Ngjarje

Copa Shqipërie në protestën e studentëve

Sabina Veizaj- Askush nuk e besonte që protesta e studentëve të këtij dhjetori të ngrohtë do zgjaste me bindje dhe këmbëngulje e do të vinte në ditën e tretë të saj me më forcë se ç’nisi.

Me shtim kërkesash dhe frymëzim edhe për qytetarët e tjerë që në të vërtetë nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Universitetin, por e para e kanë kuptuar që e ardhmja e vendit është rinia e arsimuar me cilësi dhe e dyta, kjo protestë në thelb nuk ka tarifat universitare, por një qeverisje arrogante dhe jo transparente që sa vjen e thellon akoma më shumë pabarazinë.

Gjyshër, prindër, emigrantë të ndodhur në Tiranë për arsye personale, qytetarë nga vende të ndryshme të Shqipërisë kanë dalë në protestë ditën e premte përpara Ministrisë së Arsimit për të përforcuar zërin e kërkesave të shqiptarëve për një jetë të denjë si gjithë qytetarët europianë.

“Kam ardhur nga Hasi për të mbështetur protestën. Kam vajzën në Fakultetin Ekonomik. Ajo qëndron në konvikt. Tarifat janë shumë të shtrenjta. Vetë jam ekonomist dhe bashkëshorten mësuese. Nuk përballohet dot një student sepse shpenzimet janë maksimale. Vetëm tarifa vjetore e shkollës është 60 mijë lekë. Konvikti me gjithë kushtet skandaloze e ka faturën 50 mijë lekë në vit. Transporti vajtje-ardhje në Has një herë në 3 javë ose një herë në muaj. Ushqimi, vesh-mbathje, detergjentët. Duhet me lënë gjithë rrogat tona për një fëmijë.” – është shprehur një qytetar nga Hasi për Gazetën “Si”, i cili i bindur për të drejtat e studentëve tha se do të qëndrojë pranë tyre deri në momentin e fundit.


"Kam ardhur nga Hasi për të mbështetur protestën. Kam vajzën në Fakultetin Ekonomik. Ajo qëndron në konvikt. Tarifat janë shumë të shtrenjta. Vetë jam ekonomist dhe bashkëshorten mësuese. Nuk përballohet dot një student sepse shpenzimet janë maksimale. Vetëm tarifa vjetore e shkollës është 60 mijë lekë."

Kurse një gjysh pogradecar, por që jeton në Tiranë, iu bashkua protestës të cilën e vlerëson përsa nuk është politike. “Kam nipin në Vitin e Tretë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Në fakt kam dy nipër studentë. Shyqyr që nuk kanë ardhur partiakë; Lulka, Derri, Ariu. Ata duan të përfitojnë. Studentët po protestojnë me qetësinë më të madhe, kanë halle. Familjet e tyre kanë mbi supe; qira, ushqimin, paguajnë 600 mijë vetëm tarifën e shkollës.”- thotë gjyshi pogradecar. Tek e pyes nëse i vjen në ndihmë nipit, ai më thotë se e mban në shtëpi që të mos paguajë qira. “Ai vjen nga Pogradeci dhe dua ta ndihmoj, por edhe unë me pension. Opingën më del pensioni.”

Protesta është e qetë, aspak arrogante, e dhunshme, apo me tregues të dyshimtë. Këtë e kupton kur je mes tyre; nga mënyra se si shprehen dhe thjeshtësia e herë naiviteti me të cilën kërkojnë të drejtat e tyre.

Duket që janë krejt të paorganizuar dhe spontanë. Në një moment nisin të këndojnë këngë patriotike, më pas himnin. Kur duket se protesta zbehet në zhurmë, vijnë studentët e Elbasanit, 200 studentë të vetëorganziaur me autobuzë të rastit; me maska, me flamur e madje edhe me një koreografi të vogël duke u ulur përtokë për të bërë me dije ardhjen e tyre.

Më parë kanë mbërritur studentë e prindër nga Durrësi.

Petrit Skane

Petrit Skane vjen nga Durrësi. Ai ka vajzën studente në qytetin bregdetar për mësuesi, por edhe katër nipër e mbesa të të vëllezërve. “ Është turp ta them, por vajzën në Universitet e përballoj me borxh. Unë jam bujk, punoj në bujqësi. Tani që e kanë përmbytur bujqësinë, ne marrim borxh për të mos e lënë fëmijën pa shkollë.”-thotë ai. “Po bashkëshortja?” – e pyes. “Bashkëshortes i dhemb koka shumë për gjithë situatën. Nuk ka punë, është shtëpiake. Në punë shteti nuk është asnjeri. Jemi me gjendje ekonomike shumë të dobët. Si mund të shkollohet fëmija me këto kushte?”- thotë Petriti.

Ai tregon se janë organizuar me njëri-tjetrin sepse janë të pakënaqur dhe të pamundur të bëjnë një jetë normale. “Vajza është në Universitetin që është afër derrave, plehrave. Është skandal. Edhe tek Universiteti ri e kanë quajtur kot të ri sepse është i rrethuar nga plehrat. Jemi 50 vetë, kemi ardhur me autobusë të linjës sepse të rinjtë janë e ardhmja jonë.”

Përpara Ministrisë së Arsimit mes studentëve takoj një emigrant. Sotiraq Jahja është banues në Athinë prej 30 vjetëve.

Sotiraq Jahja, emigrant

“Erdha për të rregulluar pensionin, atë 100 mijë lekë pension për të cilin kam punuar 40 vjet këtu në Shqipëri. Mbështes studentët sepse kam qenë një nga ata që kam mbështetur edhe studentët e 90”ës. Shumë e keqe situata. Dhe ndryshimi vjen vetëm nga rinia sepse këta nuk kanë çfarë humbin. Edhe po i burgosën 10 vjet, kanë kohë përpara për t’u hakmarrë. Ata kanë fuqi, energji dhe kapacitet për të fituar. Besoj që kjo të jetë shkëndija që të ndezë Shqipërinë, që ta ndërrojë këtë pushtet. Ku rri me shtëpi kjo Ministrja e Arsimit? Tek vilat e Papulit në Lundër. Mësuesja e Matematikës, 5 vjet Ministre e Arsimit është bërë me vilë. Ja Ministrja. Kush nuk do ta ëndërronte të bëhej ministre në Shqipëri dhe të bëhej me vilë?”- thotë Sotiraqi duke më shpjeguar se sa dhimbje ndjen kur vjen në Shqipëri dhe prek nga afër gjendjen duke e krahasuar me jetën në Athinë.

“ Kam punuar në Shqipëri dhe marr një pension 100 mijë lekë të vjetra. Në Athinë unë paguhem 80 euro dita. Kënaq fëmijët me lekë xhepi, i jap gruas për gatim. Dal vetë dhe më ngelen edhe për të hequr mënjanë. Këtu njerëzit janë të dëshiruar për të ngrënë. Diskutohet ende ushqimi. Të mos ngopesh me bukë në vitin 2018. Është mjerim”- thotë i revoltuar Sotiraqi.

Kurse Zhaneta Lamçe, një zonjë që ka punuar në Rektorat në vitet 1970-1974, i ka fëmijët të rritur, jo më studentë. Por thotë se u bashkohet studentëve pasi shpreson se janë ata që mund të ndryshojnë mjerimin ku ka rënë vendi sipas saj.

Zhaneta Lamçe, ish punonjëse në Rektoratin e Tiranës në vitet 1970-1975

“Unë nuk kam fëmijë studentë, asnjë. Kam ardhur për ti mbështetur sepse kanë 200% të drejtë studentët. Nuk mund ti përballojnë dot prindërit këto tarifa që kanë vendosur këta. Prindërit marrin 200 mijë lekë, si të paguajë tarifën e shkollës, konviktin, librat, ushqimin? Mund ti dalë një familjeje me 200 mijë lekë rrogë të mbajë një fëmijë student? Kam qenë në 1970-1974 punonjëse e rektoratit. Në 1990 dolën studentët në grevë, i mbështeta nga larg, por nuk munda nga afër, sepse në atë kohë ishte gjithë sigurimi i shtetit dhe i fotografonte të gjithë studentët dhe një pjesë e tyre u dogjën. Kjo është një qeveri që duhet të largohet, por po tu ketë mbetur sado pak kulturë Ministres Nikolla dhe kryeministrit, duhet të japin urgjentisht dorëheqjen.”- thotë ish punonjësja e Rektoratit në ato vite.

Protesta, dita e tretë

Ashtu siç e kishin paralajmëruar, studentët u mblodhën pranë fakulteteve të tyre në orën 8 e 30 të mëngjesit. Më pas iu bashkuan bulevardit përpara Ministrisë së Arsimit me thirrjet për heqjen e tarifave dhe mbi të gjitha për arsim cilësor. Edhe studentet nga Kamza, pavarësisht se sipas tyre janë kërcënuar me mungesa dhe mosmarrje lënde, më të shumtë në numër se një ditë më parë bën 1 ore 30 minuta më këmbë për t’iu bashkuar kolegëve të tyre përpara Ministrisë së Arsimit.

Nga protesta e studentëve, e premte 7 dhjetor 2018

Studentët të vendosur të qëndrojnë përpara institucionit deri në përfundimin e orarit zyrtar të punës së Ministres, i parashtruan asaj përmes Këshillit Studentor 8 kërkesa.
1-Përgjysmim i tarifës së studimi; 2. Rritja nga 10% në 50% e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan/rektor dhe rritja e përfaqësisë së studentëve në senatin akademik me 20%.; 3. Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillat Studentore, Ligji i Arsimit të Lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-të dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët; 4. Mbështetje e studentëve për kërkime shkencore; 5. Mbështetje e studentëve të doktoraturës me fonde për kërkimin shkencor; 6. Përmirësim i kushteve të konvikteve të Universiteteve; 7. Dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë. 8. Pajisja e të gjithë studentëve me kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019”


Por mësohet që Ministrja Nikolla të mos ketë qenë prezente në zyrën e saj gjatë gjithë ditës, teksa përpara institucionit që ajo drejton, zhvillohej protesta paqësore e studentëve, të cilët kërkonin vazhdimisht që ajo dilte.

Kërkesat e studentëve

Ministrja Nikolla ka qenë në atë kohë duke inspektuar investimin që po kryhet në godinat e Qytetit Studenti Nr.2, pranë “21 Dhjetorit”.
Kurse Ministria, ashtu si kryeministria më herët, ka qenë e rrethuar nga efektivë të policisë.

Nuk ka munguar përgjigjjja e menjëhershme e Ministres Nikolla, e cila u ka bërë të ditur studentëve se lidhur me kërkesat janë ngritur grupe pune për të plotësuar kushtet e tyre.

Përgjigjja e Ministres Nikolla

Në të njëjtën kohë edhe Sindikata e punonjësve universitar është bashkuar me studentët duke kërkuar reformë në arsimin e lartë!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë