë diçka mënjanë. Por leku i shpejtë të shijon”, shprehet duke qeshur A.P dhe pranon se e bëri përsëri.

“Herën e dytë pagesa për vezët shtohej me 200 euro dhe nuk do kaloja më testimet e herës së parë. Qiraja e shtëpisë duhet të paguhet çdo muaj”, thotë Mariana si në tentativa për t’u shfajësuar.

Duke u treguar e kujdesshme për identitetin e bashkëjetueses së saj, Mariana tregon se ajo shiti vezët edhe për të shlyer një kredi. 

“Tregu” i vezëve

Ndonëse ligji shqiptar ndalon dhurimin e vezëve për qëllime përfitimi, kjo është e vetmja rrugë për t’i gjetur ato. Këtë e pranojnë dhe klinikat vendase që kryejnë fertilizim in vitro.

“Ne na ofrohen dhe pranojmë. Kërkesa vetëm po rritet dhe sigurisht qëllimi është ekonomik. Asnjëra nga vajzat nuk vjen këtu sepse po mendon t’i bëjë nder një çifti”, shprehet në anonimitetet një ndër mjekët që kryen procesin e thithjes së vezëve.

Gjinekologu Ardi Prushi, tregon se “tregu” i shitjes së vezëve në vend nuk është ende i konsoliduar dhe se shumë vajza nuk kanë informacione për një opsion të tillë.

“Patjetër qe klinikat e spitalet qe kryejnë procedurat e Fertilizimit In Vitro janë tepër te interesuara. Është shumë e vështirë gjetja e donatoreve por kjo për arsye se nuk bëhet fushatë apo publicitet për këtë procedurë. Në fakt, nga eksperienca, shume vajza as nuk janë në dijeni të një fakti dhe mundësie të tillë”, shpjegon dr.Prushi, duke shtuar se ata nuk “i bindin” vajzat, por mirëpresin këdo që troket në dyert e klinikës.

Ndonëse i gjithë procesi është i ligjshëm, mjekët e kontaktuar nga Gazetasi.al preferuar të japin detaje pa u identifikuar.

Mjeke e një tjetër klinike spitalore në kryeqytet, tregon se oferta është në rritje, por kërkesa edhe më shumë. Gazetasi.al i kërkoi asaj shifra të fenomenit, por nuk mundi t’i aksesojë. Ajo siguron se çdo vezë e blerë përdoret për pacientë të së njëjtës klinikë.

“Infertiliteti tek gratë është më i zakonshëm nga se është pranuar. Me përmirësimin e kushteve të jetesës çiftet i mundësojnë vetes pasjen e një fëmije me anë të kësaj teknike. Ka çifte që kanë pasur nevojë për më shumë se në dhurim për shkak të dështimit të herës së parë, apo dëshirës për të patur më shumë fëmijë”, tregon mjekja që asiston në procesin e IVF-ve.

Dr.Prushi thotë se oferta e ulët vjen si pasojë e mentalitetit në shoqërinë shqiptare, por edhe si pasojë e mungesës se informacionit mjekësor.

“Më thuaj sa vjeç je, të të them sa vezë ke”

Por për të qenë një dhuruese e denjë, nuk mjafton të kesh vetëm vezore, por duhet t’i kesh ato të shëndetshme. A.P tregon se paraprakisht, ajo i është nënshtruar një sërë ekzaminimesh për gjendjen e saj hormonale, sëmundjet gjenetike apo SST-të.

“Kur i mora, pyetja e parë ishte ‘sa vjeçe je’. Kur unë thashë 24, thanë menjëherë po. Më pas nisa të bëj analizat, me kostot e spitalit sigurisht. Mjeku më dha një recetë me disa suplementë që duhet t’i merrja paraprakisht dhe më pas isha gati të bëja dhurimin”.

Klinikat që kryejnë IVF, preferojnë vajza të rritura deri në moshën 30-vjeçare, për shkak të aktivitetit të vezës. Ndonëse në kushtet e parashikuara, lindja e një fëmije nuk është problem, Blerta tregon të kundërtën.

Takuar me Gazetasi.al brenda ambientit të një klinike shëndetësore në Tiranë, Blerta me vajzën në krahë, thotë e irrituar se ajo nuk e kaloi testin për t’u bërë dhuruese vezësh. Sigurisht nuk ishin vezët ato që shqetësonin Blertën, por pagesa që ajo do të merrte. Një vajzë e kolme me flokë të gjatë, Blerta dukej se po i afrohej kufirit të moshës për donacion.

“U stepën pak nga fëmija dhe pak nga mosha. Unë nuk kam ndërmend të bëj fëmijë tjetër, ata thonë ka rrezik në fertilitet. Mezi po e rris këtë, e vetme”, thotë ajo me nxitim teksa del nga klinika, që dukej sikur e kishte ngatërruar me një institucion financiar. Skena nuk ishte e re për stafin.

Gjinekologu Ardi Prushi, thotë për Gazetasi.al se procesi nuk është i rrezikshëm, por ka kostot e veta shëndetësore. 

“Jo nuk ka risqe afatgjata, por sidoqoftë si çdo procedure mjekësore ka risqet e veta të anestezisë, medikamenteve dhe të procesit të marrjes së vezëve të quajtur "Pick Up", por këto janë risqet teorike. Në praktikë deri më sot nga eksperienca nuk kemi pasur të tilla probleme” shpjegon dr. Prushi.

10-12 ditë pas marrjes së ilaçeve, donatores i merren vezët, njohur si procesi i thithjes. Ato fekondohen brenda laboratorit IVF dhe më pas mbillen në mitrën e marrëses. Në rast suksesi, një foshnjë vjen në jetë.

Foto ilustruese e procesit "pick up" të vezëve, Gazetasi.al

Gratë që kanë pasur fatin të bëhen nëna, thonë se fëmija është dashuria më e madhe që mund të përjetojë një grua. Ajo vjen me përgjegjësinë, obsesionin dhe frikën. Por A.P duket e tërhequr tërësisht nga kjo ndjesi.

Shkencërisht, një fëmijë që lind nga dhurimi i vezoreve, mban pjesërisht material gjenetik të mbajtëses së vezoreve, por nuk e bën atë fëmijën e saj. Dhe me këtë shpjegim ngushëllohet dhe e reja.

“Ai nuk është fëmija ime, zhvillohet në trupin e gruaje tjetër. Unë as nuk e di kush i ka marrë ato. Qëllimi im ishin paratë.”

Për paratë ajo vendosi të dhurojë vezët e saj dhe një herë të tretë, por atëherë nisën komplikacionet.

“Pas herës së tretë kisha probleme të vazhdueshme me ciklin menstrual dhe balancën e hormoneve. Shtova peshë pa e kuptuar dhe kisha vazhdimisht këputje. Nuk mendoj se do të ketë një herë të katërt. Kostot po bëhen më të mëdha se fitimet”, përfundon A.P, rrëfimin e saj.

Në tregun europian, deri në vitin 2018, kur janë të dhënat e fundit të përditësuara, janë kryer mbi 1 mln procedura dhurimi vezësh. Kryeqyteti i këtij fenomeni është emëruar Spanja, e cila i eksporton ato edhe në vendet jashtë kufijve. Pagesa mesatare e një donacioni në Spanjë është 1.100 euro.

SHBA nga ana tjetër, ka krijuar një treg triliona dollarësh nga shitja e vezëve dhe deri në 2030-n pritet të dyfishohet.

Ndërkohë në Shqipëri një draftligj që “rregullon” këtë treg dhe ligjëron surrogacinë ka nxitur debat midis komuniteteve dhe ekspertëve, të cilët pavarësisht qëndrimit, nuk pranojnë futjen e parasë në mes.

“Deri këtu gjithçka duket normale, çiftet që nga natyra nuk mund të kenë fëmijë nisin të ëndërrojnë. Familjet prekin lumturinë!... dhe me pas vazhdon trafikimi, biznesi, leku”, shprehet për Gazetasi.al pastori Akil Pano.

Emrat e personazheve janë ndryshuar për arsye anononimati*


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë