Para

Censusi i ri do të na kushtojë 8,3 milionë euro

Qeveria ka depozituar në Kuvend nismën për ndryshimin e ligjit “Për censin e popullsisë dhe të banesave”, duke synuar të marrë në konsideratë standardet e reja ndërkombëtare të vendosura për censet e ardhshme të popullsisë dhe banesave, terminologjinë, procedurat dhe institucionet e përfshira, si dhe përputhshmërinë e këtij procesi dhe ligji sipas praktikave dhe standardeve të BE-së. Ndryshimi i ligjit vjen përpara se qeveria të realizojë në vitin 2020 Censusin e ri. Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) është planifikuar, Censi i Popullsisë dhe Banesave 2020 do të ndjekë metodën e numërimit të drejtpërdrejtë universale bazuar në operacionet në terren me përpilimin e pyetësorëve nga anketuesit, duke përdorur metoda të reja për mbledhja e të dhënave.


Censi i Popullsisë dhe Banesave 2020 do të marrë në konsideratë në masën më të madhe të pyetjeve thelbësore, duke marrë parasysh dhe kërkesat e përdoruesve vendas, rekomandimet e fundit ndërkombëtare, në veçanti rekomandimet dhe standardet e adresuara në vendet evropiane nga Kombet e Bashkuara dhe Zyra Statistikore e Bashkimit Evropian (Eurostat) si dhe duke përfshirë ato që lidhen me cilësinë e të dhënave dhe mbrojtjen e të dhënave personale.


Kostoja e projektit

Qeveria bashkë me projektligjin e depozituar ka shpallur gjithashtu edhe koston që do të ketë kryerja e Censusit në vitin 2020. Vlera totale e këtij projekti shkon mbi 8 milionë euro. “Sipas projektbuxhetit paraprak të përllogaritur, duke u bazuar në aktivitetet në tërësi që nevojiten për kryerjen e censit si dhe duke marrë në konsideratë zërat që kanë ofruar donatorët e ndryshëm, nga buxheti i shtetit nevojitet një vlerë prej 8 300 000 eurosh, ose 1,116,000,000 lekë, e shpërndarë në vitet 2019 dhe 2020. Kjo vlerë do të shërbejë, kryesisht, për mbulimin e kostove për: 1. pagesën e personelit të censit; 2. marrjen e zyrave dhe të ambienteve të tjera për magazinimin e pajisjeve e materialeve me qira; 3. mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit/dietave; 4. blerjen e pajisjeve dhe përgatitjen e infrastrukturës IT, ku vlerën më të konsiderueshme e zënë tabletat për marrjen e informacionit”, thuhet në argumentimin e qeverisë.
Për realizimin e censusit është parashikuar të punësohen përkohësisht 6193 persona. Vetëm anketues në terren do të jenë 6 mijë veta që do të paguhen me 430 euro për 6 javët e punësimit.
Ndërsa parashikohen të blihen 8475 tableta, 8800 Power Bank (Banka e të dhënave) dhe fisha ekstra. Pjesa tjetër e shpenzimeve lidhet me qiratë e zyrave, trajnime, workshope dhe konsulenca.

Tabela e shpenzimeve e planifikuar nga Qeveria për realizimin e Censusit 2020


Sipas projektligjit, Censi synon t’u ofrojë Kuvendit, qeverisë, njësive të vetëqeverisjes vendore, organizatave ekonomike, shkencore e kulturore, si dhe gjithë shoqërisë civile të dhëna të besueshme statistikore, të nevojshme për planifikimin dhe realizimin e politikave të përgjithshme të zhvillimit, për analiza private e publike të vendimmarrjes, kërkime shkencore dhe, në përgjithësi, për përmirësimin e njohjes e të kuptuarit nga shtetasit të realitetit demografik, ekonomik dhe shoqëror të vendit. Censi ofron të dhëna për: a) numrin dhe shpërndarjen gjeografike të popullsisë vendbanuese; b) strukturën demografike dhe karakteristikat kryesore të popullsisë; c) numrin, shpërndarjen gjeografike dhe strukturën e banesave e të ndërtesave që përdoren për qëllime banimi; ç) kushtet e strehimit të popullsisë. Në draft përcaktohet se Censusi organizohet dhe zbatohet nga Instituti i Statistikave (INSTAT), me mbështetjen e Komisionit Qendror të Censit dhe të zyrave të censit në nivel bashkie. Komisioni Qendror i Censit dhe zyrat e censit, organizma të ngritur sipas parashikimeve të këtij ligji, kanë funksion mbështetës për INSTAT-in, për të lehtësuar punën në kryerjen e suksesshme të censit, dhe e ushtrojnë veprimtarinë e tyre deri në një muaj pas përfundimit të mbledhjes të të dhënave në terren. Komisioni drejtohet nga kreu i INSTAT, 13 ministra, drejtues të institucioneve shtetërore, si dhe kreu i Komitetit të Pakicave Kombëtare. Në mungesë të drejtorit të INSTAT, komisioni drejtohet nga Ministri i Brendshëm.


Në ligjin e mëparshëm nuk ishte përcaktuar që shtetasit duhej të pyetej edhe për besimin që ka, tani është kjo është përfshirë, duke e lënë si fakultative përgjigjen nga shtetasit. “Pyetësori i censit është instrumenti i hartuar nga INSTAT-i dhe i pasqyruar në planin vjetor, sipas nenit 9, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, i cili përmban pyetjet e detyrueshme dhe kërkesat për mbledhjen e informacionit të nevojshëm për prodhimin e statistikave zyrtare të popullsisë dhe banesave. Pyetësori i censit mund të përmbajë pyetje për grupin etnik, fenë dhe gjuhët, përgjigjet e të cilave bazohen në deklarimin e lirë dhe jo të detyrueshëm të individit. Këto pyetje duhet të përmbajnë alternativën e përgjigjes për të intervistuarin “preferoj të mos përgjigjem”, thuhet në nenit 4 të p/ligjit. Censusi i fundit është realizuar në vitin 2011.

Komisioni Qendror i Censit

Drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it dhe në përbërjen e tij ka anëtarë:

  • Ministrin e Financave dhe Ekonomisë;
  • Ministrin e Brendshëm;
  • Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë;
  • Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;
  • Ministrin e Drejtësisë;
  • Ministrin e Mbrojtjes;
  • Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
  • Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
  • Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
  • Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit;
  • Ministrin e Kulturës;
  • Ministrin e Shtetit për Diasporën;
  • Ministrin e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes;
    -Drejtorin e Drejtorisë së Statistikave Sociale në INSTAT;
  • Drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZN-it;
  • Kryeregjistruesin e Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë;
  • Drejtorin e Përgjithshëm të Institutit të Sigurimeve Shoqërore;
  • Dekanin e Fakultetit Ekonomik, në Universitetin e Tiranës;
  • Tre specialistë nga bota akademike, respektivisht në fushën e gjeografisë,
    informatikës dhe demografisë;
  • Drejtorin e Departamentit për Zhvillim dhe Mirëqeverisje në Kryeministri;
  • Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave
    Personale;
  • Kryetarin e Komitetit për Pakicat Kombëtare.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë