Ekonomi

Çfarë mësoi ekonomia botërore nga 2 vjet pandemi

Megi Iskurti - Përhapja e një virusi në një qytet gjetkë të Kinës ishte e fundit gjë që mendohej se do t’i dërgonte ekonomitë botërore në një spirale krize ekonomike. Largësia gjeografike afërmendsh që shumë shtete i bëri të ndihen jo të ekspozuar ndaj rrezikut atëbotë. Por në fakt, përhapja e tij e shpejtë nuk kurseu asnjë prej tyre. Dhe ai, po aq shpejt, imponoi një realitet të ri ekonomik.

Teoria e “mjellmave të zeza” thotë se ngjarjet e paparashikueshme me ndikim të lartë, luajnë një rol shumë më të madh se sa mendojnë shumica e njerëzve. Kjo teori ekzistonte shumë kohë para vitit 2020, kur shkencëtarët kishin frikë se një sëmundje zoonotike e frymëmarrjes me origjinë në Azi, mund të përhapej në mbarë botën.

 Por askush nuk mund t’i parashikonte me saktësi pasojat. Një inspektim i rastësishëm i të dhënave ekonomike tregon se: nuk u morën masa të mjaftueshme për dekada, dhe më pas në vitin 2020, Covid-19 ktheu përmbys gjithçka.

Para vitit 2020, modelimet më të sofistikuara parashikonin se një pandemi e krahasueshme me gripin spanjoll të vitit 1918, mund të vriste 71 milionë njerëz në të gjithë botën dhe të shkurtonte 5% të PBB-së. Numri i të vdekurve nga Covid-19 duket shumë më i ulët, por goditja ndaj PBB-së ka qenë më e madhe.

Kur Kina mbylli Wuhan-in në janar, veprimi u pa si diçka që mund ta bënte vetëm një qeveri autoritare, e sofistikuar teknologjikisht. Për do kohë më pas, shkencëtarët britanikë nuk menduan të bënin thirrje për karantinë, sepse supozuan se kjo ishte politikisht e parealizueshme. Megjithatë, gatishmëria e pothuajse të gjitha qeverive për të mbyllur ekonomitë e tyre thuajse tërësisht, ishte vetëm një nga shumë surprizat që solli pandemia. Në vendet e pasura, Covid-19 çoi në një ndërhyrje të pazakontë të qeverisë në tregjet e punës dhe kapitalit.

Foto nga Wuhani gjatë pandemisë, qyteti ku u shfaq virusi për herë të parë

Efektet e goditjes qenë të rënda. Në prill, përqindja e amerikanëve të moshës 25 – 54 vjeç në punë, ra nën 70% për herë të parë në gati 50 vjet. Në tremujorin e dytë, një e gjashta e të rinjve në të gjithë botën humbën vendin e punës. Orët e punës ranë me gati një të katërtën për pjesën tjetër, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

Në qershor, Banka Botërore parashikoi se ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të mesme, do të tkurreshin atë vit për herë të parë në të paktën 60 vjet, dhe 89 milionë njerëz do të përfundonin në varfëri ekstreme, një rritje prej 15%.

Në pesë ekonomitë më të mëdha të Europës, më shumë se 40 milionë punëtorë u përfshinë në skemat e financuara nga qeveria. Amerika rriti përfitimet e papunësisë aq shumë sa ato tejkaluan pagat për më shumë se dy të tretat e përfituesve. Rezerva Federale ka ndihmuar korporatat amerikane për të përballuar borxhet; Gjermania u ka ofruar kompanive të saj garanci kredie me vlerë gati sa një të katërtën e PBB-së.

Sipas parashikimeve të FMN-së atëherë, deri në fund të vitit 2020, prodhimi botëror mund të ishte rreth 8% më i ulët sesa do të kishte qenë pa pandeminë. Në vend që të rritej me rreth 3%, ai do të zvogëlohej me rreth 5%. Tkurrja më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore.

Për krahasim, në vitin 2009, “recesioni i madh” uli ekonominë botërore me vetëm 0.1%.

Zinxhirët e furnizimit ishin të brishtë dhe në ngërç. Tregtia botërore u trondit ndërsa fabrikat u mbyllën dhe shtetet mbyllën kufijtë e tyre. Goditja ishte e sinkronizuar. Një katastrofë edhe më e thellë ekonomike u shmang vetëm falë ndërhyrjeve të larta në tregjet financiare nga bankat qendrore, ndihmat qeveritare për punëtorët dhe firmat e dështuara, dhe zgjerimi i deficiteve buxhetore në nivele të krahasueshme me ato të luftës.

Zinxhirët e furnizimit ishin në kolaps

Masat ishin të kushtueshme. Huamarrja publike po rritej. Në qershor të 2020-ës, FMN parashikoi se raporti i përgjithshëm bruto i borxhit publik ndaj PBB-së në ekonomitë e përparuara, do të rritej nga 105% në vitin 2019, në 132% deri në vitin 2021.

Barra në rritje nxiti një aktivizëm të ri financiar. Bilancet e bankës qendrore u rritën, pasi ato kanë krijuar me triliona dollarë për të thithur borxhin e qeverisë dhe Bashkimi Europian emetoi për herë të parë bashkërisht borxh në shkallë të gjerë, për të paguar për fondin e rimëkëmbjes. Politikat e një dekade më parë, pas krizës financiare, u panë si radikale, por tani ato duken të dobëta.

Turizmi ishte një nga industritë më të prekura. Me kufijtë e mbyllur dhe biletat e anuluara shumë shtete që vareshin nga ky sektor, u thelluan akoma më tej në krizë.

Hoteleritë, bar-et dhe restorantet që qëndruan të mbyllur për një kohë të gjatë raportonin humbje të mëdha.

Një punëtor që po mbyll restorantin si pasojë e masave të vendosura nga Covid-19

Variantet e vazhdueshme që dilnin njëri pas tjetrit shtonin pasiguritë e bashkë me to, edhe kostot.

Qeveritë në mbarë botën premtuan vaksinat të cilat do të ishin arma kryesore për të mundur në betejë këtë virus. Në fillim vetëm me marrjen e dozave të para dhe pastaj me të dytat, shtetet filluan të menaxhonin ndryshe situatën. Masat nisën të lehtësoheshin disi.

Kthesa drejt rikuperimit....

Me pothuajse 14% në terma vjetorë, shkalla e rritjes së PBB-së në BE në tremujorin e dytë të vitit 2021, ishte një nivel rekord – një rritje po aq e lartë sa shifra e rënies së jashtëzakonshme të PBB-së në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, gjatë valës së parë të pandemisë. Ekonomia e BE-së arriti nivelin e prodhimit para pandemisë në tremujorin e tretë të vitit 2021 dhe kaloi nga rimëkëmbja në zgjerim.

Kërkesa e brendshme vazhdoi ta nxistë atë. Rimëkëmbja e tregjeve të punës dhe rënia e rezervave të kursimeve pritet kontribuan në një ritëm të qëndrueshëm të shpenzimeve të konsumatorëve.

Tregu i punës ende i pa rikuperuar plotësisht

Tregu i punës i BE-së u përmirësua dukshëm falë lehtësimit të masave kufizuese ndaj aktiviteteve që lidhen me konsumatorët. Në tremujorin e dytë 2021, ekonomia e BE-së krijoi rreth 1.5 milionë vende të reja pune, shumë punëtorë dolën nga skemat e ndihmës për të papunët dhe shkalla e papunësisë u ul. Megjithatë, numri i përgjithshëm i punonjësve në BE ishte ende 1% më i ulët se niveli para pandemisë.

Që atëherë, papunësia është ulur edhe më tepër. Në gusht, shkalla e papunësisë ishte 6.8%, një nivel mbi normën e regjistruar në fund të vitit 2019.

Sondazhet e biznesit të Komisionit zbulojnë mungesa në tregun e punës, veçanërisht në sektorët ku aktiviteti ka pasur më shumë rritje. Sa më të gjata të jenë këto mungesa, aq më i lartë është rreziku që ato të përkeqësojnë edhe më tepër inflacionin përmes presionit të pagave.

Sipas parashikimit, punësimi në BE do të rritet me një normë prej 1% në vitin 2022 dhe 0.6% në vitin 2023. Punësimi pritet të tejkalojë nivelin para krizës vitin e ardhshëm dhe të zgjerohet në vitin 2023. Papunësia në BE parashikohet të ulet në 6.7% dhe 6.5% në vitet 2022 dhe 2023. Në Eurozonë, niveli i papunësisë parashikohet në nivelet 7.5% dhe 7.3% gjatë dy viteve.

Inflacioni në nivelin më të lartë në dhjetë vjet

Pas disa vitesh me inflacion të ulët, rinisja e fortë e aktivitetit ekonomik në BE dhe në shumë ekonomi të tjera të zhvilluara, është shoqëruar me një rritje të inflacionit që ka tejkaluar parashikimet.

Inflacioni vjetor në Eurozonë u rrit nga një nivel negativ -0.3% në tremujorin e fundit të vitit 2020, në 2.8% në tremujorin e tretë të vitit 2021. Niveli i tetorit ishte 4.1%, norma më e lartë e regjistruar që prej vitit 1997, kur filluan të publikohen të dhënat e inflacionit në Eurozonë.

Inflacioni në Eurozone, niveli më i lartë në dhjetë vjet

Mbretëria e Bashkuar, për shembull, pa një rritje të inflacionit të saj në 4.2 përqind në tetor krahasuar me vitin e kaluar, norma më e lartë në 10 vjet.

Gjermania pa gjithashtu një rritje në rreth 4.5 për qind gjatë një periudhe 12-mujore, më e larta që nga gushti 1993.

Shtetet e Bashkuara regjistruan një normë inflacioni prej 6.2% në tetor, rritja më e madhe 12-mujore që nga viti 1990, ndërsa çmimet vjetore u rritën gjatë së njëjtës periudhë me një mesatare prej 4.2% në Mbretërinë e Bashkuar.

Pushtimi rus i Ukrainës e thelloi më tej

Inflacioni në Eurozonë ka thyer një tjetër rekord duke shkuar në shifrën e 5.8% për muajin shkurt(2022). Kostot në rritje u ndikuan nga tensioni Rusi-Ukrainë dhe më pas nga nisja e luftës.

Çmimet e konsumit u rritën me 5.8% nga shkurti i shkuar dhe 5.1% nga janari 2022.

Faktori kryesor ishte përsëri sektori energjitik, ku çmimet e naftës dhe gazit natyror po ulin euron dhe po krijojnë një spirale vicioze të inflacionit.

Me këtë kaos që është shkaktuar në Europë, politikbërësit nuk heqin dorë ende nga investimet në tregun sekondar.

Ecuria do të varet se si Rusia do të ndikojë në ekonominë e eurozonës që mbetet e destabilizuar nga problemet me furnizimin, rikthimin e virusit dhe rritjen e çmimit të energjisë.

Nëse Ukraina dhe Rusia nuk arrijnë një marrëveshje paqeje në ditët në vijim, ekonomistët në Nordea nuk presin një rritje tjetër këtë vit.

Dy vite pandemi

Pandemia do t’i lërë ekonomitë më pak të globalizuara, më të digjitalizuara dhe më pak të barabarta.

Analistët thonë se mënyra sesi luftohen recesionet do të ndryshojë, pjesërisht për shkak të niveleve të interesit pothuajse zero, por edhe për shkak të eksperimenteve me transferimet e mëdha të parave për familjet. Do të ketë dëshirë dhe kushte për të lehtësuar një rishkrim të kontratës sociale, në mënyra që shumë njerëz shpresonin se mund të mbizotëronin shoqërinë pas globalizimit dhe krizës financiare.

Fakti se çfarë ndryshimesh janë të nevojshme varet nga të kuptuarit se sa ndryshime thelbësore mund të sjellë pandemia në strukturën ekonomike. Historia fillon me tregtinë...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë