Shendet

Nga ‘mitra me qira’ tek ‘pro çdo lindjeje’… Si ndahen ekspertët lidhur me surrogacinë

Nga ‘mitra me qira’ tek ‘pro çdo lindjeje’… Si ndahen ekspertët lidhur me surrogacinë

Nga Gazeta Si - Çdo grua e cila për shkaqe shëndetësore e ka të pamundur të ketë një fëmijë, ka të drejtën të bëhet nënë me anë të një nëne surrogate. Edhe pse ligji i shëndetit riprodhues i 2002 nuk e ndalonte diçka të tillë, me ndryshimet e reja po tentohet të rregullohet, me pika specifike.

Projektligji i hedhur për konsultim ka ndarë në dy ‘kampe’ mjekët, ku ka prej tyre që janë pro këtij ligji duke e mbështetur mendimin në eksperienca personale, dhe të tjerë që janë kundër pasi llogarisin se çfarë mund të sjellë ky ligj.

Astrit Bimbashi, obstetër-gjinekolog tregon për Gazetasi.al se surrogacia ka funksionuar deri më tani dhe është një hap i rëndësishëm që ligji i shëndetit riprodhues i 2002 po ripërpunohet dhe po ndryshon.

Astrit Bimbashi, obstetër-gjinekolog

“Eksperiencat deri më tani me surrogacinë kanë qenë pozitive. Ne kemi 2-3 raste kur surrogacia ka funksionuar më së miri. Ndër to është rasti i një gruaje 28 vjeç e cila nuk kishte mundësi të lindte fëmijë dhe për pasojë, fëmijën ia lindi e ëma, pasi e mbajti 9 muaj në bark”, thotë Bimbashi, duke shtuar se gjithashtu ka edhe rast që pas shumë vitesh, prindërit ftojnë nënën surrogate në ditëlindjen e fëmijës dhe janë plotësisht mirënjohës ndaj saj.

“Sigurisht nuk kanë ardhur të huaja e as nuk është bërë turizëm surrogacie. Ka qenë konsensus midis palëve dhe pa asnjë përfitim monetar. Surrogacia falas është e mirëpritur”, sqaron mjeku, i cili shton se vetë Parlamenti Europian është kundër surrogacisë përkundrejt pagesës ku së fundmi ka vendosur që surrogacinë ndërkombëtare ta cilësojë si trafikim të qenieve njerëzore.

Duke folur gjatë për ligjin për shëndetin seksual dhe riprodhues, Bimbashi thotë se ashtu si çdo ligj i ri, edhe ky ka vend për rregullime por jo nga ana shëndetësore.

“Projektligji i ri shpresoj të rregullohet dhe më shumë pasi nuk ka të përcaktuar për shembull nëse surrogacia do jetë e paguar apo falas apo cilat dokumentacione do kërkohen. Konsensusi midis dy palëve do një përcaktim ligjor, jo nga ana shëndetësore por nga ana e sistemit juridik. Duhet të kopsitet si duhet sepse është i vakët por për fillim është i duhuri”, shpjegon Bimbashi.

Mjeku obstetër-gjinekolog e mbyll komentin e tij për ligjin duke thënë se është pro çdo lindjeje të një fëmije.

“Në momentin që surrogacia bëhet për hatër të një nëne që nuk ka mundësi të ketë fëmijë, nuk ka asnjë shqetësim”.

Ndërkohë, mjeku Tritan Shehu është ndër mjekët që ka dalë kundër këtij ligji, duke e cilësuar si një ligj që do krijojë në Shqipëri “një fermë ndërkombëtare uterusesh për veprimtari kriminale, në funksion të grupeve mafioze, brenda dhe jashtë vendit".

“Ky projektligj është në tërësi një tentativë kriminale, anti nënë, anti fëmijë, anti familje e anti jetë”, thotë mjeku Shehu.

Shehu thotë se tentativa për të sjellë këtë ligj duhet bllokuar që në parim si e pa pranueshme për vlerat e kolonat mbi të cilat ndërtohen marrëdhëniet e nënës me fëmijën, familja vetë.

“Pavarësisht fjalëve te tjera ‘kufizuese’ të vendosura në ligj për të mjegulluar e sheqerosur këtë proces, esenca është ‘hapja e portave’ ndaj ‘uterusit me qira’, ose si quhet ndryshe ‘surrogato’”, thotë Shehu.

Edhe kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji ka shprehur shqetësimin për pr/ligjin.

Ligji ka parashikuar që ky akt të realizohet përmes marrëveshjes me shkrim ndërmjet palëve, që Gjergji e quan 'hapësirë ligjore abuzive'.

“Marrëveshja e pakontrolluar do ti hapte rrugë një abuzimi masiv e një skllavërie moderne e do ta shndërronte Shqipërinë në një laborator të madh kriminal” nënvizoi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë