Ngjarje

Çështje e re në Arbitrazh, koncesionari gjerman i Portit të Durrësit padit Shqipërinë

Në të njëjtën ditë që kryeministri Edi Rama kërcënonte largimin nga Gjykata e Arbitrazhit e ICSID, kundër shtetit shqiptar u regjistrua një padi e re. Më 7 prill, gjermanët e EMS Shipping & Trading regjistruan një çështje në Uashington, për mosmarrëveshjen sa i takon koncesionit për Portin e Durrësit.

Prej vitit 2013, kjo kompani ka fituar të drejtën e kontratës koncesionare për të operuar Terminalin Lindor në Portin e Durrësit , për ngarkimin dhe shkarkimin e anijeve. Gjermanët ankohen për projektin e ri të transformimit të portit, që do ta zhvendosë portin e mallrave në Porto Romano. Por, sipas tyre, në mungesë të portit të ri, vazhdimi i aktivitetit koncesionar të EMS nuk është i sigurt.

Kompania ka edhe rreth 25 vite të mbetura në kontratën 35-vjeçare, ndërsa fitimet e saj në vitin 2021 llogariten në rreth 1,3 milionë euro. Kjo do të thotë se kërkesa për dëmshpërblim nga ky gjyq i ri në arbitrazh mund të variojë nga disa dhjetëra deri në disa qindra milionë euro.

Përpara se t’i drejtohej tribunalit, EMS i kishte dërguar një letër ku shprehte shqetësimet e saj përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, Kuvendit dhe përfaqësive diplomatike të Gjermanisë dhe BE në Shqipëri.

Edhe Strasburgu i kërkon Shqipërisë të paguajë për gjyqet e humbura

Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbirtrazhit janë vetëm një anë e medaljes së faturës financiare që shteti shqiptar ka humbur në gjyqet ndërkombëtare. Sipas një raporti të Këshillit të Europës, shteti shqiptar renditet në tri vendet e para sa i përket moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, çka do të thotë dëmshpërblime të paekzekutuara.

“Më 31 dhjetor 2022, Shqipëria kishte 36 çështje në pritje për t’u ekzekutuar, krahasuar me 31 në 2021 dhe 29 në vitin 2020.”

Sipas këtij grafiku të publikuar nga Këshilli i Europës, më keq se Shqipëria në injorimin e Gjykatës së Strasburgut, rezulton vetëm Azerbajxhani dhe Rusia, kjo e fundit e pezulluar nga kjo organizatë ndërkombëtare. Në total, vetëm 53% e çështjeve ka gjetur zbatim nga qeveria shqiptare ndërsa 47% vijojnë të jenë në pritje për t’u ekzekutuar.

Mes vendimeve që qeveria shqiptare nuk ka zbatuar, është edhe ajo për prishjen e pallatit të familjarëve të Lulzim Bashës në Vlorë, për të cilin shteti ynë u dënua të paguajë mbi 14.5 milionë euro. Mos ekzekutimi i dëmshpërblimit, nënvizohet si problematike nga ana e Gjykatës së Strasburgut.

Në çështjen Sharxhi dhe të tjerët kundër Shqipërisë, në lidhje me prishjen e banesave të ankuesve dhe objektet tregtare në mospërfillje të një urdhri të përkohshëm të gjykatës, Komiteti kërkoi nga autoritetet që të garantojnë pagesën e plotë të shpërblimit të drejtë pa vonesa të mëtejshme dhe i ftoi ata të japin informacion mbi zbatimin efektiv të këtyre urdhrave të gjykatës, përfshirë sanksionimin e organeve administrative që nuk zbatuan vendimet.

 Shqipëria përballet edhe me një faturë të lartë financiare për shkak të gjyqeve të humbura në Arbitrazhin Ndërkombëtar, një juridiksion nga i cili Kryeministri Rama pohoi se po mendonte ta nxirrte vendin.  (A2CNN)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë