Ngjarje

Dita e dhjetë e protestës, mes mosbesimit dhe vendosmërisë

Mëngjesin e ditës së dhjetë të protestës së studentëve, para Kryeministrisë gjeje ende një grusht të rinjsh që e kishin gdhirë për kauzën e tyre. Batanijet e lagura nga shiu i natës dhe zjarri i fikur në kazanët e përdorur për ngrohje ishin të vetmet shenja të mbetura nga vendosmëria 24-orëshe e 60 protestuesve.

“E kemi gdhirë këtu. Ndezëm zjarr dhe gjatë natës policia na provokoi. Nuk na linin të merrnim dru për ngrohje dhe na provokonin civilët. Ne menduam se ishin studentë”, thotë njëri prej të rinjve, që deklaron se ishte student tek Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë.

Pak para orës 10:00 të paraditës, atëherë kur ishte dhënë kushtrimi për t’u tubuar poshtë zyrave të Kryeministrit Edi Rama numri i protestuesve ishte i pakët. Të lodhur nga nata e gjatë, ata që kishin qëndruar aty shpresonin që studentë të tjerë t’u bashkoheshin, por nuk ishin të sigurtë nëse kjo do të ndodhte.

“Po presim. Është edhe ditë me shi dhe nuk mblidhemi shumë, por ne këtu do të jemi”, thonë ata për gazetën “Si”.

Foto e protestuesve para Kryeministrise pak para ores 10:00 te dites se dhjete te protestes

Grupi i parë që u bashkua mbërriti nga Universiteti Politeknik. Nuk ishin të shumtë në numër, por mjaftueshëm sa për të gjallëruar bulevardin thuajse të zbrazët deri në ato momente.

Pak minuta më vonë aty mbërrijnë studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Ishin më të organizuar dhe më të gjallëruar në marshimin e tyre, ndërsa më vonë protestës iu bashkuan të ndrojtur aktivistët e lëvizjes “Për Universitetin”.

Studente te FSHN mberrijne ne proteste

Frika se mos protesta po politizohej i mënjanoi fillimisht, por më vonë u bënë pjesë e koreve të përbashkëta për të kërkuar miratimin e 8 kërkesave që i kanë dorëzuar Qeverisë. Fjalën mund ta merrte kushdo që dëshironte dhe të jepte mendimin e tij dhe protestuesit e miratonin ose rrëzonin përmes një kodi të pamiratuar brohoritjesh.

Shpejt u vunë re ndasitë dhe grupi i studentëve të Shkencave të Natyrës së krijoi një “podium” të dytë duke rikthyer betejën e megafonëve. Pas disa minutash thirrjeje për t’u bashkuar, ata u tërhoqën dhe vendosën që të protestonin bashkarisht.

Të vetëdijshëm që mes tyre kishte studentë aktivistë të partive politike me agjenda të tjera nga kërkesat e tyre, disa prej të rinjve bënin thirrje për unitet dhe rezistencë. Rezistenca ishte slogani i ri që u shpërfaq më fort në ditën e dhjetë.

“Dikush këtu po mundohet të na përccajë. Por ai e di mirë që ne këtu nuk kemi dialog. Ai e di mirë që ne këtu nuk kemi shifra. Të gjithë ne këtu jemi të bashkuar dhe kemi ardhur për një qëllim. Këtu s’ka asnjë diskutim, këto janë shifra konkrete dhe nuk ka çfarë të diskutohet. Zoti Kryeministër nuk na përçani dot”, deklaronte para protestuesve studenti Agred Tafaj.

Megjithatë, edhe në ditën e dhjetë mendimet se protesta nuk mund të jetë një manifestim pakënaqësie ekskluziv studentor, nuk munguan.

“Kauza e studentëve, tanimë nuk është vetëm kauza e studentëve, ajo është kauza e tërë shqiptarëve, të gjithë atyre që ndihen se nuk janë të përfaqësuar nga shteti i tyre, të tëra problemet që ata hasin në çdo ditë të jetës së tyre, dhe e gjejnë forcën tek studentët. Dhe studentët në momentin që i dhanë ultimatum kryeministrit, pardje deri në orën 16:00 i cili nuk denjoi të përgjigjej, por u mjaftua me faktin “dialog”. Ne, duke e ditur se çfarë ka bërë zotëria në fjalë, përmend këtu rastin më të freskët sicc është ai i teatrit, aktorë të cilët kanë dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh në teatrin dhe kinematografinë e vendit, u blenë për dy lekë. Ne nuk blihemi! Ne nuk shitemi! Ne jemi të vendosur! Do të qëndrojmë këtu deri në firmosjen e tetë kërkesave”, thotë Klajdi Bello, student në një universitet privat.

Klajdi Bello

Një tjetër student, që deklaroi se vazhdonte studimet tek universiteti “Albanian University”, ish-UFO u kujtoi bashkëmoshatarëve të tij të Fakultetit të Gjeologji-Minierës daljen e kryeministrit në takim me ta.

“Sot ne jemi shumë më shumë në numër dhe Kryeministri nuk del këtu”, tha ai.

Pas mesditës fjalimet vijuan herë nga studentë, herë nga qytetarë kureshtarë e mbështetës. Disa fjalime u mirëpritën dhe të tjera u rrëzuan. Mes mosbesimit dhe dyshimit për axhenda partiake dita e dhjetë u mbyll me zotimin e studentëve për të vijuar protestën, sidomos ditën e hënë më të shumtë në numër...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë