Ekspozite

Copëza historie në ikonat e Diço Zografit

Copëza të historisë sonë dhe e bukura shqiptare në periudhën post bizantine vijnë të shpalosura në Muzeun Historik Kombëtar në ekspozitën e Diço Zografit, një nga piktorët më të famshëm të ikonave dhe afreskeve në Ballkan në shekullin XIX.

Të dala nga pluhuri i harresës “Dyert e Bukura” të ikonostasit të kishës së Shën Kollit në Elbasan, si edhe objekte të tjera, si një kryq prej ari dhe argjendi, mbulesa argjendi të dy testamenteve, kapakë ungjilli, etj, i shohim për herë të parë në ekspozitën “Ikonat e Diço Zografit”.

Në këto 12 ikona me origjinë nga kisha e Shën Kollit të Elbasanit, dhe të nxjerra nga fondi i muzeut përtej origjinalitetit të pikturës bizantine, nuk mungojnë as aspektet më moderne të punës së ikonografit, të cilat sjellin një ndërthurje tradite.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi duke e cilësuar këtë ekspozitë si një hap të mirë drejt njohjes së trashëgimisë shprehet për Gazetën “Si” se ideja lindi pas 200-vjetorit të lindjes së Diço Zografit.

“Në vitin 2019 Akademia e Shkencave në Maqedoninë e Veriut festoi 200-vjetorin e këtij piktori. Ne patëm një ftesë për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare, dhe aty u njohëm me përmasat e mëdha të piktorit, i cili lidh pothuajse tre vende Bullgarinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Dhe pastaj duke parë në fondin tonë dhe duke identifikuar pamë që ishin dhe 12 ikona, të cilat jo të gjitha ishin në gjendje të mirë për t’u ekspozuar, por vendosëm për t’i ekspozuar në mënyrë që t’i sillnim publikut kryeqytetas një këndvështrim tjetër të pikturës post-bizantine”, shprehet drejtori i Muzeut për Gazetën “Si”.

Ndër të gjitha ikonat, në një kënd të veçantë është “Dyert e bukura”, që sipas Koçit është përzgjedhur mes 60 ikonave në momentin që është ndërtuar pavijoni i ikonave në vitin 1998.

"Dyert e bukura"

Koçi thotë se ekspozita erdhi në muajin e Europës për të treguar përkatësinë tonë europiane, dhe për të kremtuar identitetin europian të kombit tonë nëpërmjet ikonografit Diço Zografi.

“Kjo ishte vendosur për të qenë një ekspozitë e vitit 2020. Menduam që me rastin e muajit të Europës, pikërisht trashëgimia kulturore post-bizantine është një trashëgimitë me një pjesë të identitetit të shumëfishtë të shqiptarëve dhe na lidh sigurisht dhe me kulturat e vendeve fqinje si Maqedonia e Veriut, dhe Bullgaria, Greqia, vendosëm që ta hapim këtë ekspozitë për të sjellë dhe për të identifikuar jo vetëm Diço Zografin si piktor, por edhe për trashëgiminë shqiptare”, thotë Koçi.

Ai ndalet edhe në teknikat e veçanta të punës së ikonografit, ku dallon arkitektura të ndryshme.  

“Diço Zografi kishte dhe një pasqyrim arkitektonik ndryshe. Në ikonat e tij psh. te ‘Gratë miraprurëse’ kemi një pasqyrim të qytetit të Jeruzalemit, por shikojmë që kemi një arkitekturë tjetër, që nuk i korrespondon arkitekturës bizantine”, thotë Koçi, ndërsa vë në pah edhe aspekte moderne në punën e tij që lidhen me rrugët e ndryshme të artit europian.

Sipas Koçit, kjo ekspozitë shërben edhe për njohjen e kësaj figure kyçe dhe me trashëgiminë kulturore të vendit tonë.

“Ka pasur një reagim pritës shumë të mirë nga publiku kryeqytetas jo vetëm për shkak se nuk ka pasur ekspozita për një kohë të gjatë, por kjo është një pjesë e trashëgimisë sonë kulturore shpirtërore, e cila vazhdimisht ngjall një interes edhe për një arsye të thjeshtë sepse është një mbijetesë e artit grafik të pikturës gjatë shekujve të Perandorisë Osmane. Grupmoshat më të interesuara sigurisht që janë të shkollave të artit, të cilët janë pjesë e audiencave tona”, përfundon drejtori i Muzeut Historik Kombëtar për Gazetën “Si”.

Ekspozita “Ikonat e Dico Zografit”, do të qëndrojë e hapur për dy javë në Muzeun Historik Kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë