Kosova

Me shezlong dhe çadër plazhi, PSD akuzon Kurtin për shkelje të të drejtave të punëtorëve: Qeveria në pushim 365 ditë

Me pankartën “Jemi në pushim vjetor 365 ditë”, një shezlong, çadër plazhi dhe një pije të vendosur përballë kryeministrisë së Kosovës, Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur një aksion simbolik si reagim ndaj të drejtave të punëtorëve, për 1 Majin.

Në një deklarim për mediat, Donjeta Demolli nga PSD-ja, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po i shkel të drejtat e punëtorëve.

“Një punëtore që e mirëmban zyren e Kryeministrit të Kosovës paguhet 185 euro në muaj. Polici blen çizmet vetë, e minatorët punojnë 800 metra nën sipërfaqen e tokës me helmeta t’thyme. Infermierët e mjekët punojnë pa mjetet e domosdoshme në spitale ku pikë tavani.

Punëtorët e marketeve nuk pushojnë as në festa, as në fundjava, e rojet e sigurisë punojnë në kabina 1 metër katror n’zhegun e ftohtin ma t’madh, gratë vazhdojnë të punojnë pa kontrata. Kryeministri në pushim. Pushim jo vetëm festave, jo vetëm në fundjavë, por 365 ditë. Për këtë arsye ne sot e kemi ilustruar qasjen e Kryeministrit përballë punëtorëve. Ajo është pushim, qejf e rahati”, tha ajo ndërsa shtoi se Kurti po pushon dhe dispozitat e Ligjit të Punës shkelen çdo ditë nga pronarët e mëdhenj.

“Punëtori i Kosovës nuk po ia del me këto kushte të punës. Dhjetra mijëra u larguan në dy vitet e fundit. Të tjerët do të vazhdojnë të neglizhohen nëse nuk organizohen. Kjo qeveri e ka dëshmu që është në gjatësi valore veç me të pasurit, veç me oligarkët. Andaj, ne jemi të bindur që klasa punëtore do të vazhdojë të shtypet e nëpërkëmbet nëse nuk organizohet në rezistencë.

Një jetë e dinjitetshme do të duhej të bëhej edhe në Kosovë, nëse Kryeministri nuk do të pushonte 365 ditë”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë