Mendim

Dëgjojini kritikat e budallait, është një privilegj mbretëror!

Nga Irena Beqiraj - Z. Murrizi, ndryshe nga të gjithë deputetët e PD-së, nuk e lëshoi mandatin. U përjashtua nga partia. As i pari e as i fundit. Kështu ndodh zakonisht në partitë tona moniste për këdo që del kundër propozimeve që vijnë nga lart dhe miratohet pa u menduar poshtë. Arsyeja është e thjeshtë, në partitë tona ka vetëm dy mundësi, ose të rreshtohesh te krahu i besnikëve të bindur të kryetarit, ose te krahu i kundërshtarëve të tij.
“Megjithëse ndajmë mendime të ndryshme, unë do të të jepja dhe jetën që ti ta shprehësh atë lirshëm”. Kjo duhet të ishte motoja e çdo partie në një vend me liri fjale edhe mendimi.
Z. Murrizi me një gjuhë të thjeshtë, jo shumë të sofistikuar, por me guxim në dukje të tepruar, që besnikët pragmatistë të partisë do ta quanin budallallëk, artikuloi një të vërtetë të madhe. “Ka një mungesë totale të vullnetit nga ana e lidershipit për të ndryshuar kodin zgjedhor”.

Që deputetët të mos zgjidheshin nga populli, por të emëroheshin para zgjedhjeve nga lideri ishte ideja e “ndritur” për ta zhveshur nga çdo dinjitet, edhe pushtet real, parlamentin. Pastaj shpikën dekriminalizimin, që si çdo histori filloi si tragjike edhe përfundoi në një farsë, pasi nuk na e përmirësoi cilësinë e parlamentarizmit. Pastaj u vazhdua me një tjetër përrallë, vetingu në politikë, një nga ato sajesa që largoi sërish vëmendjen nga thelbi i problemit, i cili ishte ndryshimi i kodit zgjedhor dhe heqja dorë nga listat e kryetarëve.
Këtu fillon, edhe mbaron legjitimiteti i një parlamenti si organ përfaqësimi. Parlamenti ynë nuk përfaqëson kurrsesi popullin, por kryetarët. Kryetarët janë kthyer në mbretërit modernë, të cilët herë në emër të partisë, e herë në emër të popullit, përcaktojnë se kush do të ulet në karriget e parlamentit.
Por, e keqja nuk mbaron këtu. Kulti i Individit, fuqizimi i kryetarëve ka dobësuar dhe ulur besimin te partitë, të cilat kryetarët i përdorin më së shumti si karroca, si mjetin “pa frymë e zë” që u duhet vetëm e vetëm t’i çojë drejt pushtetit. Kryetarët janë kthyer në solistët që “këndojnë“ të vetëm. Përditë e më shumë partitë po kthehen në organizata pa debat e pa ide, pa zgjedhje e pa zgjidhje. Përditë e më shumë radhët e tyre po mbushen me “të pazë “ sepse vetëm kështu kryetarët mund të këndojnë pa afat si “Kokoshi në majë të plehut”.
Këtu e ka zanafillën mungesa e kurajës për debat brenda vetë forcave politike. Këtu e ka bazën mungesa e kodit, e vlerave edhe standardeve brenda grupimeve politike. Ky është thelbi i mungesës së guximit qytetar, i cili karakterizon një shoqëri të përparuar njerëzore.
Të gjithë kemi vënë re sesi nuk flitet më në emër të partisë, por të liderit. Nuk flitet më për programet e partive, por për drejtimin largpamës të liderave. Nuk flet e shkruan askush më fjalët e tij, por fjalët e liderit.
Një mendje e bukur demokrate si ajo e Gilman Bakallit, dikur do të shkruante:
“Me sjelljen tonë ne i imponojmë palës tjetër, ose respekt, ose mospërfillje. Nëse je futur në politikë si servil e lapangjoz a si pagues nderesh e qokash, e ke vulosur që në krye të herës profilin tënd si komunikues në raport me tjetrin, kryeministër qoftë ai apo drejtues partie”.
Deputetët që kanë lënë mandatet, janë pikërisht ato që janë në politikë si pagues të nderit që u ka bërë bamirësi i tyre, duke i përfshirë më parë në listë.
Lënia e mandateve i shërben vetëm padurimit të liderit për të arritur qëllimin dhe nuk është shenjë demokracie. Në të kundërt, përjashtimi i një deputeti që mendon dhe vepron ndryshe tregon mungesën ekstreme të demokracisë.
Në fakt, ajo çka ndodh brenda partive ravijëzon, formëzon, karakteristikat e demokracisë në shoqëri. Ajo çka ndodh brenda partive, pa dyshim transmetohet brenda shtetit dhe institucioneve. Demokracitë e sotme moderne i konsiderojnë partitë si “shërbime publike”, duke i klasifikuar ato si organe gjysmë të shtetit dhe shumë të rëndësishme në funksionimin e demokracisë. Nocionet e para mbi dimensionin “shtetëror” të partive u shfaqën si përgjigje ndaj sfidave të politikës masive gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas vitit 1945, politikanët dhe konstitucionalistët e përdorën këtë traditë në përpjekjet e tyre për të stabilizuar demokracinë masive. Ata ndërtuan qëllimisht ‘demokracitë partiake’, në të cilat partitë do drejtonin shtetin dhe shteti ndikonte te partitë me anë të sistemit partiak. Kjo u bë e dukshme në konstitucionalizmin e partive politike, si dhe në miratimin dhe ligjeve normative për zgjedhjet dhe financimin e tyre. Ardhja e partive si shërbime publike, është një traditë ideologjike që sanksionon marrëdhëniet ‘parti-shtet’ si vendimtare për stabilitetin e demokracisë moderne.

Krizat politike që godasin kaq shpesh vendin tonë si erërat e forta, një vend bregdetar, janë tregues i rënies së besimit dhe ndikimit që partitë politike kanë në vend. Kjo është arsyeja që i detyron të flasin pa pushim për mbështetjen popullore. Në kërkim të besimit të humbur kërkojnë të afirmohen me madhësinë e protestave që organizojnë. Liderët tanë, çdo ditë e më shumë, po marrin një qasje edhe më personale në politikë, duke shmangur partitë. Kjo duket tek alibia e komunikimit drejt për së drejtpërdrejt me votuesit edhe përmes mediave masive, si dikur gju më gju me popullin. Historia ka treguar që politikanët me qasje personale siç minojnë normat demokratike në parti, duke tentuar kthimin në autokraci, janë të prirë të minojnë dhe normat demokratike të zbatimit të ligjit kur qeverisin.
Autokracia partiake, mungesa e debatit brenda llojit, nuk ul presionin thjesht e zhvendos atë. Debati nga Parlamenti zhvendoset në shesh të qytetit dhe zgjidhjet në vend t’i gjejmë brenda vetes, i kërkojmë nga ndërkombëtarët. Gjëegjëza më interesante sot, këtë javë, e javët në vazhdim është çfarë zgjidhje do të ofrojnë ndërkombëtarët? Asnjë risi nuk do të ketë. Si në gjithë këto 30 vite, në shëtitjet e tyre nga zyra në zyrë do të predikojnë demokraci, qetësi, urtësi, dialog. Mbase do arrijnë t’i mbledhin liderët tanë edhe në një tavolinë. Do përpiqen të shuajnë zjarrin politik të radhës, por nuk do të mund të importojnë siç nuk kanë mundur këto 30 vite një zgjidhje të qëndrueshme.
Duhet të reformojmë një orë e më parë partitë të kthyera në sulltanate, ku vetëm një vendos e vulos dhe të tjerët ngrenë dorën, tundin kokën pa menduar, sepse ka kush mendon për ta, edhe për popullin. Në të kundërt nuk ka ndërkombëtar që na bën derman, guximi do vazhdojë të na duket vetia e budallait dhe pragmatizmi i vetmi virtyt i të mençurit.
Në “demokracinë” tonë vetëm budallenjtë mund të kenë guximin qytetar të kundërshtojnë mbretin e tyre. Prandaj, Blake thoshte “Dëgjojini kritikat e budallait, është një privilegj mbretëror”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë