Drejtësia

Shkëlqim Cani në SPAK për privatizimin e një furre buke, por ish-ministri pret të thirret për inceneratorët

Gazeta Si - Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani dëshmoi këtë të hënë dy orë në SPAK për hetimet mbi privatizimin e trualli të një furre buke në Tiranë në kundërshtim me ligjin.

Ai u pyet edhe për çështjen e inceneratorëve, ku tha se i qëndron shkresave që ka firmosur për kundërshtimin e projektit.

Për faktin se Arben Ahmetaj miratoi atë që ai kishte refuzuar, Cani tha se për këtë duhet pyetur kryeministri Rama.

Cani ka qëndruar mbi dy orë në zyrat e SPAK, por pas daljes prej andej, tha se ka nënshkruar një deklaratë që duhet të ruajë sekretin hetimor për atë që u pyet nga prokurorët. “Firmosa për sekretin hetimor”, u shpreh shkurtimisht ai.

Ish-ministri tha se nuk u pyet nga prokurorët për çështjen e inceneratorëve, por theksoi se është i gatshëm të paraqitet nëse e thërrasin. Ai u shpreh se nga SPAK pret vetëm drejtësi dhe rregulla për këtë aferë.

“Pyesni SPAK-un kur ka ndërmend të më thërrasë dhe a do më thërrasë. Në jetën time kam kaluar kaq shumë, sa që nuk më surprizon asgjë. Jam i gatshëm që të paraqitem për të treguar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Pres drejtësi, ligj dhe rregull”, u shpreh Shkëlqim Cani.

Ish-kreu i Financave përsëriti qëndrimin e mbajtur kundër inceneratorëve në një shkresë për dhënie mendimi ndaj ministrisë së Mjedisit në vitin 2014.

“Shkresa ka dalë, është publikuar. Nënshkruaj të gjitha letrat… Nuk ka rëndësi që çfarë them unë, kur është e shkruar. Se çfarë kam shkruar, e lexuat shumë mirë. Me gojë s’kam çfarë përsëris”, theksoi Cani.

I pyetur për faktin se paraardhësi i tij Arben Ahmetaj firmosi projektin e inceneratorëve që Cani kishte refuzuar, ish-ministri theksoi se është kryeministri ai që duhet të pyetet në lidhje me veprimtarinë e ministrave. “Pyesni Ramën për këtë”, shtoi Cani.

Gati një vit më parë, Cani dëshmoi në Komisionin Hetimor Parlamentar të ngritur për inceneratorët.

Ai tha se kishte refuzuar procedurat e ndjekura për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit, pasi kishin mospërputhje me ligjin.

Për çështjen e inceneratorëve janë arrestuar ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako dhe një numër zyrtarësh të tjerë.

Cani u largua nga drejtimi i ministrisë së Financave në vitin 2016, ndërsa postin e tij e mori Arben Ahmetaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë