Politike

Cani: Refuzova projektet për incineratorët në Fier e Elbasan, s’plotësonin kriteret ligjore

Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani tregoi para Komisionit Hetimor Parlamentar arsyet se përse refuzoi propozimin e Ministrisë së Mjedisit për incineratorët e Elbasanit dhe të Fierit.

“Së pari, ne u thamë që në materialin që ju keni paraqitur, relacionin nuk jepet argumenti financiar. I themi që ju nuk jeni bazuar në ligj lidhur me koncesionet dhe prokurimet publike. Ky projektvendim në dijeninë time nuk është miratuar. Sa i takon financimit, koha ecte, ose do të bëhej, ose nuk do të bëhej”, deklaroi Cani.

E treta, tha Cani, ishte arsyeja financiare dhe përmbushja e detyrimeve nga kompania.

“Kërkonim që të dyja palët të ishin në gjendje që të përmbushini detyrimet. Që të përfshihej, ose jo, duhej që qeveria të angazhohej, sepse buxheti është një akt madhor, sepse aty vendoset politika ekonomike për vitin e ardhshëm dhe afatmesëm”, deklaroi Cani.

Në përgjigjen e parë që Shkëlqim Cani i ka kthyer Ministrisë së Mjedisit ka rrëzuar projektvendimin për dy arsye.

“Nuk janë plotësuar kushtet, kriteret dhe dokumentacioni. Nuk ka studim fizibiliteti nga Autoriteti Kontraktues dhe Ministria e Mjedisit”, shkruan ai.

Në shkresën e dytë, e refuzon sërish duke renditur tre arsye, pasi nuk përmban vlerësim financiar, procedurë me negociim pa shpallje në kundërshtim me ligjin dhe i kërkon informacion të detajuar për statusin juridik të shoqërisë.

Në shkresën e fundit, Cani e miraton projektin, por me vërejtje e paralajmërime. Ai thotë se kostot buxhetore mund të ndryshojnë si pasojë e kursit të këmbimit dhe inflacionit, kërkon marrjen e miratimit nga Ministria e Energjisë dhe Enti Rregullator i Energjisë për shitjen e energjisë dhe marrjen e miratimit nga njësitë e qeverisjes vendore lidhur me përballimin e riskut të mosplotësimit të sasisë.

Cani thotë se me VKM, Qeveria nuk ka miratuar të njëjtin projektvendim që rrëzoi Ministria e Financave.

“Ministria e Financave ka qenë kundër që të vendoset procedurë tjetër. Unë, në dijeninë time, besoj se jam i sigurt që nuk ka VKM që të miratojë këtë procedurë jashtë ligjit”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë