Analize

Rama dhe Basha më shumë vite në pushtet edhe se Nano dhe Berisha

Në Shqipëri liderët e partive apo dhe politikanë kryesorë janë kthyer në njerëzit më të pushtetshëm dhe më të paprekshëm përgjatë tre dekadave.
Instituti i Studimeve Politike ka analizuar ecurinë e karrierës së liderëve kryesorë politikë, të cilët janë vetë ose përmes partive të tyre aktivë në parlament PS, PD, LSI, PR, PSD, PBDNJ, LZHK, PDK, PDIU, duke përfshirë në listë edhe ish-kryetarin e PS Nano.

Qëllimi i analizës është matja e kurbës së karrierës politike të secilit prej kryetarëve të partive kryesore, bilanci sesa vite kanë në politikë, dhe sa prej këtyre viteve i kanë kaluar në pushtet ose në opozitë.
Për shkak të pushtetit të madh të kryetarit të bashkisë Tiranë, në dy rastet si te Edi Rama e Lulzim Basha, vitet e karrierës në krye të bashkisë janë lexuar si vite ushtrimi të pushtetit, pasi edhe në aspektin përmbajtësor, pushteti i kryetarit të bashkisë Tiranë është shumë më i madh sesa pushteti i shumë prej kryetarëve të partive të vogla që mbijetojnë në politikë përmes koalicioneve me partitë e mëdha.

Tabela e Institutit të Studimeve Politike për politikanët kryesorë dhe karriera e tyre politike

Tabela tregon se liderit aktualë politikë kanë vite të tëra në pushtet, dhe disa prej tyre janë prej 29 vitesh në politikën drejtuese. Kështu Skënder Gjinushi është politikani më aktiv që ka 29 vite që drejton PSD-në.

Skënder Gjinushi, kreu i PSD


Pas tij vjen Sali Berisha me 28 vite politikë aktive, ku 50% e ka pasur në pushtet dhe pjesën tjetër në opozitë. Berisha drejtoi PD-në për më shumë se dy dekada, ndërsa në vitin 2013 dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare.
Fatos Nano lider i PS-së qëndroi për 15 vite në politikë aktive, nga këto 63% i kishte në pushtet, ndërsa 37% në opozitë. Nano u dorëhoq nga drejtimi i partisë pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005.

Sali Berisha dhe Fatos Nano, dy liderët që dominuan politikën shqiptar për më shumë se dy dekada


Sipas studimit të ISP-së, Edi Rama është politikani që ka qëndruar më shumë pushtet. Edhe pse karriera e tij politike nis nga vitit 1998, si ministër i Kulturës. Qëndrimi në pushtet lidhet me faktin se Rama qëndroi për më shumë se 10 vite si kryetar i bashkisë së Tiranës. Më pas u bë kryetar i PS-së dhe është në mandatin e dytë si kryeministër i vendit. Sipas ISP-së, Rama në 90% të karrierës së tij politike ka qenë në pushtet.
Lulzim Basha rivali aktual politik i Ramës, ka 14 vite politikë aktive, dhe 71% e kësaj periudhe ka qenë në pushtet. Këtu përfshihet edhe koha e drejtimit si kryetar i bashkisë së Tiranës.

Rama dhe Basha, dy rivalët aktual politik

Ilir Meta ka mbi supe 27 vite karrierë politike dhe ka qenë 63% e kësaj periudhe në pushtet. Meta e ka nisur karrierën e tij politike në Partinë Socialiste, më pas u shkëput duke krijuar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ai ka qenë ministër i Jashtëm, zv.kryeministër, kryetar i Parlamentit dhe më aktualisht president i vendit.

Ilir Meta


Monika Kryemadhi, bashkëshortja e Presidentit. Ka 23 vite në politikë, ku 65 përqind të karrierës së saj i ka pasur në pushtet. Tashmë është zgjedhur kryetarja e LSI-së, parti e cila ka qenë në qeverisje si me PS-në, ashtu edhe me PD-në.
Në studim futet edhe liderët e tjerë politik të partive t vogla si Fatmir Mediu, Nard Ndoka, Vangjel Dule apo Dashamir Shehi ( i vetmi që mund të ketë qëndruar më shumë në opozitë se sa në pushtet).
Në studimin e ISP-së theksohet rë gjitha analizat për ecurinë e tranzicionit në Shqipëri (1990-2019) arrijnë në përfundimin se Shqipëria ka humbur shumë shanse, kohë dhe energji dhe se përgjegjës kryesorë janë elitat politike të korruptuara dhe konfliktuale që na kanë drejtuar. Për shkak se sistemi shumëpartiak krijoi piramidat e reja partiake, në të cilat kryetarët u bënë liderë dhe më pas edhe “pronarë” të partive, funksioni real konkurrues dhe zhvillues i partive u dëmtua dhe se fatet e vendit u përcaktuan nga emrat e veçantë të politikanëve.


“Pyetje është: kur fakti është ky që paraqitet në tabelë, si është e mundur që politikanë me poste drejtuese për dy ose më shumë dekada, me më shumë se nga një dekadë në pushtet, – vijojnë të përdorin sot retorikë kundër establishmentit politik, vijojnë të fajësojnë të tjerët për gjithçka dhe vijojnë të në thonë se ata janë zgjidhja, alternativa më e mirë dhe e ardhmja jonë? Në fakt, ata vetë janë establishmenti, ata vetë janë problemi”, thuhet në këtë studim.
Rrallë gjen një vend tjetër në Evropë ku të njëjtët politikanë që nisën tranzicionin vijojnë të jenë në politikën vendimmarrëse edhe pas 29 vitesh, ashtu siç rrallë gjen vend tjetër në Europë ku politikanët që kanë më shumë se dy dekada në politikë nuk pranojnë asnjë përgjegjësi personale, por gjithnjë përdorin retorikë fajësimi kolektiv për palët e tjera për të gjitha dështimet e tranzicionit.
Gjithashtu rrallë gjen vend tjetër në Europë ku të njëjtit individë – politikanë kanë bërë “luftën” dhe “paqen”, pra kanë krijuar kriza permanente politike dhe janë ofruar pastaj me marrëveshje politike si shpëtimtarët e daljes nga krizat, – pa marrë asnjë përgjegjësi për dështimet, por duke marrë të gjitha meritat për sukseset. Po ashtu, rrallë gjen një vend tjetër në Europë me një bilanc kaq kritik të ecurisë së tranzicionit sa Shqipëria dhe me një popull kaq të dashuruar dhe të nënshtruar ndaj liderëve politikë.

Liderët e partive të vogla


Kjo vjen për shkak se këta liderë politikë mbështeten, financohen, mbrohen dhe adhurohen nga mbështetësit e tyre, dhe për pasojë, secili prej tyre ka krijuar “pashallëkun” e vet, ku sundojnë duke refuzuar kritikat dhe ndryshimin, ku axhendat personale i kthejnë në axhenda politike të vendit, ku pasionet personale i kthejnë në politika shtetërore, ku lidhjet personale i shpërblejnë me pushtet dhe para dhe ku mirëqenien personale e matin si standard për mirëqenien e të gjithë qytetarëve.
Zgjidhja sipas ISP-së vjen nga thënia e Presidenti amerikan Regan, i cili ka deklaruar: “Qytetarët të refuzojnë të jenë turmë dhe me zë të lartë dhe kurajë të ndryshojnë pikat e kontratës me politikanët. Sa më shumë hapësirë, alternativa dhe ushtrim të demokracisë, aq më pak rrezikojmë që demokracia të na rrëmbehet dhe aq më shumë kemi garanci të sigurojmë të ardhmen duke shpëtuar prej tyre të tashmen” .


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë