Ngjarje

Ligji për shëndetin riprodhues / Këshilli Ndërfetar, qeverisë: Mos miratohet pa prezencën tonë në dëgjesat publike

Nga Gazeta Si- Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar pas propozimit të projektligjit mbi shëndetin seksual dhe riprodhues, duke i kërkuar institucioneve të larta shtetërore pjesëmarrjen e tyre në seancat konsultative në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në një deklaratë për mediat, Këshilli Ndërfetar ngriti shqetësimin për mungesën e përfshirjes së komuniteteve fetare në dëgjesën publike të këtij ligji, si palë e interesit.

Në letrën e hapur drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Kryeministrit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Avokatit të Popullit dhe Presidentit të Republikës, KNSH kërkon si grup interesi të ndërpritet shqyrtimi i projektligjit në fjalë, në mungesë të tyre në seancat konsultative në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ata shprehen se KNSH-së duhet t’i njihet e drejta të paraqesë vëzhgimet, prapësimet dhe kundërshtitë lidhur me projektligjin si dhe të bëhet pjesë e dëgjesave publike të këtij projektligji.

Në rast të kundërt, Këshilli Ndërfetar kërkon që projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” të mos kalojë në Kuvendin e Shqipërisë.

“Grupi i punës ka paraqitur para Bordit të Presidencës argumentet profesionale në lidhje me projektligjin në fjalë dhe efektet negative që ai mund të ketë për shëndetin e individit, familjes dhe shoqërisë. Pas një pune intensive disaditore të specialistëve të fushës, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si grup interesi, kërkon të ndërpritet shqyrtimi i projektligjit në fjalë pa pjesëmarrjen e tij në seancat konsultative në Ministrinë e Shëndetësisë, t’i njihet e drejta të paraqesë vëzhgimet, prapësimet dhe kundërshtitë lidhur me projektligjin si dhe të bëhet pjesë e dëgjesave publike të këtij projektligji. Në rast të kundërt, Këshilli Ndërfetar kërkon që projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” të mos kalojë në Kuvendin e Shqipërisë”, shkruhet në njoftimin zyrtar të KNSH.

Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë përbëhet nga Haxhi Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos, Kryepeshkop i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror i Kryegjyshatës Bektashiane dhe Pastor Ergest Biti, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë