Njerez

Femicidi në shifra alarmante/ OKB: Shtëpia vendi më i rrezikshëm për gratë

Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një fenomen shqetësues në mbarë botën, ndërsa të dhënat e fundit të Kombeve të Bashkuara tregojnë se rreziku më i madh për shumë prej tyre vazhdon të jetë brenda vetë shtëpisë.

Sipas raportit të publikuar nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC) dhe UN Women, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, gjatë vitit 2025 janë regjistruar rreth 78.000 raste femicidi në nivel global. Edhe pse kjo shifër paraqitet më e ulët krahasuar me rreth 50.000 viktimat e raportuara në vitin 2024, organizatat paralajmërojnë se kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht një ulje të dhunës ndaj grave.

Raporti evidenton se rreth 60 për qind e femicideve janë kryer nga partnerët intimë ose anëtarë të familjes. Kjo do të thotë se mesatarisht 129 gra humbin jetën çdo ditë si pasojë e dhunës nga partnerët apo familjarët e tyre.

Afrika kryeson për numrin e femicideve

Të dhënat tregojnë se femicidi mbetet një problem global, pa përjashtuar asnjë rajon të botës. Numrin më të madh të viktimave nga vrasjet e kryera prej partnerëve ose familjarëve e regjistroi Afrika, me afërsisht 22.000 gra gjatë vitit 2025.

Në vendin e dytë renditet Azia me rreth 15.000 viktima, e ndjekur nga Amerika Veriore dhe Jugore me 7.400 raste. Në Evropë janë regjistruar rreth 2.100 viktima, ndërsa në Oqeani rreth 300.

Këto vlerësime janë përllogaritur duke u mbështetur në të dhënat statistikore të 122 vendeve dhe rajoneve.

Femicidi po ulet më ngadalë se vrasjet e tjera

Një tjetër shqetësim i ngritur në raport është ritmi i ngadaltë me të cilin po reduktohen vrasjet e grave për shkak të gjinisë së tyre.

Ndërsa statistikat globale tregojnë një tendencë në rënie të vrasjeve në përgjithësi, femicidi nuk po ndjek të njëjtin ritëm. Shembull është Evropa, ku nga viti 2010 deri në vitin 2025 vrasjet në tërësi janë ulur me 43 për qind, ndërsa femicidet kanë shënuar një rënie prej vetëm 28 për qind.

Gjermania regjistron rritje të dhunës ndaj grave

Situata paraqitet shqetësuese edhe në Gjermani, ku të dhënat e publikuara nga qeveria dhe Zyra Federale e Krimeve (BKA) dëshmojnë për një rritje të vazhdueshme të rasteve të dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Gjatë vitit të kaluar, në Gjermani rreth 198.000 gra dhe vajza u regjistruan si viktima të dhunës në familje. Kjo përfaqëson një rritje prej 2,8 për qind në krahasim me vitin paraardhës.

Bilanci i viktimave është edhe më i rëndë kur bëhet fjalë për humbjen e jetëve. Sipas statistikave të BKA-së, si pasojë e dhunës në familje kanë vdekur 209 gra ose vajza, si dhe 83 burra ose djem.

Të dhënat e fundit tregojnë se dhuna ndaj grave vijon të rritet në të gjitha kategoritë e evidentuara. Shifrat nënvizojnë përmasat e një problemi që mbetet ndër sfidat më serioze sociale dhe të sigurisë, duke rikthyer në vëmendje nevojën për masa më efektive parandaluese dhe mbrojtje më të madhe për viktimat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë