Politike

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit braktis dëshminë në Komisionin Hetimor: Përgjigjet do t’i merrni më 6 mars

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako braktisi dëshminë e vet para Komisionit Hetimor Parlamentar për incineratorët pas rreth 60 minutash të shoqëruara me tensione dhe akuzave të ndërsjella mes saj dhe anëtarëve demokratë të komisionit për “arrogancë”.

Situata u tensionua kur anëtaret e opozitës në këtë Komision, Jorida Tabaku dhe Ina Zhupa e pyetën Emirjana Sakon në lidhje me kontratën e nënshkruar me incineratorin e Tiranës, sipas të cilës bashkia do të paguajë 10 mln euro për koncesionarin dhe 15 mln euro të tjera për koston e transportit të mbetjeve nga Durrësi në Sharrë.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit refuzoi përgjigjen dhe madje duke thënë se "përgjigjen do ta merrnin më 6 mars", ditën e zgjedhjeve vendore në këtë bashki.

Deputetët e opozitës i kërkuan kryetares së Bashkisë së Durrësit një përgjigje dhe arsyetim të vendimmarrjes për mbylljen e landfillit të Porto Romanos po siguruar më parë një zgjidhje se ku do të depozitonte mbetjet.

Sako tha se vendimi verën e 2020 situata e mbetjeve në Durrës ishte alarmante. Ajo u shpreh krenare për vendimin e marrë që t’i depozitonte ato në Sharrë, ndërsa tha se në vitin e parë depozitimi është kryer pa pagesë.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit u shpreh se 90 për qind të tarifës së depozitimit në Sharrë e mbulon Qeveria shqiptare. Ajo mohoi akuzat se marrëveshja me incineratorin ka rritur me 60 për qind taksën e pastrimit për qytetarët e Durrësit dhe se ka pasur presion që të firmoste kontratën me incineratorin.

“AKUM-i i drejtuar nga Alqi Bllako, babai i të cilit ishte i punësuar tek Incineratori i Tiranës ka ushtruar presion ndaj Bashkisë Durrës që mbetjet të depozitoheshin në Landifillin e Sharrës në Tiranë. Bashkia Durrës ka lidhur një kontratë që do t’u kushtojë qytetarëve 10 mln euro për koncesionarin plus 15 mln euro të tjera për transportin, çka sjell rritje me 60 për qind të tarifave për pastrimin të qytetarëve të Durrësit. Sa herë vjedhin Sako, Dako dhe Bllako, pasojat i paguan qytetari durrsak”, tha Tabaku.

Ndërkohë, anëtari demokrat i komisionit, Belind Këlliçi akuzoi kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako se më 14 shkurt ka paguar Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan, megjithëse ata janë shpallur në kërkim. Këlliçi deklaroi gjithashtu se vetë kryebashkiakja ka komunikuar së fundmi me këta dy persona.

Pas largimit të kryetares së Bashkisë së Durrësit, kryetarja e Komisionit Hetimor kërkoi përgatitjen e një padie për kallëzim penal ndaj Emirjana Sakos për braktisjen e sallës dhe refuzim dëshmie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë