Keshilla

Disiplinimi i fëmijëve që shpesh ngatërrohet me ndëshkimin

Fjala dashuri tingëllon e butë, ndërsa fjala disiplinë tingëllon e ashpër. Këto të dyja duhet të shkojnë krah për krah kur bëhet fjalë për fëmijët. Fatkeqësisht, disiplina shpesh barazohet me ndëshkimin. Disiplina nënkupton përhapjen e njohurive për të dhënë mësim, trajnuar apo nxënë aftësi të reja. Me fëmijë që ndryshojnë nga njëri-tjetri, ka disa mënyra të ndryshme disiplinimi ku padyshim duhet të mbizotërojnë dashuria dhe qetësia. “Një fëmijë mund ta disiplinoni me dashuri, pa inat dhe nerva”, thotë psikologja Aljona Jonuzi për Gazetasi.al.

“Disa fëmijë janë tepër të ndjeshëm dhe lëndohen lehtësisht edhe nga një fyerje e butë. Të tjerë nuk dorëzohen ndaj abuzimeve të rënda. Ka mendime të ndryshme dhe shumë debate rreth metodave dhe mënyrave të duhura për të disiplinuar fëmijët. Sidoqoftë, të gjithë ekspertët pajtohen se ndëshkimi fizik është i dëmshëm dhe aspak i mirë për fëmijën”, shpjegon Jonuzi. Psikologja thotë se nëse duhet që prindërit të ndëshkojnë fëmijët, të përpiqen të mos abuzojnë duke irrituar, ofenduar fëmijët me qortime, vërejtje apo kufizime të vazhdueshme. Sipas saj,kufizimet janë të domosdoshme, por nganjëherë prindërit shumëfishojnë ose zgjerojnë rregullat aq shumë sa bëhen të rënda dhe dekurajuese për fëmijët. Më tej ajo thotë se nënat dorëzohen lehtë përpara kërkesave të fëmijëve, që ata të mos qajnë më.

Psikologe Aljona Jonuzi

Çfarë të bëni në një situatë të tillë?

Sipas Jonuzit prindërit duhet të shpjegojnë me qetësi, por të tregojnë vendosmëri. Ajo shpjegon se thelbi i marrëdhënies prind-fëmijë duhet të jetë besimi dhe jo agresiviteti dhe kritikat janë joefektive. “Këto të fundit vetëm sa e dëmtojnë fëmijën duke ulur vetëvlerësimin e tyre”. Në vend të tyre, psikologja sugjeron që prindërit të përqendrohen tek anët pozitive të fëmijës, duke përmirësuar gradualisht gjithçka. Përfitimet e disiplinës te një fëmijë “Disiplina i ndihmon fëmijën që në mënyrë të lumtur dhe efektive të përshtatet në botën reale”, tregon Jonuzi e cila shpjegon se ajo ndihmon për të zhvilluar, ruajtur besimin midis prindërit dhe fëmijës. Ndërkohë, procesi i ndryshimit të sjelljes së fëmijës është një proces që zgjat shumë dhe duhet të jetë i vazhdueshëm, “prandaj, përfshin shumë biseda, komunikim, shpjegime, trajnime”. E rëndësishme është që fëmija të kuptojë se ekziston një standard i caktuar i sjelljes që është i pranueshëm në një familje apo shoqëri të civilizuar.

“Prindërit shpesh ngatërrohen duke menduar se qëllimi i disiplinës efektive nuk është vendosja e kufijve, por që fëmija të mësojë të vetëkontrollohet. Të jesh i disiplinuar nuk do të thotë të bindesh verbërisht, por të kesh respekt dhe të tregosh një drejtësi të ndërsjellët në mënyrë të arsyeshme dhe të qëndrueshme”, tregon Jonuzi. Psikologja thotë se respekti është thelbësor për disiplinimin e një fëmije. Fëmija duhet të respektojë autoritetin e prindërve, si dhe autoritetin e të moshuarve për të dhënë drejtim. Cilat gabime duhet të shmangin prindërit gjatë disiplinimit “Janë të shumtë prindërit që nuk përpiqen të disiplinojnë fëmijët e tyre”, tregon Jonuzi.

Ajo thotë se prindërit duhet të tregohen sa më këmbëngulës në zbatimin e disiplinës, sidomos kur fëmijët tregojnë mungesë respekti të autoritetit prindëror. “Nuk duhet ta lini fëmijën të qajë për një kohë të gjatë kur askush nuk i kushton vëmendje”. Ndjenjat e pasigurisë në këtë fazë mund të shkaktojnë probleme më vonë në jetë. Gjithashtu, disiplina e ashpër, pa efektin zbutës të dashurisë, çon drejt katastrofave dhe ka prirjen të dështojë. Do të jetë e vështirë për një fëmijë të respektojë dhe t'u besojë prindërve të tyre kur këta të fundit reagojnë ‘dhunshëm’ ndaj shakave të fëmijëve. Shumë prindër e kanë të vështirë të vendosin se si ta disiplinojnë si duhet një fëmijë. Nga frika se mos gabojnë apo se nuk duan të duken shumë të butë, ata padashur bien në një kurth: reagojnë me dhunë ndaj çdo shakaje të fëmijëve. Si rezultat, sjellja e fëmijëve përkeqësohet. Për sa i përket disiplinimit, psikologja thotë se ka një pengesë kryesore e cila është mospërputhja e orareve apo koha e munguar.

“Ritmi i shpejtë i shoqërisë moderne mund të jetë një pengesë për disiplinimin efikas te fëmijët, pasi prindërit nuk kanë më kohën e mjaftueshme për t’ua kushtuar atyre”, përfundon Jonuzi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë