Ngjarje

Dita e punëtorëve / Në botë protestohet, në Shqipëri mbahet një ‘tubim miqësor’

Nga Gazeta Si- Me muzikë të huaj në sfond dhe pankarta në duar, disa qytetarë u mblodhën në pedonalen “Murat Toptani” në Tiranë në një "tubim miqësor për Ditën e Punëtorëve" siç është cilësuar nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile.

Nën sloganin “Punonjës: Zgjohu! Solidarizohu! Kërko të Drejtën!”, koalicioni i 8 organizatave të shoqërisë civile dhe sindikata synon të zgjojë ndërgjegjen qytetare të punonjësve/punëtorëve, të lobojë për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet dhe për të nxitur ndryshime në politika dhe ligje që do të ndihmojnë në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Por, numri i pjesëmarrësve në tubim është aq i vogël sa qytetarë të ndryshëm kalojnë tek pedonalja pa asnjë pengesë, madje edhe me motor.

“Jam përplasur me këtë realitet shqiptar si shumica e të rinjve në vend, si ato me universitet si ato pa universitet. Unë jam bërë bashkë me sindikatën para disa javësh ku jam përplasur me një padrejtësi tek vendi i punës. Ishim 94 persona që punonim prej dy muajsh në Call Center dhe kemi qëndruar 10 ditë pa rrogë. Këtë e zgjidhëm duke shkuar në punë vetëm 5 persona. Ky shqetësim u zgjidh me një vërejtje nga inspektoriati i punës dhe u bë e mundur firmosja e kontratës nga punonjësit. Dy ditë më pas jam hasur me një padrejtësi tjetër ku pa asnjë lajmërim, jam hequr nga puna”, tha një nga të rinjtë, pjesë të Sindikatës Kombëtare të operatorëve telefonikë.

Valentin Macaj, kryetari i Sindikatës së Shërbimeve Policore u bëri thirrje personave “indiferentë, të cilët qëndrojnë nëpër kafe ndërkohë që nëpër botë protestohet për të drejtat që u mohohet.

“Këtu nuk protestohet sepse prishim imazhin e vendit, ku është thënë se këtu kemi punonjës të policisë që u del dhe u tepron rroga dhe çdo punonjës tjetër është i lumtur me punën që bën dhe rrogën që merr”, tha Macaj.

Tubimi u mbyll shpejt, pasi punonjës dhe përfaqësues të organizatave kërkuan kushte më të mira në punë dhe pagë më të lartë.

Macaj përmendi panoramën që shohim këtë ditë nëpër botë që, në fakt, është shumë ndryshe.

Çfarë po ndodh në botë sot?

Në Kosovë ka pasur protesta nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat që kërkoi rritjen e pagave, dhe nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, që marshon kundër shtypjes së klasës punëtore.

Ndërkohë në Itali, mijëra njerëz u mblodhën në sheshin e Potenza dhe 50 autobusë shkuan me qytetarë nga e gjithë Italia.

Në Greqi, federatat, sindikatat dhe punëtorët morën pjesë në dy protesta të mëdha greve në Athinë.

Protestuesit u mblodhën në vende të ndryshme në të gjithë qytetin përpara se të marshonin drejt Sheshit Sintagma.

Pjesë të protestave ishin edhe politikanë të ndryshëm, duke përfshirë kreun e PASOK-ut, Nikos Androulakis, Sekretarin e Përgjithshëm të KKE Dimitris Koutsoumbas, ish-kryeministrin Jorgo Papandreu dhe ish-ministrin e financave Euklid Tsakalotos.

Protesta të ngjashme të punës u organizuan veçmas në Selanik në Greqinë veriore.

Ndërsa, në Francë, sindikatat kanë planifikuar demonstrata masive për të protestuar ndaj nismës së presidentit Emmanuel Macron për ta rritur moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç. Organizatorët e shohin reformën e pensioneve si kërcënim për të drejtat e punëtorëve dhe rrjetin e sigurisë sociale të Francës.

Projektligji i pensioneve shkaktoi protestat më të mëdha në Francë dhe tubimet e 1 majit ishin ndër më të mëdhatë deri më tani.

Në Korenë e Jugut, dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në tubime të ndryshme, më të mëdhatë që nga fillimi i pandemisë në fillim të vitit 2020. Në dy tubimet kryesore në kryeqytet, Seul, pritej të merrnin pjesë rreth 30.000 njerëz në secilin tubim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë