Ekonomi

Turizmi, prilli sjell 8.8% më shumë vizitorë të huaj në Shqipëri

Nga Gazeta ‘Si’- Turizmi në Shqipëri vijon të ruajë ritme pozitive edhe gjatë pranverës së këtij viti. Pas rritjes me 11% të numrit të vizitorëve të huaj në muajin mars, edhe prilli ka sjellë një tjetër bilanc pozitiv, me 8.8% më shumë hyrje krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.

Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se trendi i rritjes së turizmit po vazhdon.

Sipas statistikave zyrtare, gjatë muajit prill kanë hyrë në territorin shqiptar 1.617.841 shtetas shqiptarë dhe të huaj, një rritje prej 8.8% në raport me prillin e një viti më parë. Në të njëjtën periudhë, nga vendi kanë dalë 1.602.018 shtetas, duke shënuar një rritje prej 7.9%.

Nga hyrjet totale, 726.427 ishin shtetas shqiptarë, me një rritje prej 8.7%, ndërsa 891.414 ishin shtetas të huaj, ose 8.8% më shumë se në prill 2025.

Sipas INSTAT, pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj kanë ardhur nga Evropa Jugore, që përbën 74% të hyrjeve europiane, ndërsa Europa Perëndimore kontribuon me 11%.

Po ashtu, raporti thekson se 98% e të huajve kanë hyrë në Shqipëri për arsye personale, kryesisht turizëm dhe vizita private. Ky tregues është rritur me 9.2% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale kanë pësuar rënie me 4.7%.

Edhe daljet nga territori shqiptar kanë njohur rritje. Gjatë prillit, 742.088 shtetas shqiptarë kanë dalë jashtë vendit, ose 8.5% më shumë se një vit më parë, ndërsa numri i shtetasve të huaj që janë larguar nga Shqipëria arriti në 859.930, me rritje prej 7.3%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë