Politike

Balluku përplaset me Tabakun për të ardhurat shtesë të incineratorit të Tiranës: 430 mln euro? Shifër e ekzagjeruar, njësoj si karriget e Kongresit të PD

Gjatë dhënies së dëshmisë në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, u përplas me kryetaren e komisionit, Jorida Tabaku.

Shkak për pikënisjen e debatit u bënë akuzat e opozitës për vjedhjen 430 milionë eurove në lidhje me ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve.

Balluku ironizoi me shifrat e publikuara nga Tabaku dhe deputetët e tjerë të PD, duke thënë se ato janë të ngjashme me Kongresin e Partisë Demokratike ku u ulën 5 mijë delegatë në 2 mijë karrige.

Ironinë e vijoi më tej dhe kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, e cila tha se “me 7×7 42 shkoi një ministër në burg, tani të shohim kush e ka radhën”.

E vënë përballë pyetjes së deputetit Helidon Bushati për masat e marra ndaj ERE-s për të përcaktuar çmimin e energjisë që impianti i Elbasanit prodhon, ministrja tha se i kanë dërguar shkresa për të marrë një vendim duke theksuar se kjo është maksimumi që mund të bëjnë.

E pyetur se pse nuk ka filluar prodhimi i energjisë dhe dalja e saj në treg nga inceneratorët, Balluku u shpreh se është ERE ajo që vendos çmimin dhe se kjo gjë nuk është në kompetencat e ministrisë.

Pyetjes nga Bushati nëse :”do bëni nismë ligjore për Fierin”, Balluku u përgjigj duke thënë se ai donte përgjigjie tjetër, por ajo nuk e bënte dot këtë favor.

“Ju kënaqeni vetëm nëse merrni përgjigjen që doni. Në nenin 26 të kontratës përcaktohet se më përfundimin e kontratën menjëherë i transferon te autoriteti kontraktues në gjendjen që është të gjitha të drejtat e koncensionit… E konsideroj një nga arritjet më të mëdha që sot të do të prodhojë të ardhura. Nga malet e plehrave sot do të kemi një prodhim energjie të pastër e cila do të shërbejë në shëndoshjen e financave të bashkive”, tha ajo.

Ndërkohë, Tabaku e pyeti ministren se përse nuk është amenduar kontrata me incineratorin e Tiranës, në një kohë që kanë ndodhur dy vendime që kanë shtuar ndjeshëm të ardhurat për këtë incinerator.

“E kam fjalën për marrjen e mbetjeve nga Durrësi dhe i vendimit për të dorëzuar dherat nga kompanitë ndërtuese”, u shpreh kryetarja e Komisionit Hetimor.

Balluku tha se bëhet fjalë për dy vendime që nuk janë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si autoritet kontraktues, por të Këshillave Bashkiakë të Tiranës dhe të Durrësit. Por, ajo nuk mohoi ndryshimin e kontratës.

“Kontrata kërkon kohë që të ndryshohet, nuk mund të bëhet sa hap e mbyll sytë”, deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë